Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Aleat hajdut
E hene, 03.02.2025, 06:52 PM
Aleat
hajdut
Nga
Edison Ypi
I
vajtën Hajdutit në arratì. E gjetën te zgavra ku ishte fshehur. E morën, e lanë
e shpëlanë. Ja hoqën morrat, e krehën, e ujdisën. E nxorrën në televizor. I
thanë të thotë çfarë u leverdiste për të fituar Noc Rrokun në zgjedhjet e
ardhëshme. Pra i vajtën të vdekurit te varri. Ja mblodhën dhe ja ngjitën
kockat. E ngritën, ja hoqën baltat, e veshën, e mbathën, e parfumosën, e
pispillosën. E nxorën para kamerave. I thanë të flasi për kodrat e Saukut pas
Malit të Dajtit. Foli aleati hajdut. U ngërdhesh, u zgërdhesh me zë të dridhur,
i djersitur nga ankthi, paniku. Asgjë su muar vesh çfarë tha i vdekuri i
pakallur që po e kërkojnë policitë e krejt botës.
Zgjedhja
për aleat e Hajdutit për të dëshmuar hajdutllëkun të lë pa mënt. Nuk duket si e
këtushme. Duket si e tejbotëshme. Si e ndodhur tjetërkund. Vite drite Larg. Në
një planet ku gravitacion nuk ka, koha ka ndalur, Jeta e saponisur është në
epokën e shpellave të populluara nga pitekantropët që jetojnë në kopè, dhe
ushqehen me njëritjetrin.
Mes
shumllojshmërisë së pafundme të tipave, karaktereve, huqeve, veseve, vështirë
të gjesh një aleat për së mbari. Që ta kesh për ditë të zezë. Të rrijë besnik
si qeni. Të mos tradhëtojë si Beqir Balluku. Të mos të spiunojë si Kadri
Hazbiu.
Ndoshta
e gjen një aleat që të duhet, ta zemë, për shkencëtar, i cili, mes tjerash, ka
dhe ndonjë cilësi negative. Për shembull, është llapaqen, zevzek, frikacak,
thashethemexhi, intrigant, ose të gjitha bashkë këto. S'ke gabuar. Zgjedhja do
funksionojë. Shkencëtari i ardhshëm, pavarsisht se llapaqen apo imoral, do
kryejë punën. Nuk e zgjodhe për aleat në politikë. E zgjodhe për shkencëtar në
biznes.
Por
ta zgjedhësh për aleat në politikë me koshiencë të plotë një hajdut, është
krejt tjetër gjë. Është më terr e më tmerr se një oqean i derdhur, një planet i
përmbysur, një qiell i grisur.
Nga
pafundësia e cilësive të njerëzve të vlefshëm për t'i patur aleat në politikë,
për më tepër në prag zgjedhjesh parlamentare, ndër cilësitë karakteriale, e
vetmja absolutisht e papranueshme është
1 dhe vetëm 1, të qënët hajdut.
Po
qe hajdut, je të gjitha të zezat: tradhëtar, i pabesë, spiun, ngatërrestar, i
pabindur, i padisiplinuar, i pa edukuar, i pa qytetëruar, dhe të gjitha tmerret
e tjera që ka jeta dhe bota.
Aleat
dhe hajdut, duket si Kalë Troje në folenë e vet, në vatrën e vet, në shtëpinë e
vet, që vjen si dhuratë ditën, hap barkun natën, dalin djemtë e katundit,
therin vëllezërit e vet.
Turpi
i madh i aleatit hajdut është i thurur me mentalitet të qartë spiunllëku
diktatorial prej Sigurimi, të cilin e thirri Partia, i tha: Dëgjo këtu shoku
spiun. Atdhjeu në rrezik. Vodhe-çvodhe, të harruara. Na duhesh. Dil e bërtit me
sa të kesh në kokë dhe gishta në vesh, për të mirat që na vijnë nga shartimi i
thikës prapa shpinës me helmin në filxhanin e kafes. More vesh ? Mora, thuaj.
Ta
bësh, ta shpallësh, të shpenzosh, të mburresh, se ke bërë aleat një hajdut,
kjo, mor ta marrsha, s'ka asnjë bythë ku të rrijë, asnjë logjikë ta pranojë,
veshë ta dëgjojë, sy ta shohi, gjumë ta ëndërrojë, çmenduri ta fantazojë.
Megjithatë
po ndodh. Pa u ndalur për asnjë çast. Ditën për diell. Natën për hënë. Rrotull
mangallit. Mbi oturakun. Në mes të banakut.
I
lumtë zagarit që ja vuri syrin aleatit hajdut, duhet dekoruar. Të shpërblehet
banditi që e gjeti monstrën me shumë kokë. Vetëm njërën e ka të hajdutit. I
falet. Hajduti e fal hajdutin. Të tjerat i ka si ato që na duhen. Si të
Churchillit, De Golit, Makiavelit, Stalinit, Fidel Kastros, Kurvit, Mao Ce
Dunit, Ajatollahut, Trumpit.
Hajduti
aleat në fjalë s'është ndonjë shkencëtar me nam në fushën e viruseve që
prodhohen në laborator, vaksinave, apo mbjelljes së jetës në plantin Mars, që
të thuash se ja vlente edhe nëse jo fort i përshtatshëm. Një gagaç i djersitur
ështe. Asgjë tjetër.
Rrahin
ta paraqesin aleatin hajdut si denoncues, si dëshmitar. Pika që s'u bie. Turku
ndalonte me ligj daljen dëshmirë të mësuesave, pa le të hajdutave.
Të
shpresosh të fitosh zgjedhjet me ndihmën e një aleati hajdut - më kollaj
pushton Parisin me një çetë halabakësh me në krye Haxhi Qamilin.
Ta
bësh hajdutin star televiziv - krejt njëlloj sikur ta çosh Mandin e Nishtullës
në Eurovizion.
Të
vish në pushtet me hajdutin aleat - më kollaj ngre nga varri gjith të vdekurit
e Sharrës.
Mund
të fitosh me burra trima, idealista, patriotë. Ndonjëherë edhe me langaraqë dhe
frikacakë. Por kurrën e kurrës me hajduta. Më kollaj e bën gjelin të pjelli
vazë dhe e ndal rrotullimin e tokës, se të fitosh me hajduta.
Të
bësh aleatë dhe ti ngresh në piedestal hajdutat, është hiç më pak se hedhja në
plehra, flakja në kosh, shkelja me këmbë, braktisja përgjithmonë, përdhosja,
varrosja përfundimisht e parimeve më elementare të ekzistencës.
Me
kushte të caktuara, hajduti bëhet aleat i Drejtësisë. Por kurrë i Politikës apo
Medias. Nëse ndodh, kot llafosemi, lëshoi pè balonës, sa kohë globi do
rrotullohet, hajdutat do vjedhin.