Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Lavdi Qenit
E marte, 16.07.2024, 07:57 PM
Lavdi Qenit
Nga
Edison Ypi
Ku
të gjithë janë hajdutë, parazitë, intrigantë, gënjeshtarë, dallaverexhinj,
thashethemexhinj, po vazhdove të jesh Njeri, pisk e ke, nuk çan dot, ke
falimentuar, davanë e ke humbur.
Qeni
është zgjidhja.
Bëhu
qen të shpëtosh.
Tigër,
luan, elefant, Iriq, gjarpër, shqarth, kunadhe, gaforre, mi', merimangë, zhabë,
lakuriq nate, hienë, çakall. E ke vet në dorë. Por më mirë qen.
S'ka
si qen. S'ka të paguar qënia qen.
Qen
gjahu, për shembull, apo zagar, s'ësht keq. E vret tjetrin me çifte ose teke.
Ti si zagar s'mban asnjë përgjegjësi, kështu apo ashtu, këtu apo këtje, ishte a
s'ishte sezoni i gjahut. Ty ligji s'të kap. Ti vetëm sa shkon e merr atë atje
dhe ja sjell tjetrit të vrarë këtu.
Qen
kazanash s'ke nevojë të bëhesh. Qen coftinash kahone ke qen.
Turiqen,
pakrahasimisht më me leverdi se turiderr, turiskile, turiskuth, turimi, dhe çdo
turi tjetër i lavdishëm i kësaj kategorie, bëhesh kollaj. S'ka kosto shtesë.
Veç qef të kesh.
Qen
rrace, s'ke ç'e do, kushton, më mirë qen dosido.
Qen
leshator, ose qen leshko, ose qen gëzof, pra qen si shumica e qenve që
dallaveret i bëjnë pa rënë në sy brenda guackës së vet. Po. Bëhu. Nuk do
pendohesh. Është zgjidhje qenërore inteligjente për jetë qeni pa telashe.
Qen
Kone, si te tregimi i Çehovit "Zonja me Kone", ku ma gjen. Është qeni
i duhur. Ke qëlluar në shenjë. Përveç avantazheve që krehjen do ta bëjë, morrat
do t'i heqi, kokën do të ta lajë, në banjë do të çojë, vetë Zonja, do jesh një
nga qentë e rrallë të famshëm përmes Letërsisë. Më mirë qen pas ndonjë Zonje që
të ndjek nga pas me rrip ose zinxhir, se oreçast pas ndonjë shefi që ta shpif.
Qen
sëre. Nëse s'ke turp, ku ma gjen. Ha e pi e dhjamesh me mbeturinat e sofrave,
ahengjeve, sebepeve, qokave të parellinjve.
Qen
bastard, qen që ngopet me thërrimet e të parëve, është qen me goxha leverdi, që
lavdi të vetën s'ka, por bën qindin me rrena dhe intriga të trasha që të bëjnë
për të vjellë. S'ke ç'e do.
Qen
roje. Nuk ke ndonjë leverdi kushedi se çë, por mund të vazhdosh gjatë, edhe
deri në vdekje nëse je aq pleh.
Qen
stani është goxha titull. Veç ruaju nga Diabeti. Dhe stanin mos e lër tërë
kohës me lepuj. Bëje ndonjëherë edhe me dele.
Qen
që vetëm leh, nuk ka nevojë të bëhesh, je.
Qen
që vetëm kafshon, ësht nëpunës në Hipotekë. Bëhu po ta mbajti revolucionarja.
Qen
që as leh as kafshon, nuk të leverdis, është ëndërrtar, qëndrestar, mitingash.
Qen
që edhe leh edhe kafshon, s'ësht qen, ësht deputet.
Qen
i punës mund të bëhen të gjithë. S'ke leverdi. Ndërro preferencë.
Qen
i lekut është nga qentë më të lavdishëm. Po u bëre, Xhehenetin e sigurove.
LlapaQen,
njohuritë fillestare i ke, i rrethuar me të tillë je, bëhu ekspert, bëhu
virtuoz, mësoje llapaqenërinë deri në skutat më të humbura. Është më
frutdhënësi, më produktivi, më i leverdisëshmi. Dhe ka një të mirë. Është
badihava, dhe gjithmonë në modë.
Qen
besnik mos u bë. Zoti të ruajt po u bëre. Nuk do livadhisësh më. Nuk do jesh më
i lirë.
Qen
blu, është më i qelbët se qen i kuq.
Qen
i kuq, është më i pranueshëm se qen i zi.
Ku
se njeh qeni të zonë, pra vendi ku qeni dhe i zoti janë bërë si këmbët e dhisë
në siklet kur është ngjitur mbi një ferrë, është vendi ku dole nga e satëme. Po
u bëre qen në këtë vend, ke arritur suksesin më të madh, ke kapur zenitin e
qënërisë. Prej atij momenti shprehja "Lavdi Zotit" do dali nga
përdorimi, do hidhet tutje si rraqe, do zëvendësohet me "Lavdi
Qenit".
Qenbirqeni,
s'ësht i lavdishëm, megjithatë mendoje një herë edhe këtë lloj qeni nëse je
bestyt i trashëgimisë.
Nëse
secili zgjedh të jetë qeni që i përshtatet, me këtë rast zgjidhet dhe problemi
i ikjes. Qentë infermiera, doktora, agronoma, inxhiniera, siç më tha njëri në
kafene, Gjermania nuk i pranon.
Bëj
çmos ta ndjekin dhe të tjerë shembullin tënd për qenin që i dhe të ngjan.
Derisa të bëhemi tejpërtej Qentore, Qenhane, Qënëri.
Bëhu
qen sa më shpejt.