E enjte, 24.07.2025, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Melondrama

E diele, 29.06.2025, 01:56 PM


Melondrama

Nga Edison Ypi

Për herë të parë në version serioz Melondramën, mardhënien e çuditëshme të shqiptarëve me sharqinin dhe kushuririn e tij të parë bostanin, mbi lëkurat e të cilëve rrëshqasin dhe qeshin, e pashë aty nga mesi i viteve '80 në Pogradec. Një djalosh i ardhur nga Tirana për tu arratisur përmes Liqerit, pasi zbrazi një sharqi të madh, futi kokën brenda sharqinit bosh, e zuri gojën dhe hundën me një kondragaz ushtrie zgjatur me një tub të hollë për të marrë frymë, u fut në Liqer dhe u nis të arratisej në Jugosllavi. Por futja e kokës në një sharqi bosh ishte një truk i njohur për syshkabat që ruanin Liqerin nga ikjet. Mëkatarit pa mëkat j'a bënë kokën shoshë me Kalashnikov pa bërë as 1 kilometër. Pikërisht ku Poeti e kishte bërë me kohë paralajmërimin me dremitje diktatoriale dhe mungesë kufij shtetesh; "Mbi zall të pyllit vjeshtarak, dremit Liqeri pa kufi".

Një version agroushqimor të Melondramës mund ta shohësh falas në çdo minimarket ku ka sharqi në shitje. Por është; ose me çmim tepër të lartë, ose i bardhë nga brenda, ose i kalbur, ose si llastik që e pështyn ose e vjell sapo e kafshon.

Ku janë ideatorët, regjizorët, skenaristët, skenografistët, e Melondramës ?

E ku tjetër veçse në kraterin e vullkanit të sharqinjve, në Divjakë.

Gjatë autostradës për Durrës; Vorë, Maminas, Sukth, madje edhe gjatë gjithë plazhit të Shkozetit, s'ka sharqi anës rrugës.

Shkëmbi i Kavajës, Golem, Kavajë, vazhdon melondrama.

Në Gosë, ku është edhe ditë pazari, melondrama bëhet rrënqethëse.

Ore, i them një vendaliu me kasketë dhe mustaqe, ç'bëhet kështu ? Që sharqinin e merr sërbi, nuk është arësye për t'i braktisur tezgat.

-Sërbi dhe Maqedoni nuk marrin vetëm sharqinin o flori, më përgjigjet rrogozhinsi, sërbi vjen e merr këtu gjithçka. Specat, domatet, kastravecat, sallatën jeshile, patatet, qepët, të gjitha.

Te Pilo Lala, ku rruga kthen për Divjakë, edhe aty, asnjë kokërr sharqini për be'.

Pak kilometra para qëndrës së Divjakës Melondrama bëhet drithëruese. Olimpi, Panteoni, Parajsa e prodhimeve bujqësore shqiptare, tregu gjigand i famshëm në të gjithë Europën është aty. Trailera, kamionë, rimorkio, karroca, thasë, pirgje, të pafundëm me sharqinj, pjepra, qepë, patate, etj. etj.

Pronarë të ngrysur që presin blerësa ose pagesa të vonuara.

Blerësa dinakë duke bërë pazar me pronarë naivë.

Shoferë apo drejtuesa mjetesh që presin të vijë prodhimi nga arat duke pirë birrë.

Pronarë traktorash dhe makinerishë të tjera që kërkojnë me ankth klientë për plugime, prashitje etj.

Tregëtarë farërash, plehërash kimike.

Ndërmjetësa, matrapazë, hajdutë.

Këtu qënka "Kazani i Dreqit" do thoshte ndonjë kosovar. Por po të hysh e të pyesësh kupton menjëherë se ke të bësh me një agregat shitblerjeje absolutisht perfekt që punon pa u ndalur 24 orë në 24 orë me përpikmëri absolute. Përsosmëria e funksionimit të kërkesë-ofertës në Divjakë ka sfiduar  teoritë mbi ekonominë nga Karl Marksi te Adam Smithi.

Por konstatimi i çuditshëm dhe deridiku tronditës është se s'bëhet fjalë për blerësa shqiptarë. Që edhe të tillë këtu ka. Por janë aq të pakët në numur, dhë zenë një peshë aq të vogël në këtë treg oqeanik, sa askush nuk do të dëgjojë për ta. Për sërbin po. Sërbi është protagonisti i Melondramës së Divjakës.

Ja tre trailera si tre trena që po presin prodhimin të vijë nga fusha. Njëri në timon, dy të tjerë që i bëjnë shoqëri në tokë. Sërb i pari, sërb i dyti, sërb edhe i treti. Ore, mos është shqiptar ndonjë prej jush, u them, se edhe kjo më ka bërë vaki. E kuptojnë çfarë domethënë "shqiptar" dhe bëjnë shenjë mohimi me gish dhe kokë. English ? i pyes. Jo-jo, bëjnë përsëri me shenjë të tre. Befas, sërbi i mbështetur mbi timon, thotë italisht;

-Ne nuk jemi pronarë, ne jemi shofera. Unë kam 30 vjet që transportoj prodhime bujqësore nëpër Europë; Itali, Francë, Spanjë, Angli, Lituani, Latvia, Estoni, Skandinavi, Rusi, Turqi. Vendi juaj është më i bukuri në botë. Klima juaj është përrallore. Prodhimet tuaja bujqësore janë më të mirat e krejt Europës, edhe më të mira se të Turqisë.

Bashkë me mua sërbin e dëgjuan të mahnitur edhe një numur divjakarësh që ishin aty rrotull.

Ja, kjo ishte e tëra. S'kam ç'bëj më këtu. Po të ishte mbrëmje do ikja të mbështesja kokën mbi supin e muzgut të magjishëm të njërës prej grave të mia, Karavastasë elegante që ndodhet këtu afër. Por jam në mes të zhegut dhe duhet të kthehem nga frika mos më bjeri pika nga vapa.

Te një kafene ku vajta piva ujë, më thotë një divjakar:

-Sharqinin vjen e merr sërbi. A është "Tradhëti Kombëtare" ?!

-Po ç'tradhëti kombëtare o tyç që të ka mbetur ora te Diktatura, hidhet një tjetër, sërbit i shesim sharqi që është 99 % ujë, dhe i marrim Euro që janë 99 % pasuri. A po m'kupton ?

Po divjakar i urtë, të kuptoj. Halli se ndërkohë po vjen muzgu, perdja po bie, Melondrama po mbaron, dritat po shuhen, spektatorët po largohen.

Në Golem takova një kavajs, mik të vjetër. Më beso të lutem, tha kavajsi, jo vetëm sërbi, të gjithë njerëzit e botës janë kunguj me pak sharqi. I vetmi në botë që është sharqi me pak kungull është shqiptari.

Në shkozet më zunë sytë shkarazi një rrugë nja tre metra të gjërë të pa asfaltuar dhe me plehra me emrin "Vaçe Zela".

Shkozet-Tiranë e bëra duke ndjekur ndjekur me sy mbi asfalt herë një sharqi herë një kungull, herë një sërb herë një shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx