Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Mbretëresha e Tekstit Alice Taylor
E enjte, 13.06.2024, 07:55 PM
Mbretëresha e Tekstit Alice Taylor
Nga
Edison Ypi
Alice
Taylor është Mbretëreshë e Tekstit falë disa cilësive themelore që e dallojnë
prej të tjerëve që ushtrojnë zanatin e të shkruarit.
Për
reporterët e zakonshëm, një "shtëpi e braktisur" është një ngrehinë e
zbrazur me dyer e dritare të shkulura, suva' të rënë, tjegulla të vjedhura,
mure gati për tu rrëxuar, oborr i shkretë, gardh i shkatërruar, ferra
gjithandej.
Për
Alicen, që shtëpinë e braktisur e kqyr me vëmendje të shtuar si vepër Arti,
pamja është krejt tjetër, shtëpia e braktisur ka qënë një kreaturë e gjallë të
cilës ja kanë fikur zjarrin, shembur oxhakun, thithur gjakun, nxjerrë shpirtin,
kthyer në kufomë, e megjithatë vuan, rënkon, madje dhe shpreson, që një ditë do
ngjallet, ndizet, ndritet.
Për
të tjerët, ku mbaron asfalti, mbaron dhe udhëtimi.
Për
Mbretëreshën Alicen, ku asfalti mbaron, udhëtimi fillon.
Sa
i përket kafeneve dhe restorantave, aq të dashura për mediokrit e tekstit dhe
të papërgjegjshmit e profesionit, Alice nuk u jep ndonjë rëndësi. Për Alicen,
kafeneja restoranti, pijetorja,
qebaptorja, kuzhina, magazina, sofra, ndodhen brenda supermarketit më të madh
dhe gratis që ekziston, brenda Pyllit. Ku Alice futet me kënaqësi që të
humbasë, dhe ta gjejë Policia pa ndjenja, çka, deri tani, falë Zotit, nuk ka
ndodhur.
Qefi
i Mbretëreshës Alice është të shkojë, të arratiset, të aventurohet, kahmos, sa
më larg, sa më thellë, sa më ngatrrushëm. Veçanërisht ku ka gurë, drurë,
shkurre, shkëmbinj të thepisur, burime, ujvara, përrenj, ku kollajllëqet urbane
janë inekzistente, ku Alice të ngjitet në vende sa më të rrezikshme, sa më të
vështira, ku sedentarëve nuk u vete as mendja, ku shqarthi arrin, delja
s'mundet, dhia mezi kacavirret.
Të
tjerët, reportazhet i shkruajnë çfarë u sheh syri. Pra duke vënë në punë vetëm
1 shqisë, shikimin. Edhe atë, me përtesa, me mungesa, me ngadalësira, pa
energji, pa vullnet, pa frymëzim, çka reportazhin e tyre për ibret e bën të
rrjedhë ngadalë si një përrua me llum.
Reportazhet
e Alices janë piktura, gravura, tablora, janë kryevepra Arti, që Alice i
shkruan me shikim, dëgjim, nuhatje, prekje, pra me disa shqisa njëkohësisht.
Por edhe me gjymtyrë, këmbë e duar, që i duhen për tu çvendosur në terrene të
vështira. Me siguri edhe me shqisa të tjera që Alice i ka, ndërsa ne
vdekëtarëve të zakonshëm na mungojnë.
Për
të përcaktuar distancën, të papërgjegjshmit thonë filan vend ndodhet kaq e aq
kilometra larg, aq e kaq orë apo minuta.
Alicja
gjeniale kurrë nuk shprehet në mënyrë analoge, monotone, lineare,
proporcionale. Alice, për ta evituar monotoninë, gjithmonë gjen një metaforë.
Për shëmbull, Alice, nuk thotë "Kepi i Rodonit me Tiranën janë afër",
por "Kepi i Rodonit nga Tirana është një hedhje guri". Afër apo larg,
e lë ta nuhasi vetë lexuesi, po mundi.
Për
reporterët e zakonshëm, udhëtarët anës udhës, bujq, çobenë, apo thjesht
hallexhinj që venë diku për ndonjë hall apo sebep, janë ca injoranta me të
cilët s'ja vlen të shpenzosh asnjë minutë.
Për
Alicen e ndjeshme dhe të dedikuar, për shërbëtoren e përunjur të tekstit të
përsosur, udhëtarët anës udhës janë të gjithë thesarë me perla dhe xhevahire.
Për Alicen, udhëtari anës udhës, sa më i ngrysur, sa më i heshtur, sa më i
rreshkur, sa më i kërrusur, aq më i vlefshëm është.
Ta
shohësh një shkrues të çfardoshëm teksti kur ndodhet diku për të shkruar diçka,
është zbavitje që s'ka të paguar. Po sheh estradë falas. Bën sikur i janë
mbytur vaporrët. Hiqet si i lodhur nga padrejtësitë që i janë bërë, domethënë
nga pjatat dhe tasat që sapo ka zbrazur. Nuk i thua dot gjysëm fjale se ta
kthen me helm, me zemërim.
Ta
shohësh Mbretëreshën Alice në punë e sipër, duke u llafosur me njerëz apo duke
hulumtuar diçka, totalisht e përqëndruar, krejt në ekstazë, në jerm, në trans,
nga mahnitja, për çudirat e jetës, larushinë e njerëzisë.
Ata
shkruajnë mbi celulara, tableta, laptopa.
Mbretëreshës
së Tekstit nuk i duhen të tilla. Alice Taylor është një video-audio-camera non
stop "ON" prej mishi dhe gjaku. Alice e regjistron gjithçka në tru.
Meqë ra fjala te truri, sa duket, Alice nuk ka 1, ka disa.
Për
të tjerët, reportazhi duhet të jetë sa më i gjatë, demek i plotë, dhe sa më i
ngatërruar, gjoja i vështirë.
Për
Alicen, reportazhi duhet të jetë sa më i shkurtër aq më i plotë, sa më i
thjeshtë aq më i shijshëm.
Kur
reporterët tanë janë kthyer nga ndonjë vend ku pasi bënë një kronikë mbushën
plëncin me mishra dhe sallatra, i pyet: Hë mo, ku ishe, çfarë bëre ? të
përgjigjen: Isha në Wonderland, bëra një kryevepër.
Nëse
Alices së Wonderlandit i bën të njëjtën pyetje në të njëjtat rrethana, Alicja
të përgjigjet; Takova njerëz. Njoha vende. Bëra punën. Ushtrova profesionin.
Duke
"bërë punën dhe ushtruar profesionin" Alice bën reportazhe fantastike
kudo: Edhe lart në Qiell, edhe brenda në ujë, dru, gur, tullë, zall, metal.
Mjerë
ata që Mbretëreshën e Tekstit s'e njohin.
Altruistja
që refuzon dhe përbuz të marri më tepër se jep, di shqip.
Por
ka problem me shqiptimin e fjalës "Zgjedhje". I falet. Ajo mezi e
shqipton. Ne mezi i bëjmë.