Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Moods Map
E merkure, 19.02.2025, 07:55 PM
Moods
Map
Nga
Edison Ypi
Ndjehesh
i çartallosur, i çorientuar. Të lypset një ardhje në vete. Një vajtje diku. Një
dush i plotë, i thellë. S'ka si shiu për të hequr këto bezdira. Shko prite
shiun ku shiu fillon para se ta ndajë mendjen nëse do vazhdojë drejt Tiranës
apo drejt Durrësit, në Rumanat. Nëse në Rumanat do arrish para shiut, ulu prite
shokun shiu anës rrugës. Po qe se shiu i Rumanatit s'të mjafton, të duhet
rrebesh, ik diku nga Shkodra në Lezhë ku lagien deri në palcë e ke të garantuar
100 %. Nëse shiun e preferon të kombinuar me erë, prite te gryka e Milotit. Po
deshe dush pa shi, dush vetëm me erë që s'ndalet kurrë, shko se e ke në Qaf
Bull ku era i nge lart shkëmbinjtë mbi male po aq kollaj sa hek pi krytit
kapelet e qerosave.
Ndjen
ankth se përditshmëria qesharake e qytetit të ka ardh në fyt ? Nëse rasti është
ky, ik të gjesh rehat në një vend serioz. Diku mes Shkodrës dhe Pukës s'do qe
keq.
Ama
nëse të ndodh e kundërta, pra nëse qyteti të duket i zymët, dhe të lypset pak
humor, para se me përfundu nëpër valiuma dhe antidepresiva, vrap n'Shkodër o
t'i marrsha tana t'ligat, se veç atje munesh me u qetsue.
Ndoshta
je qefli i Natyrës, pyjeve, maleve, lumenjve, përrejve, e çka të duhet
tru-e-trup për me u ftillu, ësht me vajt te një vend aq i bukur ku duke udhëtu,
veç tjerash, harron me ba shurrën. Ky vend, për fat, ekziston, ka dhe emër,
quhet Lugina e Vjosës. Nisu.
Nëse
hallet e jetës i ke pas aq të rënda sa për me ta rivendos ekuilibrin fizik dhe
psiqik të duhet me vajt në një vend njëkohësisht melankolik, idilik, romantik,
misterioz, po m'besove mue, ky vend quhet Mallakastra. Ik vrik.
Po
të ka kap trishtimi, gjithçka ka marr fund, gjithçka është kalb, ësht shndërru
të pleh, për me kap sadopak veten, mundesh me vajt te një vend që prej
pozitivitetit nuk heq dorë mishin me ja bë çika-çika, në Labëri.
Po
të ka kap frika se qënia jote rrezikohet nga superficialiteti, shko ku edhe
gurët edhe drurët janë mendimtarë të shquar, ku gjithçka është filozofike, ku
mendimi dhe thellimi s'kanë të sosur, në Kolonjë, në Luaras, Barmash, Starje
sidomos.
Ke
ndjesinë se ke mbetur në vend, ke ngecur, ke llocur, asgjë s'të bën derman, je
kthyer në varr. S'të lypset mjek. As ilaçe. Ke nevojë tu afrohesh gjërave
rrjedhëse. Krojeve, puseve, përrenjve, mundësisht të shenjtë. Ka plot. I gjen
gjithkund. Në Elbasan, Mirditë, Skrapar, Dibër, Berat etj.
Helmin,
vrerin, të keqen, do me i nxjerr, me i flak përgjithmonë ? Qaj. Derdh lot ?
Vendi ku lotët të rrjedhin më kollaj është Ura. Ik qaj mbi ura me emra femrash:
Ura e Gocës, Ura e Vajzës, Ura e çikës, Ura e Kopiles. Pasi i mbysnin me
jorgan, i hidhnin nga ura në përrua. Kufomën e merrte përroi. Gjinia i mbetej
urës.
Ka
lodhje që s'i bën dot derman asnjë mjekësi, asnjë ilaç. Por ekziston një vend
aq poetik, artistik, estetik, me kisha, fusha mahnitëse, monastere
trushpërthyese. Është Myzeqeja e Fierit, nga Libofsha në det.
Ekziston
një vend ilaç i tëri, një vend ku pas çdo bukurie fshihen të tjera bukuri.
Është Gramshi.
Dhe
një tjetër, aq i bukur, sa heq çdo ankth, panik, depresion, Skrapari.
Po
të djeg nga brenda zjarri i zilisë ? Shko ku gjithçka është e qetë, magjike,
paqësore. Në Dumre, në Darsi.
Me
ta guximin në palcë të duhet me vajt në një vend më të bukur se të bukur, në
një vend të çmendur bukur. I vetmi i tillë, plot me male, kanione, fshatra,
çobenë, guna, fyej, kërraba, është Tomorrica.
Ku
kalendari nuk vlen, busulla nuk bindet, ditët hallakaten, stinët ngatrrohen,
koha çthuret, kaq surreale është vetëm Puka. Nisu. Kthesa e parë djathtas,
semafori i tretë, përroi i shtatë, pylli i trembëdhjetë, trokit te barraka me
dërrasa, do dali Pikaso.
Vend
i ngrimë. I bukur, por asgjë nuk ndjen. I afërt por kurrë nuk e arrin, nuk e
prek. Ndodhet përgjat kufirit ku kanë mbetur qindra mbi telat me gjëmba, nga
Librazhdi në Dibër.
Nëse
për me u shëru të duhet me pa një vend ku gjithçka të thotë lamtumirë përgjithmonë,
ai vend është Spaçi. Akoma s'je nis ?!
Vendi
ku shpresa, dashuria, xhelozia, krenaria, lehtësimi, trishtimi, mpleksen më
fort se shapi me sheqerin, është, e kush tjetër veçse e fundbotëshmja Kosova.
Po
don me vjell ? Po. Mundesh. Gjej një pllakë bronxi ose mermeri që flet për
heroizma ku nuk ka ndodh asgjë. Për armikun që kurrë s'erdhi. Për dëshmorë ku
nuk ra asnjë. I ke në vendet më të largëta, mes pyjeve, shkëmbinjve. Te mali me
gropa, te Qafa e Martës, Qafa e Shtamës, Qafa e Patës, Qafa e Nocit (Rrokut).
Ku asnjë pushtues nuk arriti. Asnjë luftë nuk u bë. Gjej një lapidar, dhe vill.
Nga
Ura Dajlanit në Golem. Vend aq i ndotur nga prezenca njerëzore sa s'i ka mbet
pik yndyre. Vend ku ndjehesh më bosh dhe më kot se kudo në botë. Vend më të
mirë me vra veten nuk e gjen.