Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Anës Udhës
E marte, 28.05.2024, 07:58 PM
Anës Udhës
Nga
Edison Ypi
Po
udhëton diku. Jo në Sauk, Ndroq, Pezë, Tapizë. Këto janë afër o të shpëlaftë
mortja që gjithmonë të vete mendja te gjëra të kollajta.
Larg
o larg: Theth, Pukë, Devoll, Zavalinë, Gramsh, Skrapar, Leskovik, Këlcyrë.
Kur
befas, përballë anës udhës, sheh dikend.
Mos
e paragjyko kurrsesi. Njerzit anës udhës janë të gjithë leonarda, shekspira,
hamleta, makbetha, krishta, muhameta, buda, konfuca.
Burrë,
grua, nëpunës, puntor, klerik, ushtarak: njerzit anës udhës janë aq të
mrekullueshëm sa e meritojnë tu shërbesh si skllav.
Hallexheshë
me shkarpa në kurriz ku ma gjen.
Gjyshe
duke tëhollur lesh me furkë, është flori.
Çoban
me nagaçe në brez, bujk me shat në sup ose drapër në brez, nuk kanë të paguar.
Mos
refuzo asnjë nga Shenjtorët që të dalin befas anës udhës. Janë secili një
thesar.
Bindju
Mbretit të udhës. Ngulja sytë që larg Fatit që befas tu faneps. Hidhja rrezen e
vështrimit si kubojsat lakun e litarit kalit të hazdisur. Mblidhja ngadalë
litarin rrotull qafës. Kur të jetë afruar, ndale makinën. Shtrëngoja edhe një
herë për siguri lakun e kaubojsit.
Tani
s'ka ku ikën.
Mos
e fik motorrin.
Mos
e përshëndet.
Sakën
se e pyet a je mirë, si i ke nga shtëpia, çiliminjtë mirë, nënë e babë mirë,
dhe të tjera hipokrizira. S'je Doktor, je udhëtar.
Muhabetin
me Shenjtorin nise me një rrebesh fjalësh. Bërtiti sa më fort, por pa të keq.
-Më
kan thënë, thuaji, se në këtë katund ka thesare të fshehur nën tokë në sepete
me flori dhe bizhuteri si te Konti i Montekristos. E kam me vete
metal-detektorin. Bashkë do gërmojmë, bashkë do i ndajmë verdhushkat. Gjysmat
ti, gjysmat unë. Ç'të mbetet, për budallenjtë.
Ose
pyete:
-Hë
mo, ç'thonë krimet brenda familjes ? A po e therni dhe shkoni në hell
njëritjetrin ?
Mos
e lër pa e pyetur edhe për ndonjë rast etimologjie folklorike si ky:
-Pse
fjala angleze "Dick" rrjedh nga fjala shqipe "Rrush" ?
Dhe
të tjera si këto, ça të vijë në mendje.
Ska
rëndësi se prej të bërtiturave të tua tjetrin do e zënë drithmat, do qajë apo
do qeshë, do zbutet apo do egërsohet. Rëndësi ka të kënaqesh duke këmbyer dy
llafe muhabet. Jo me një buçe televizive nga ata që janë ngjizur në kavanoz,
por me një njeri të vërtetë si e ka fal Zoti prej mishi dhe gjaku.
Tjetri
do thotë me vete: Obobo ku rashë te ky i çmendur.
Le
të thotë. S'ka problem. Je brenda një strategjie. Bërtitja jote ka një qëllim
të paracaktuar. Si Nastradini që, për t'i dalë para çdo prapësie, çunin e
rrihte paraprakisht. Me shiun e pyetjeve të tua, po nxjerr nga tjetri të
vërtetën lakuriq.
S'ka
stil më të efektshëm për të mbaruar punë shpejteshpejt.
Kohëzgjatja
e këtij operacioni komunikativ, nga hedhja e lakut deri kur tjetri ta ketë
marrë veten nga torollepsja artificiale,
varet nga disa faktorë si; kushtet e motit, vendndodhja, stina, klima, sepetet
e floririt, armët dhe municionet e fshehura, shtëpive e braktisura, krimet
brenda katundit etj.
Ata
nga veriu, Mirditë, Pukë, Burrel, Rubik, Kukës, Tropojë, lakun e kaubojsit e
durojnë pak, deri në 1 minutë. Me ata mos e zgjat më tepër se shkon të gjesh të
verdhin, por gjen belanë.
Këta
nga jugu e durojnë lakun më gjatë, deri në 4 minuta. Bën përjashtim kolonjari.
Me atë mos e bëj këtë lojë. Është non-stop në delir pozitiv.
Përjashtim
bën Kosova. Në Kosovë, me shpëtimtarin anës udhës mund të flasësh pa problem
deri në 10 minuta. Po e zgjate, gjej brimë e futu.
Në
ç'mardhënie janë me këtë fenomen italianët, amerikanët, anglezët, gjemanët ?
S'e kam eksperimentuar.
Pasi
je llafosur pak, por me rendiment të lartë, vjen shpejt një moment kur viktima
bëhet esëll.
Kavjes
i del narkoza, i shterret torollepsja, bëhet real, banal, analog, primitiv, nis
e thotë kodra pas maleve.
S'ke
mundësi, dhe as leverdi, të vazhdosh.
Futi
marshin. Ik tutje tako të tjerë limona për t'i shtrydhur, stafidhe për t'i
përtypur, dardha për t'i kafshuar, fiq për t'i kullufitur.
Po
të ndahesh i lumtur me atë që sapo u ndave anës udhës, nuk do e harrosh për
tërë jetën. Përndryshe, litarin e kaubojsit nuk e hodhe në mënyrën e duhur,
plugun nuk e ngule thellë, limonin nuk e shtrydhe si meriton. Shkurt, dështove.
S'u bë qameti. Ment për herë tjetër.
Ama
nëse çdo lëvizje e bëre korrekt, s'ka shans të dali ters. Në të gjitha
variantet do jeshë i fituar. Muhabet më të këndshëm dhe më mbresëlënës se me
shenjtorin anës rrugës nuk e bën dot me aekënd, as në ëndërr.
Llafosja
me madhështorin anës udhës është kënaqësia më e madhe e jetës. Përmes tij ke
hyrë në indin, në qelizën, në kockën, në palcën e Njeriut. Ke mësuar si funksionon
jeta, bota, Universi, Multiversi.
Dhe
ka efekte kuruese të mahnitëse:
Gjallëron
shqisat, shikimin, dëgjimin, nuhatjen. Forcon gjymtyrët, kockat, organet,
zemrën, mushkërinë. Largon rreziqet nga sëmundjet. Zgjat jetën.
S'ka
gjë më interesante se të llafosesh pak minuta me një të panjohur anës udhës.
Anonimi
anës udhës është Mbreti i kënaqësisë së çvendosjes.
Po
nuk i zbatove rregullat e mësipërme, fajin e ke vet. Je i sëmurë. Vuan nga
"Sindroma e Hamletit". Nuk guxon të ndryshosh asgjë nga frika se mund
të përballesh me rreziqe të tjera. Do mbetesh një qyqar mendjengushtë,
mburravec, meskin, cinik, negativist, mizantrop, depriment, që s'i duhesh as
dreqit. Po s'u llafose me ata anës udhës je një i vdekur i pakallur.