Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ndërmarrja
E diele, 08.09.2024, 05:55 PM
Ndërmarrja
Nga
Edison Ypi
Ndërmarrja
prodhonte "Lesht e Currit", artikull ky me vlerë të pallogaritëshme
për çarjen e bllokadës imperialisto revizioniste.
Puntori
i ndërmarrjes ku prodhohej Lesht e Hamamit ishte një rreckaman pisanjos që
bënte sikur punonte, hiqej si i lumtur, fliste nëpër mbledhje, shkonte nëpër
mitingje, parakalime.
Drejtori
i ndërmarrjes ishte një pijanec dinak dhe llafazan me zell të papërmbajtur
partiak për të cilin spiunët që i rrinin rrotull thoshin me krenari;
"është bollshevik".
Për
të ruajtur hierarkinë e fëlliqësisë, kryeinxhinieri ishte më pak partiak se
drejtori. Kryeinxhinieri ishte dikush që cilësohej "i ri me
perspektivë". Një çun oficeri a me lidhje familjare ose farefisnore me
Sigurimin i shenjuar nga partia si "i besuar", pra që pas pak do
merrte stafetën.
Shefi
i kuadrit e kishte zyrën të siguruar me shufra hekuri si të kopështit
zoologjik. Ky ishte një sigurimist çehrevrërët që mbante shënime për të gjithë
dhe për gjithçka.
Shefi
i planit, shefi i financës, shefi i furnizimit, dhe një lukuni shefash të tjerë
ishin një gërrditje e ndyrë përtej aftësisë time deskriptuese.
Sekretari
i partisë ishte një hajvan i emëruar me marifet nga drejtori për t'i mundësuar
drejtorit hapësirë të shtuar manovrimi.
Të
dalloje spiunët institucionalë nga spiunët vullnetarë që ishin më të zellshimit
dhe më të rrezikshmit, ishte stërmundim i papërfytyrueshëm.
Mbledhja
e organizatës së partisë, çerdhe
halabakësh që vendoste në mungesë fatet e secilit.
Mbledhja
e kolektivit ishte një delir verbal brenda një llumnaje shoqërore, ku të
njëjtët zagarë thoshin të njëjtat marrëzira për të njëjtat "suksese"
dhe "objektiva" imagjinare.
Ndërmarrja
kishte një mencë të neveritëshme me qen e mace nën tavolina.
Në
mencë shërbehej "kafe" prej gjethe çikore ose plepi që shumica e
rrufisnin me murin përballë.
Në
mencë mund të haje supë. Supa ishte një koleksion lëtyrash dhe lëkurash që
vinin me bidona nga "1984" e Orwellit.
Për
këndin e emulacionit kujdesej një spiun.
Sloganet
mbi mure i shkruante një koleg i tij.
Zërin
e Popullit e lexonte çdo mëngjëz i njëjti surratbaltë.
Pjesë
nga "veprat" e kurvit i llomotiste një turiqen.
Orën
e edukimit politik e drejtonte një rruspie.
Të
dashuroheshe dhe të martoheshe me një lopë, të shpallnin "çun flori"
që vlerëson thellësinë dhe jo sipëfaqen mashtruese.
Sa
më pak të punoje, sa më i pisët të ishe, aq më puntor të shpallnin.
Po
të kishe ndonjë "cen" sado të vogël në biografi, ishe një i vdekur i
pakallur që duhej të falenderoje në fshehtësi Zotin që ende merrje frymë.
Në
prag të festave tre a katër puntorë të ndërmarrjes zhdukeshin. Vonë mora vesh
se ditzinjtë leckamanë i internonin ngaqë konsideroheshin "kontigjent
krimi" që hipotetikisht mund të prishnin festën.
Dy
vdiqën nga uria.
I
pari ishte një i vetmuar që jetonte në një barrakë rrëzë përroit në kinostudio.
Thuhej se kishte qënë i togës së pushkatimit. U gjet dy ditë pasi kishte
vdekur, mbledhur krruspull me barkun bosh dhe zorrët e thara.
Tjetrit,
që kishte mbaruar Shkollën Teknike të Fultz-it, j'a gjetën kufomën mbuluar me
miza pas tre ditësh brenda një barrake tek "Kroi i Fokës", ku nis
ngjitja për në Krujë.
Në
ndërmarrje mund të bëje sa të doje punë private. Të ndreqje biçikletën, për
shembull, ishte më se normale.
Nëse
dikujt i duhej ndonjë gjë dhe nuk e gjente dot, nuk mërzitej. Një ditë do dilte
me siguri një mik që do t'i thoshte; Ta sjell unë, "kam te puna".
Me
kusht të arrije ta ndaje ndërmarrjen në copa të vogla sa i nxinte trasta, në
ndërmarrje mund të vidhje gjithçka, edhe krejt ndërmarrjen.
Në
ndërmarrje kishte edhe njerëz me të cilët mund të flisje për çfarë të doje.
Me
Ëngjëll Kodhelin, për shembull, mund të flisje për kanconeta dhe për filmin e
natës së shkuar tek "Cinema di Notte".
Pyete
shqiptarin e sotëm; Si ishte ndërmarrja ? Po nisi të tregojë episode gazmore me
shef kuadri, drejtor, kryeinxhinier, brigadier, e ke gjetur atë që të ka
spiunuar, ndyrësirën që ta ka nxirë jetën.
Surretër
të shtrembëruar nga pangrënia, veshur si mos o Zot, me "bukë me vete"
nën sqetull mbështjellë me gazetë, turma mëngjezore e puntorëve shkonte me
dredha drejt portës së ndërmarrjes si rrëkeja e shurrës drejt përroit të pisët.