Kulturë
Shefqet Dibrani: Dhimbja dhe trishtimi shpon edhe gurin
E marte, 24.06.2025, 04:54 PM
DHIMBJA DHE TRISHTIMI SHPON EDHE GURIN
Lumni
Nimani "DRITËLOTËT E SHPIRTIT", poezi, botoi Shtëpia Botuese “LENA
Graphic”, Prishtinë 2024, faqe 128. ISBN 978-9951-29-832-2.
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
NË FILLIM
Motivi i dashurisë është njëra nga
shtyllat kryesore në veprën poetike të Lumni Nimanit, ky motiv shfaqet
me një thellësi të veçantë dhe me një shumëllojshmëri formash të shprehjes
lirike. Poezitë e vëllimit "DRITËLOTËT E SHPIRTIT", shpërfaqin ndjenjën personale, dhe në anën
tjetër pasqyron reflektim të përvojave më universale të nocionit dashuri – duke
nis nga malli dhe nostalgjia për atdheun, e deri te dhimbja e skajshme në
ciklin “me elegji”, si dhe shpresa për përjetësim lirik. Në poezinë e
parë “Iliri”, poeti shprehet: “Je e
vjetër;/ sa Tomorri e Shkëlzeni,/ sa Sharri e Luboteni/ dhe e dashur; si askush
tjetër”, (faqe 21). Ndërsa vlerësimi im kritik ka për qëllim të analizojë disa
veçori që e karakterizojnë poezinë e këtij poeti, i cili ka arritur të ndërtoj
motivin e dashurisë si formë lirike, motivin e atdhedashurisë si topikë, dhe
motivin e ndjenjës si asociativë e përjetimit, dhe duke u fokusuar kryeisht në
simbolet figurative ai ka arritur emocionin personal ta shprehë në mënyrë
brilante përmes kësaj poezie.
PËRVIJIMI ARTISTIK
“N’Drenicë, n’atë krenari shqiptare”,
(faqe 25), poeti motivin epik e ndërlidh me heroizmin e gjeneratave nëpër epoka
të kohës, që nga Ahmet Delia e gjerë tek Hamzë e Adem Jashari. Një përvijim sa
artistik po aq epik dhe heroik, përkatësisht: “Krenarinë Kambit lart ja
ngriti./ N’luftë kundër hordhisë barbare,/ Adem Jashari, Zahir Pajaziti,/
N’ballë t’Ushtrisë Çlirimtare”, (poezia KËNGA E LIRISË, faqe 25-26).
KOPSHTI I SHPIRTIT
Akoma po kërkon atë që tinëzisht iku.
Në mbrëmjen e asaj nate në mugëtirë.
Duke i lënë dhe portën e shpirtit hapur.
Në mos po rikthehet sërish me pahirë.
Në vend të mallkimit për thyerje zemre.
Ende po ja ruan të freskët atë dashuri,
që pabesisht keq atë mbrëmje
ta përbuzi.
Ja ujitë me hoje shpirti me plot ëmbëlsi.
Në kopsht t'shpirtit tim të pata
mbjellur.
Në fillim të kësaj pranvere o vasha ime.
Me afsh dashurie të kam mbështjellur.
Qeshu, gëzohu, mos rri në psherëtime!
Se zemërthyerit nuk i do as vet Zoti.
Mallkuar qofshin ata për jetë e mote!
Mos shiko prapa me ata sy të bukur,
por kthehu këndej shiko kah zemra jote!
02. 07. 2020
Faqe 57.
Vëllimi me poezi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”,
mban brenda vetes peshën e emocioneve më të thella njerëzore – dhimbjen për të
birin dhe mallin dhe dashurinë që ka për
atdheun, të shprehura me ndjenjë e përkushtimin, sidomos në poezitë që kanë
motiv atdheun. Në poezinë “MË MUNGON”, ja si shprehet poeti: “Pritmë Atdheu
im i dashur e i shtrenjtë!/ Se malli për ty më është bërë sa një mal./ Me ty të
çmallem o Tokë e shenjtë./ Do nisem për rrugë sapo agimi të dal.”, pastaj
ai shprehet: “T’kënaqem n’atë vend ku u linda e u rrita./ Në atë Shqypninë
teme që më mungon./ Atje ku diellit n’agim i del e bardhë drita./ E shpirtin
tim me ngrohtësi ma ledhaton.”, (faqe 27).
VEÇANTIA LIRIKE
Poezia “E HYJNISHMJA DASHURI”, është e
llojit të vet, sidomos për strukturën estetike që ka, pastaj për vet
prapashtesat përgjat tërë poezisë: “1. (‘irë): Dëlirë,
pahir, ogurmirë, gdhirë; 2. (‘esh): Lulesh,
puthesh, lutesh, futesh, ngutesh, ruhesh;
3. (‘on): Fton, mjalton, përqafon, dashuron,
fluturon; 4. (‘olla): Shkolla, fjolla, holla;
5. (‘init): Drinit, Dukagjinit, Ulqinit, Shkumbinit,
synit; 6. (‘inës): Luginës, t’kanarinës,
trëndelinës, Prishtinës, tinëz; 7. (‘ane): llapjane,
shkupjane, Tirane, kane, nane; 8. (‘isë):
Çamërisë, Labërisë, Toskërisë, Gegnisë, Dardanisë,
Shqipërisë; 9. (‘ia): djelmënia, njerëzia,
dashuria, mia, zilia, Perëndia”. Pikërisht për
këtë karakteristikë të sufksit, përkatësisht prapashtesave poezia në fjalë bëhet
e rrallë, e mirë dhe artistike, prandaj për bukurinë që ka, po e risjell të
plotë edhe këtu:
E HYJNISHMJA
DASHURI
Nuk vdes kurrë,
e hyjnishmja dashuri,
sa të ketë:
Lule aromëmirë,
Të çiltër e të dëlirë,
që dashuron me pahir,
atë djaloshin ogurmirë,
që nga muzgu në të gdhirë.
Ai trandofil lulesh;
para se të puthesh,
të bën, që asaj t'i lutesh,
n'shpirt thell që t'i futesh,
të nxitosh, të mos ngutesh,
xhembash kujdes t’i ruhesh.
E që hojesh e fton.
Fjalë e saj e mjalton.
Me afsh shpirti e përqafon.
Me musht zemre e dashuron,
edhe pa krah e bën të fluturon.
Nuk vdes kurrë
e hyjnishmja dashuri,
Sa të dredhet belholla,
aromëftua e kuq si molla;
goca e çuna nëpër shkolla,
ca flokarta e ca fjolla - fjolla
Me sytë e zi e vetullat e holla.
...
Sa të ketë:
djem e vasha t'anës Drinit,
Vasha e djemë prej Dukagiinit,
e vajza të bukura prej Ulqinit,
bardh bash si vala e Shkumbinit,
që çunit ja bäjnë me bisht të synit.
E...
kur sybukura prej Luginës,
me zë t'bukur si t'kanarinës
dhe me aromë të trëndelinës,
e do atë djaloshin e Prishtinës,
e puth jo n'sy të botës - por tinëz.
E pehria t'ëmbla llapjane;
e cuca të majra shkupjane;
e çika malësore tropojane,
me goca belkëputura Tirane,
e bëhen gati për atë natë kane.
Lum ai që i ka kësmet - ai bir nane!
Me arvanitet e Çamërisë.
Me djemë burra të Labërisë,
e me shtojzovalle të Toskërisë.
Me çuna të pashëm të gegnisë,
pa harruar as të bijtë e Dardanisë,
m'ia shtojnë nurin nanë Shqipërisë.
O vajzëri e ju djelmënia,
qëkur në botë u krijua njerëzia,
atëherë lindi e hyjnishmja dashuria.
E ju dëgjoni, e mos i harroni fjalët e mia!
Se s'ka dobi as nga urrejtja dhe as nga zilia
Kush dashuron: është i bekuar nga Perëndia!
03. 06. 2020
Faqe 51-53
Vetë titulli i vëllimit me poezi është
një metaforë e fuqishme që përmbledh thelbin e poezisë së Lumni Nimanit. Lirikë
e ndjeshme sa vetë dhimbja dhe lotët e poetit. “Ditët
shpalosen një nga një,/ bëhen javë e javët bëhen muaj./ Atje do të vij se nuk
duroj më, më mbyti më treti ky dhe i huaj”, (poezia FJALË E ËMBËL, faqe 29).
Në anën tjetër disa nga poezitë e Lumni Nimanit janë thellësisht përjetime personale
por, njëkohësisht ato përçojnë vlera universale. Po ashtu motivi i disa poezive
kanë burim përvojën e mërgimit, ku dashuria për vendlindjen, ndjenja e ndarjes
dhe mallëngjimi për tokën e shenjtë janë të përhershme. Tashmë ato ndjenja janë
shprehur përmes vargjeve lirike. Në këtë mënyrë poeti lidh zemrën e shpërngulur
me rrënjët shpirtërore, duke krijuar një urë të padukshme midis dy botëve: asaj
të ikjes dhe asaj të kujtesës, përmes të të cilave ai ruan kujtimin e gjallë
për kohën që tash nuk i kthehet më. “Përveç shpalosjes së kujtimeve,/ për
vitet e lumtura në Dardani./ Një pellg i tërë i përjetimeve,/ seç më rinon; më
bën prap fëmijë”, (poezia SHPIRT I MEKUR, faqe 32).
MOTIVET DALLUESE
Janë katër motive dalluese, që e përshkojnë
poezinë e vëllimit "DRITËLOTËT E SHPIRTIT": Dashuria, kurbeti, atdheu dhe dhimbja. a)
Motivi i dashurisë, manifestohet si ndjenjë e triumfit dhe, është forca
që mban shpirtin gjallë dhe ndriçon muzat e brendshme të poetit është: “Ndjenjë
e dashurisë,/ që moti ka mbirë aty,/ ajo n’largësi merr udhë/ e më shpjerë tek
ti”, (poezia NGJYRA YLBEROSHE, fqe 50). b) Motivi i kurbetit,
është plagë dhe po aq edhe sfidë, motiv ky që ndërthuret me ndjeshmëri të
rrallë: “Tretmë o Zot/ nga kjo tokë e mallkueme!/ t’rroj aty,/ ku balta
asht,/ ma e amel se mjalta/ e ku, krahëhap m’pret,/ e mira – flokarta./ Në
Atdhe, te votra”, (poezia DY DASHNI, faqe 23-24). c) Motivi i
poezive për atdheun, që është aq pranishëm, është frymëzim por edhe krenari
dhe identitetit: “E kthjelltë si vala e Valbonës;/ e bardhë si vala e Drinit
të Zi;/ e qetë si Llapi im i Kosovës./ Me shkrimet e para je histori”, (poezia
THESAR I SHQIPES, faqe 30). d) Ndërsa Motivi i dhembjes në ciklin
e fundit e shpon edhe gurin, dhimbja e poetit është e papërshkrueshme, dhe duke
iu shmangur për një çast kësaj metamorfoze, poezitë janë të ngarkuara me
emocione, përjetohen thell dhe mund të konsiderohen më të realizuarat brenda
vëllimit, për vet faktin e mesazhit si amanet si trashëgimi e dhembjes që përqojnë.
Çasje e mirë estetike dhe realizime të bukura artistike. Vëllimi "DRITËLOTËT
E SHPIRTIT", pa ciklin elegjiak, kushtuar të birit Vetonit – nuk do
ta kishin këtë vlerë dhe këtë ndjenjë të veçantë dhe po aq përjetuese.
SHEMBJE SHPIRTI
(Tim bir - Vetonit të
dashur ge iku n'amshim)
Nuk i dua më fare lulet e prillit,
as flladin e ngrohtë në pranverë.
S'dua t'ja dëgjoj më as këngën bilbilit.
Pa ty engjëlli im kjo botë është
skëterrë.
Ah jetë e padrejtë sa keq më godite...!
Bash mu aty ku më së shumti dhemb.
Më more djalëbukurin fare nuk prite.
Nga dhimbja që kam shpirti m'u shemb.
Përse ishe për mua kaq e pa mëshirë?
Jeta larg Atdheut pak të dukej vallë?!
Përse më le mua kur më more tim bir?
Oh sa shumë ndjejë për të dashuri e
mall...!
Shpirtin dhe zemrën në dysh mi çave
Ah mortje e shkretë ti qofsh mallkuar!
Bimën nga shpirti përjetë ma ndave,
Për mua s'lind më diell - ai ka
perenduar.
Ah ti toka e shtrenjtë e Llapit tim!
Ty të përgjërohem me një porosi!
Ma ruaj djalin tim që ndërroi jetë
n'mërgim!
Se është i ri, i njomë, ma mbaj but në gji!
09. 09. 2022
Faqe 115.
Të jemi të sinqert, nuk e shikoj këtë
motiv, vetëm si shprehje e dhembjes së poetit për të birin, por e shohë si
humbje e besueshmërisë, shprehur me pezmë në vargun “Mos sprovo kështu
prindërit o Perëndi”, që është një moment i trishtët, thirrje drejtuar
Zotit të mos i sprovoj edhe prindërit tjerë, njëjt si poetin, dhe ky mallkim,
tashmë as këtij prindi-poet nuk do t’i errësohej mëtej dritën, por dy
pika loti i shkunden sa herë kthehet në vendlindje atje ku e pret varri i të
birit, siç shprehet vet poeti: “Nëse nuk vi shpesh, më fal o biri im!/ Në
atë tokë të shtrenjtë që në gji të mbanë./ Se jam larg nga ju në këtë t’mjerë
mërgim, e ti më ndriçon si yll nga bota matanë...”, (poezia SY YLL MË
NDRIÇON NGA BOTA MATANË”, faqe 119).
DHEMBJA SI TRISHTIM
Prandaj ky motiv ka një kujtesë të
rënduar nga emocionet, këput shpresën për botën që e rrethon, në anën tjetër
kemi një frymëzim të ndjerë e të dukshëm shpirtëror, püer të jetuar, për tu
përpjekur dhe për të gjallëruar. Këto nunaca dhembjeje përbëjnë disa nga
veçoritë më dalluese të këtij vargu poetik. Andaj kjo përzierje ndjenjash e bën
këtë vëllim poetik sikur të ishte një udhëtim emocional përmes rrugëtimit të
jetës së poetit dhe përjetimeve të tij si njeri, si prind dhe si krijues.
PA TY
Vitet ndërrohen nëpër motmote.
Por dhimbja për ty sa vjen e shtohet.
Shpirtin ma keputi mungesa jote.
Jeta pa ty është vuajtje - s'durohet...
Në këtë ditë feste të këtij dhjetori.
Kur zemrat gëzohen lumturi mbushen.
Shumë mall për ty kam unë i gjori.
O ylli im në qiell që shndrit mal e
fushën.
Në vend që të festoja me ty n'përqafim.
Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri.
Ti më le dhe ike nxitove për n'amshim.
Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi!
31. 12. 2022
Faqe 117.
Në këto vargje, dhimbja e poetit është e
papërmbajtshme, e zhveshur nga çdo zbukurim, e stolisur me vellin e dhimbjes,
prandaj prania e dhembjes bëhet një mjet për të përjetësuar kujtimin e të birit,
i cili tashmë prehet në Kosovë. Elegjitë e këtij libri nuk janë vetëm përjetimi
personal i poetit, ato janë dëshmi poetike e brishtësisë së jetës dhe vuajtjes
njerëzore - dhimbje kjo që do t’i flet çdo prindi, çdo zemre të thyer. Me këto
nunaca dhembjeje janë edhe poezitë tjera si: “Ah...”, “Lotë për ty”,
“N’vend t’urimit – Lot për ty”, “Kur loti flet”, që janë poezi të
dhimbshme dhe përjetuese sepse “vapa e gushtit ato lule,/ i kishte vyshkur e
tharë,/ Bash ashtu, siç zemrën time dhimbja për ty...”, (faqe 123), prandaj
poeti shprehet se “Edhe varret ia dua...”, Atdheut, sepse poeti-prindi,
Atdheut pos tjerash ia ka falur edhe një varr, dhe aty ka të birin e vet
Vetonin, i cili si Vetëtima që Veton ia ngjall babit mallëngjimin dhe ia shkund
dhimbjen të cilën ai do ta bart gjerë sa të shkoj në varr.
Vëllimi poetik "DRITËLOTËT E
SHPIRTIT", në tërësinë e saj, është një mozaik ndjenjash, një përshkrim i
thellë i shpirtit njerëzor dhe i marrëdhënies së tij me dashurinë, mallin,
humbjen dhe shpresën. Vëllimi nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por
një dëshmi e një jete të përjetuar me ndjeshmëri të lartë dhe me një përkushtim
të sinqertë ndaj së bukurës dhe së vërtetës poetike. Me “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”,
Lumni Nimani, na dhuron dhembjen e vet, jo vetëm vargje të bukura, por edhe një
pasqyrë të shpirtit të tij – të trazuar, të ndjeshëm dhe të pasuruar me
përvojë. Ky vëllim është një ftesë për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të
ndjerë gjamën e Poetit Lumni Nimani!
PËRFUNDIM
Nga analiza e poezive të Lumni
Nimanit del qartë se motivi i dashurisë, motivi i mërgimit dhe ai i
dhimbjes janë trajtuar me ndjeshmëri, elegancë dhe përkushtim të veçantë. Dashuria,
për poetin, nuk është thjesht një përvojë personale romantike, por një ndjenjë
e gjerë dhe e thellë që përfshin: Atdheun, kujtimet, hyjnoren dhe dhimbjen. Në
vëllimin me poezi "DRITËLOTËT E SHPIRTIT", ai arrin të krijojë një
lidhje të fortë me lexuesin përmes gjuhës së pasur, figuracionit poetik dhe
përshkrimeve emocionale.
Poezitë e tij shërbejnë si një reflektim
mbi përvojat universale të dashurisë – të bukurën, të vështirën dhe të
përjetshmen. Nëpërmjet këtyre vargjeve, lexuesi ftohet të zbulojë thellësitë e
shpirtit dhe të përjetojë dashurinë në të gjitha format e saj, duke e bërë
poezinë e Lumni Nimanit një burim të çmuar frymëzimi dhe meditimi.