Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Si qëmoti
E premte, 27.09.2024, 07:53 PM
Si
qëmoti
Nga
Edison Ypi
Udhëtimet
të bëhen vetëm me tren me qymur me lokomotivë të zezë që bën çuf-çuf duke
kaluar nëpër fusha, pyje, lugina, fshatra rrëzë kodrave.
Ka
s'ka udhëtarë në tren për të zbritur a në stacion për të hipur, treni të
ndalojë në çdo stacion.
Pamja
e stacionit kur treni s'ka ardhur ose ka ikur, është një boshllëk në shpirt,
një pikëllim marramendës estetik.
Më
të shijshmit e stacioneve janë ata ku në tren as hypën as zbret kush, ata ku
treni kur ndal qan, kur niset vajton.
Të
vetmet përshëndetje lamtumire që lejohen në stacionet e trenave janë ato me
psherëtima, shami që valavitet në erë, lot në sy.
Selfiet
të dënohen me rjepje lëkure, prerje e mishit me gërshërë, varje në litar, ose
pushkatim në vend, pa gjyq.
I
njëjti dënim për grykësat që dalin në foto të lumtur para pjatave të
sapozbrazura.
Romanet
të shkruhen me penë e bojë dhe të lexohen ulur në karrike pranë dritares me
vështrimin larg në horizont dhe një gotë verë në pravaz.
Nuk
është roman i mirë ai për të cilin ajo i thot atijz: “Të dua shumë”, por kur ai
i thot asaj: “Të dua më tepër se Leonardo Monalizën, Dante Beatricen”.
Kush
kapet duke e pritur të dashurën me kufje në vesh ose duke shkruar mesazhe në
celular, të dënohet 7 vjet burg pa të drejtë apelimi.
Autorët
që kërkojnë “forma të reja” të shkruari të shkohen në hell të gjallë.
Të
mos lejohet të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në
kinema rradha kaq, karrigia aq. Kush kapet duke parë film në kompjuter, të
shpallet budalla noterik dhe të dërgohet urgjent në çmendinë.
Përveç
avullit, korentit, barutit, synetllëkut, mullirit të kafes, mbathjeve të mëndafshta
të femrave, kush tenton të shpiki të tjera kollajllëqe që ngathtësojnë trupin
dhe mpijnë trurin, si për shembull kolltuqe të rehatëshme, dyshekë të butë,
jorganë të ngrohtë, të dënohet ta kalojë pjesën e mbetur të jetës prapa maleve
ku ta përshëndesi arusha "mirmëngjez".
Makina
të ndizet me manovelë. Ndenjëset të jenë të ngurta. Xhamat të ulen e të ngrihen
me një rrip. Motori të bëjë zhurmë sikur thyen arra. Makina të nxjerri pak tym
nga pas.
Lavatriçja
mund të vazhdojë të ekzistojë, por e thjeshtë, pa ndërlikime elektronike.
Frigoriferi,
ky dimër i panevojshëm, ky dreq që na sëmur gurrmazët, të lejohet të përdoret
vetëm si mjet eutanasik për ata që kanë kuriozitet të papërmbajtur për të parë
çfarë ndodh përtej murit në jetën tjetër.
Sharqinjtë
dhe shishet e kosit të freskohen duke i zbritur brenda një koshi me litar në
pusin që ndodhet enkas në oborr.
Ndalohet
përdorimi i ashensorit si shpikje djallëzore që favorizon ngathtësinë dhe
dhjamosjen.
Kondicioneri
i ajrit të shpallet dhe pushkatohet pa gjyq si “Armik i Shëndetit të Popullit”.
Asgjësimi
i kondicionerëve me çdo mjet dhe çdo mënyrë të shpallet detyrë patriotike.
Kush
shkatërron sa më tepër ventilatorë dhe kondicionerë t'i jepet titulli i nderit
"Mjek Autodidakt".
Kush
ha, qoftë edhe pa dijeninë e vet, ushqime të modifikuara genetikisht, dënohet
të mos hajë e të mos pijë për 60 ditë.
Pse
bëhet lufta, s'ka pse ta dijë ushtari që zhgërryhet në llogore, e di gjenerali
që luftën e ndjek nga maja e kodrës.
Ushtari
të lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës. Nëse të dashur nuk ka,
mund të mbajë fotografinë e nënës shoqëruar me vargjet lakrimogjene të
Eseninit.
Ushtarit
të plagosur të mos i lejohet të qurravitet pas çdo zuske, por vetëm të
dashurojë në mënyrë platonike infermieren që i lidh plagët.
Për
habere të ngutëshme të dërgohen dhe merren vetëm telegrame. Për komunikime të
gjata, të përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf që laget me
gjuhë, ngjitet me tutkall, adresë, pullë, kuti postare, heshtje, pritje, ankth,
derisa ta japi në dorë ose ta fusi poshtë derës një postier me biçikletë dhe
uniformë.
Mallkuar
qoftë dita kur do shpiken Interneti dhe celulari.
Bekuar
qoftë dita kur do harrohen.
Televizori
të mos përdoret për filma por vetëm për habere.
Filmi
të shihet në kinema rradha kaq karrikja aq.
Femër
e bukur të quhet vetëm ajo që plotson kushtin e Gina Lollobrigita-s:
“Femër
tërheqëse nuk është ajo që bëhet aq më joshëse sa më tepër çvishet, por ajo që
bëhet aq më e dashur sa më tepër vishet”.
Problemet
mes individëve, sidomos ato me përmbajtje sentimentale, nuk zgjidhen me llogje
Kavaje por me Duel me shpata ose kobure.
Televizioni
që ka më tepër personazhe të urryer dhe të famshëm sesa personazhe të dashur
dhe jo fort të njohur, të hidhet në plehra pasi të pështyhet me ceremoni.
Natën
porta mbyllet me një lloz të ndryshkur që sa herë lëviz kërcet me një gërrvimë
misterioze dhe makabre si në poezitë e Edgar Allan Poe.
Të
dënohet me jo më pak se dhjetë vite në burgun e Reçit cilindo që edhe nuk jeton
si qëmoti edhe ankohet se i këndojnë 200 zhaba brenda kokës, i rrjedhin qurrat,
e zë gripi, mezi i del kaka, i ther mesi, i bën naze rrushi.