Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Qyteti Pastërma
E enjte, 18.07.2024, 07:59 PM
Qyteti Pastërma
Nga
Edison Ypi
Roma
"Qytet i përjetshëm", Londra "Qytet i lagur", Praga
"Qytet që këndon", Mitrovica "Qytet i therur", Leskoviku
"Qytet i vdekur", e kështu me rradhë ka "Qytet që vallzon",
"Qytet që qan", "Qytet i plagosur", "Qytet i
vrarë", etj etj.
Berati
nuk ngjan me asgjë. Berati është "Qytet Pastërma".
Shqotat
e Historisë, rrebeshet e kohës, pushtimet, mbijetesa, i nxehti i beharit, i
ftohti i dimrit, shirat e vjeshtës, erërat e luginës, ishin zjarri i ngadaltë
që Beratit i hoqi tepricat, kërrcet, dejet, dhjamrat, Beratin e thau, Berati
mbeti kock e palcë, me Kala guri, shtëpi mbi shkëmb, rrugica me kalldrëm, mish
pa dhjamra, qytet i shijshëm, Qytet Pastërma.
Berati
ndodhet ku lumi, pasi merr një kthesë të fortë si Wagner i vrënjtur, del në
fushë Paganin i krisur.
Te
ajo kthesë dhe ai brryl, Eteri apo Ethiri, krijon shtjella, që janë shkaku që
në Berat buçet jeta: turbullohen mendjet, çakërdisen interesat, therin
njëritjetrin, shkruajnë libra, llafosen sikur kanë ngrënë bythë turtulli, bëjnë
karrierë, pasurohen.
Kur
nisesh për Berat, sakën se merr buk me vete, libra, vargje përmendësh, plagë të
pashëruara, ëndërra të thyera, nostalgjira lotnsjellëse, kujtime të vdekura. I
gjen të gjitha në Berat. Ku Zoti nuk i besoi askujt. E bëri çdo gjë vet: Të
natyrshëme si mali përballë, si retë në qiell, si lumi që i rrjedh te këmbët e
Beratit duke e bërë aq mahnitës sa askënd nuk e lë indiferent.
Cili
ishe, cili je, cili do jesh ? Këto nuk i gjen dot vet. Berati do t'i thotë në
vesh.
Berati
i thatë si pastërma, nuk ka asgjë madhështore, kolosale, ngadhnjimtare,
heroike, triumfuese. Berati nuk ka fituar luftra, nuk ka bërë kryengritje, nuk
ka kryevepra nëpër mure ekspozitash, nuk ka muzeume me statuja të gdhendura nga
mjeshtra, nuk ka ndërtime gjigande, autostrada, ura tunele. Banorët e Beratit nuk kanë qënë
shkencëtarë me famë, shpikësa të dëgjuar, artistë me nam. Berati të tillë s'ka,
të tillë nuk i duhen. Beratit i mjafton pastërmaja. Berati ka njerëz që shohin
punën e vet, mbajnë shtëpinë e vet, mbarsin gruan e vet. Berati është një
mbijetues gjenial.
Kur
i afrohesh nga Lushnja, Beratin sapo e sheh, ndjen si të rreh zemra, të merren
mentë, të djersitet balli, të vjen rrotull bota. Sapo e prek, ngjitesh në
qiell, rrëshket në ekstazë, bie në jerm, mbështillesh me ëndërr.
Sado
pak, sado shkurt, edhe vetëm gjatë një rrahje zemre, ose vetëm një mbushje
mushkërie, po preke Beratin, ke prekur Historinë. Je sëmurur pashërim me
Mangalem, Kala, Goricë, Tomorr, Shpirag, Myzeqe.
Pa
teprica, pa dëngla, pa mbeturina, pa dhjamra, pa yndyrna, Berati është vend
ideal shërimi për ata që u dhemb koka, nuk i zë gjumi, janë me diabet, nuk u
mbushet si duhet mushkria, nuk u pompon si duhet zemra.
Berati
është fryt i një mardhënie milenare mes njeriut që i jep gurit jetë, dhe gurit
që e bën njeriun kalldrëm.
Duke
j'u afruar Beratit, i largohesh banalitetit, hidhesh përtej murit, ndodhesh
jashtë të këtushmes dhe të tashmes.
Oratorët
që i flasin kallaballëkut në Berat, sidomos në muzg, pas dhjetë minutash u
zmadhohen sytë, zverdhen në surrat, bien në delir, ndodh vetëm në Berat.
Në
Berat çdo mur është një pergamenë e shkruar me kod, kodin e mori një prift e
hodhi në Osum. Çdo gur kalaje është një vrasje pas shpine. Çdo gur kalldrëmi
është një dramë. Çdo sokak një çmendinë. Çdo dritare një tragjedi. Çdo djalë
një Romeo. Çdo vajzë një Xhulietë.
Berati
nuk ka asgjë të re. Në Berat gjithçka është e vjetër, e ndryshkur, e shtrembër,
me një këmbë në varr, gati për të vdekur. Diçka e re në Berat është e pamundur
si një beb i vjetër i sapolindur.
Vjetërsia
është e vetmja gjë që Berati nuk e negocion. Kurrë. Në asnjë rrethanë. Për
asnjë çmim. As kur i vërsulen pesqint vampirë ta trembin, dyqind djaj ta
rrahin, treqint ujq ta kafshojnë, njëqint kuçedra ta shqyejnë.
Berat
nuk është i bukur. Berati është i fundbotshëm. Berati është magji, fantazi,
përrallë.
Kala,
lumë, ullinj, qershi, beratas që llafosen shumë, janë libri që të përpin, filmi
që të marros, magjia që të shëron, pastërmaja që Berati ofron.
Berati
është kokrriza e rërës që vuajti miliona vjet brenda guackës, derisa u bë
perlë, pastaj pastërma