Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Me Kufje
E hene, 25.03.2024, 08:57 PM
Me
Kufje
Nga
Edison Ypi
Qysh
herët kisha realizuar një mardhënie të qëndrueshme me radion, dëgjimin e
radios.
Televisionet
ende s'kishin shpërthyer. Ishin në shpërgënj. Në shtëpitë e ca të rrallëve që
kishin televizor, gjatë mbrëmjeve të Sanremos mblidheshin cip mbi cip edhe 100
apo 200, a më tepër të etur për të parë e dëgjuar.
Kur
ndërkohë këngëtarë, kompozitorë, konduktorë, prej vitesh i kishin degdisur
nëpër baltra dhe burgje për mungesë partishmërie muzikore, e pabesueshme por e
vërtetë, për ta parë e dëgjuar Sanremon nuk të pengonin.
Me
radion ishte pak më ndryshe.
Dy
radiot italiane, Zëri i Amerikës më të rrallë për shkak të besueshmërisë së
ulët, BBC shqip që u mbyll qysh herët, por edhe Radio Praga dhe Radio
Montecarlo, ngopnin deridiku dëshirën e atëhershme të atyre që dëgjonin
fshehtas për tu ndjerë sado pak banor normal i rruzullit në këtë vend të skëterrshëm.
Thoshin:
S'ka më shurdh se ai që s'do të dëgjojë.
Ose
për ndonjërin që çeku dëgjonte ndonjë kanconetë italiane lotndjellëse
zemërçjerrëse:
Filani
është me 1 vesh midis shurdhave.
Nëse
nga pakujdesia apo budallallëku i bëje të ditur dikujt se dëgjoje radio të
huaja, i kishe thënë byrum belasë.
Rreziku
më i madh vinte nga komshiu. Që mund të dukej burrë i urtë e i butë. Por
s'kishe asnjë siguri në çfarë bishe do shndrrohej nëse dëshira apo rrethanat do
e çonin te Sigurimi për t'i thënë: Shoku Sigurim, e dëgjova nga oxhaku i sobës,
tjetri matanë murit tim po e çon radion stacion më stacion. Duhet ruajtur mos
marri rrugë të keqe dhe bie në prehër të borgjezisë. Të marrim masat e duhura
për të mos infektuar të tjerët me atë ves. Si thoni ju shoku Janaq, në cilat
baltra duhet hedhur ai derr borgjez ? Me anën e një iniciative rinore të një
shkolle të mesme ta urdhërojmë fabrikën e radiove në Durrës që radiot
"Fatosi" dhe "Iliria" t'i shesi pa atë spangon që ndërron
stacionet. Dhe atë mekanizmin që mundëson kalimin aq të kollajtë nga njëri te
tjetri qytet borgjez ta bllokojë, ta betonojë, ta saldojë, te Radio Tirana.
Një
shok nja dy vjet më i ri se un, ushtar në një repart ndërlidhje, më solli një
palë kufje ushtarake kineze me hark metalik dhe gomina që i mbulonin mirë
veshët. Me sa duket parimi shpëtimtar "kam te puna" funksiononte edhe
në variantin "kam te reparti".
I
çpova radios shpejteshpejt nga anash me tyrjelë një vrimë për të fiksuar femrën
e fishës së kufjes. Dy telat e fishës i lidha me altoparlantin. Të njëjtin
marifet ja bëra më vonë të gjitha radiove dhe televizorave që përdora.
Dhe
rash' rehat.
Me
kufje, hordhia e spiunave që më rrethonte nuk dëgjonte çfarë unë dëgjoja, dhe
unë nuk dëgjoja çfarë ata lehnin.
Ato
kufje u bënë shkelmi i parë që u dhashë komshinjve, ulurimave, piskamave,
radiove të mëhallës që tundnin dheun që në 5 të mëngjezit me sukseset e
kooperativave, fabrikave, festat, parakalimet, paradat, tribunat.
Kufjet
prisheshin nga përdorimi. U griseshin gominat. U këputeshin telat. Çahej membrana
vibruese e zërit. Fal Zotit nuk mungoi kurrë dikush të më ngushëllonte: S'ka
problem, "mos u mërzit", të sjell një palë të reja "kam te
reparti".
Lajme,
biseda, intervista, muzikë.
Kush
i kishte shpikur vallë kufjet shpëtimtare ? Balzaku apo Pushkini ?
Me
kufje nuk më spiunonin dot. Mund të dëgjoja çfarë të doja. Duke zeruar
distancën mes zërit dhe trurit, hyra në një botë tjetër, pa mbledhje kolektivi,
pa frikëra, pa halle meskine.
Falë
kufjeve mu bënë të paharrueshëm, Ruggero Orlando, Sandro Paternostro, Roberto
Gervaso, Indro Montanelli, Enzo Biagi, Jas Gavronski, Demetrio Volcic, si dhe
artistat Joan Baez, Joe Cocker, Janis Joplin, e të tjerë e të tjerë. Më
çmendëte "Hey Amerika" e James Brown që jepej te "Disco su
Disco". Po ashtu i përnatëshmi "Supersonik" etj.
Pakngapak
me kalimin e kohës rraqet me kufje të prishura dhe kabllo të shqyera dhe të
tjera vegla radiofonike, si llampa, kondensatorë, rezistenca, llamarina, që u
tepronin ustallarve që heraherë ndreqnin radion, bëheshin një thes që heraherës
e zbrazja me trasta larg shtëpisë.
Një
herë, dikush që më solli një palë kufje të reja ma ngriu gjakun.
-Pse
të duhen këto kufje ? tha, me cilën ambasadë je lidhur ? Dhe ja plasi të
qeshurit.
Në
tjetër më tha: A qerrata-qerrata. Po i përdor kufjet si prezervativ për vesh që
të mos mbarsesh me Marksizëm-Leninizëm.
Një
natë po më zinte gjumi duke dëgjuar me kufje "The Sound of Silence".
"Hello darkness, my old friend, I've come to talk with you again..."
ma largoi gjumin. Heu, pra gjumin ta nxirrkan më kollaj muzikat e buta se ato
të forta.
Kufiet
drogë e parrrezikshme, ishin të mrekullueshme.
Me
kufje në kokë mora vesh largimin e amerikanëve nga Vietnami, vdekjen e Mao Ce
Dunit, vitet e plumbta në Itali, vrasjen e Aldo Moros, Solidarnoshin, vekjen e
ezhdërhasë, fatin e merituar të çiftit Çaushesku etj. Nuk besoj se këto dhe të
tjera ngjarje do më kishin bërë të njëjtin efekt pa kufje.
Kufja
e zgjidhi problemin: të mos më dëgjonin çfarë dëgjoja. Por solli problemin
tjetër: të mos më zbulonin se dëgjoja me kufje. Se, sipas shokut Haleja, pa
kufje dëgjoje kanconeta, me kufje mbaje lidhje me NATO-n, Flotën e shtatë që
sillej nëpër Adriatik e etur për gjak, çka ishte goxha më e rëndë dhe e
dënueshme se të dëgjoje, ta zemë, "L'amore è uno zingaro" apo
"Just say I love her".
U
përpoqa por nuk munda të bind askend ta dëgjonte radion dhe televizorin me
kufje.
Pas
90-ës kufjet duhej t'i flakja. Por ishte tepër vonë. Tashmë kufjet më ishin
bërë zgjatime të trupit, gjymtyrë atavike. Isha shndrruar në një ndërkallje të
mishit me metalin. Si shartimi i fasuleve të Korçës me bizele Roskoveci, që del
Shegë Karavastaje.