Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kurvi im
E premte, 13.09.2024, 06:56 PM
Kurvi
im
Nga
Edison Ypi
Të
gjithë kishin nga një kurv që i
spiunonte. Mos të lëntë Perëndia pa kurv -
thoshin fshehtas me qesëndi. Por askush nuk e dinte cili, nga mizëria e
kurvëve, ishte kurvi i tij. As unë nuk e dija. Ishte me zarar ta hamndësoje.
Mund t'i bije dikujt më qafë kot, dhe futeshe në mëkat, ose gjeje belanë.
Ndërkohë, i vetmi kurv që njihej ishte kurvi i madh, kryekurvi, apo kurvi i
kurvëve. Por ai ishte i zënë me marksizëm-leninizmin ngadhnjimtar. Për punët e
vogla, kishte kurvët e vegjël.
Një
nga rregullat pa asnjë përjashtim të asaj kohe, ishte se të arrestonin, pastaj,
çfarë kishe bërë, e si, e qysh, e tek, e shkruanin vet, pa të pyetur aspak. Mos
me ja hëngër hakun, këtë rregull e zbatonin për çdo rast dhe me sa më tepër
përpikmëri, së pari, brenda vetes, për viktimat e luftës brenda llojit. Pastaj
për fatkeqët me probleme në biografi, kalvari i vuajtjeve të të cilëve kishte
vetëm fillim, kurrë fund. Mes mijëra e mijërave, një nga këta, vuajtjet e të
cilëve fillonin që në lindje dhe s'mbaronin kurrë isha, fatkeqsisht, unë.
Fillimi
i viteve '80. Un dhe Hasia, nëna ime, në Tiranë. Vëllai me punë në Burrel.
Unë
veja në punë, lexoja libra, dëgjoja muzikë. Kur një ditë na vjen haberi se
vëllain e kishin arrestuar.
Në
ato vite, të dëgjoje të arrestohej dikush, përtej keqardhjes, nuk ishte çudi.
Të qaje apo të dënesje, s'bëhej fjalë. Të rrasnin brenda për "keqardhje
për armikun".
Larguam
nga shtëpia gjëra që i hamndësuam si kompromentuese, sa mbaj ment, nga babai i
vdekur, ca revista dhe ca libra nga koha e Shkollës Teknike Harry T. Fultz. Dhe
pritëm ça do na ndodhte.
Në
një nga këto ditë pritjeje nga fillimi i vitit 1981, mamaja, Hasia, erdhi më
zgjoi që në 5 të mëngjezit. Me lot më sy, por edhe e përmbajtur, më tha të
bëheshim gati për internim sepse prej gjysëm ore një Skodë e zhurmëshme po pret
te shkallët.
Skoda
nuk kishte qënë për mua dhe mamanë time. Skoda mori për internim familjen e
Azemit të katit të parë. Djali i tij qe arratisur nga Kuksi.
Kaluan
edhe ca ditë. Kur troket dera. Dal unë. Trokitësi nuk hyn brenda. Me ca
përdredhje këmbë e duar, më bën të ditur se të nesërmen duhet të shkoj te Dega
e Brendëshme.
-Te
Ekspozita Kineze ? e pyeta.
U
vrënjt.
-Jo
te Ekspozita Kineze, tha, por te Ekspozita Shqipëria Sot.
Të
nesërmen vajta ku më tha.
Një
surratbaltë, me gjasa kurvi im, pasi më la të pres pak, nxorri një letër. Këtu,
tha kurvi im, është gjithçka që ju armiqtë, ti, vëllai, yt, dhe një miku juaj,
jeni llafosur për tu arratisur në vitin 1972. Nuk ma dha ta lexoj. E lexoi vetë
pa luajtur vendit. Tha diçka të tillë: Ju të tre keni lexuar dhe komentuar
romanin "Njeriu që qesh", dhe keni bërë plane për tu arratisur. Ata
të dy i kemi arrestuar. Ti ke vazhduar shkollën. Ndoshta edhe ti ke dashur të
arratisesh, por je penduar. Vër një firmë këtu, tha, duke vënë gishtin te pjesa
e bardhë në fund të letrës.
Çfarë
dëgjova nga surratbalta ishin të vërteta. Romani i Hygoit as sot nuk e di ça
lidhje kishte. Biseda për arratisje po. Por ishte vetëm dëshirë, pa asnjë
veprim konkret.
S'ishte
vendi për heroizma si të Gjergj Elez Alisë apo Mujit e Halilit. As rasti për të
më varur kokposhtë për këmbësh në tavan si gestapoja pionierin duke më hedhur
kova uji që të mos vdisja pra se të tregoja ku e kisha pusullen që sapo e
gëlltita.
Rolin
e budallait e kam luajtur me sukses, por budalla nuk jam. Për të mijtën e
sekondës ja lexova menien kurvit tim. Nuhata, dhe nuk gabova. Si masë ndëshkimore
të mjaftueshme kishin vendosur të mbanin në burg ata të dy.
Pa
mu dridhur qerpiku, vura firmën ku më tha kurvi im.
Nuk
na internuan. As kontroll në shtëpi nuk na bënë. Ndoshta ngaqë komuniteti nuk
na njihte për problematikë, pijanecë, të pasjellshëm, rrugeçër etj.
Unë
dhe mamaja vazhduam të gdhiheshim e të ngryseshim kryesisht duke lexuar a duke
u llafosur me ndonjë mysafir të rrallë. Shkruanim dhe letra me kunja
interesantë, që thyen barrierat, mposhtëm vigjilencën e rojave që coptonin
byrekët për me pa mos kishim futur mes petëve thika ose kubure.
Kaluan
vite.
S'lashë
bodrum pa uluritur, kurv pa tallur, shkrimtar e poet pa pëqeshur, dromca nga të
dërguarve të RAI-t nga Moska, Varshava, Vjena, Londra, pa ua përcjellë
ishullarëve nëpër bodrume ose dhoma me dritare të zëna me batanije. Për dijeni,
termin "Disident" jam i pari që e kam përhap. Mund të verifikohet.
Janë gjallë ata që më dëgjonin duke u dridhur.
Nga
90 e tëhu, s'lashë miting të Partisë Demokratike pa vajtur. Unë, familja ime,
fisi im, shoqëria ime, e votuam, e ndihmuam, e propaganduam Partinë Demokratike
pa i kërkuar absolutisht asgjë. Unë, për shembull, sot e kësaj dite nuk i kam
trokitur kurrë asnjë partie për asgjë.
I
fiksuar mbas mitingjeve, një herë, mendja seç më tha, këmbët seç më çuan, drejt
e te mitingu i komunistave te Pallati i Sportit te Zogu Zi. Unë kuriozi i
pashërueshëm vajta ti dëgjoja ç'thoshin rrezikzinjtë. Me thën të drejtën u
zbavita goxha me komunistat. Sidomos kur uluritën: Prej bronxi e kishte
(shtatoren), prej floriri do ja ngremë.
Mirpo
dikush nga pas më njohu. Desh më rrahën. Shpëtova paq.
Qyteti
Studenti. Kurrizi i dikujt me zë të ngjirur me xhaketë igeliti që sot s'shifen
me sy, ndërsa asokohe ishte luks për jevgjit.
-Kush
ësht ky ?
-Azem
Hajdari, më thotë miku që kisha pranë, dhe shton, duhen këta për këto punë.
-Po
kur të mos duhet më, si i bëhet ? i them.
Në
sheshin Omonia dhe nëpër tragete kur ikja e vija në Itali, kam hëngër grushta
dhe shkelma duke mbrojtur me zjarr Doktorin dhe Partinë Demokratike.
Kaluan
të tjera vite.
Pas
shembjes historike, që s'do vinte kurrë prej halabakëve dhe spiunave që
grumbulloi rreth vetes Partia Demomratike, por vetëm prej viktimave të tyre,
prita më tepër se 10 vjet të nisja të shkruaja. Prita gjatë sepse në
perceptimin tim e shkruara ishte gjëja më serioze që ekziston. As sot e kësaj
dite, nuk jam i sigurtë nëse di të shkruaj. Gjithsesi fillova. Ama, me krenari
e them, sot e kam një bilanc. Një numur shkrimesh janë bërë viralë. Për të mos
folur për disa prej tyre që s'ka mbetur shqiptar që di shkrim e këndim pa i
lexuar.
Gjatë
viteve, mes tjerash shkruajta me superlativa për Partinë Demokratike,
veçanërisht për lartësimin e Doktorit. Dhe do kisha vazhduar po të mos më
kujtohej një ditë se Partia Demokratike ka 12 vite që s'vjen dot në pushtet,
çka i spjegon të gjitha, llafet janë të tepërta.
Diçka
që gjatë asaj kohe më rrënqethte; kur thoshin filani fisteku ministër apo
deputet i mirë sepse "lexon libra".
Nga
'90 e tëhu, mesatarisht çdo 10 vjet, kam ndjerë një si hije që duket e zhduket,
ikën e vjen, rreth një mëkati që kam bërë. Kam dashur ta di. Kam pritur ndonjë
rast, dikend që të sjelli, jo muhabete, por një provë, një pohim, një
argumentim serioz, se çfarë është kjo hije që më ndjek nga pas.
Këto
ditë hija u çfaq. Jo kurvi im. Ndoshta as kurvi i kurvit tim. Një tjetër. Nuk
po ja përmend emrin përderisa nuk e ndjej si kurvin tim. Më nisi një imazh, një
copë imazhi, nga viti i largët '81, ku lexohet një rrëmujë fjalësh:
Burhani
apo Eduardi gjatë kohës që njëri pijanec i dhën ishin pa punë. Për kë nuk më ka
dëgjuar Proces Verbalin e nënshkruaj:----- Kallzimtari (Edison Ypi)
"Kallzimtari"
që nuk kallzoi asgjë më habit, dhe më bën për të qeshur. Nuk ishte. Kurvi im e
ka shtuar më vonë. Nuk e kam parë apo dëgjuar kurrë më parë këtë cilësim. Duket
si nelogjizëm i shpikur enkas për mua dhe kurvin tim. Kam dëgjuar për denoncuesi,
bashkëpuntori, kallzuesi, por Kallzimtari kurrë. Ka një zgjatje, një zvargie,
një javashllëk prej shkretëtire. Tingëllon si nga 1001 Netët. Pa Sheherazade
kallzimtare.
Fjalët
e pështira të kurvit tim surratbaltë që vetë i shkroi vetë i lexoi, më kthyen
te atmosfera e oborrit të Partisë Demokratike brenda një çadre të stërmadhe
plot me spiuna sigurimista që mbaheshin për shpëtimtarë, hajdutë që hiqeshin të
ndershëm, trafikantë, klientelistë, nepotistë, komunista të ndyrë. Dhe plot
fëlliqsirë të tjera nga ata që Partisë Demokratike dhe Doktorit u vijnë rrotull
si hienat coftinës, të cilëve u them: Shporruni kërrma. S'ngjaj me ju. Nga
tjetër vend vij, për tjetërkund fluturoj.