Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Posht Ballkonit
E marte, 19.03.2024, 08:52 PM
Posht Ballkonit
Nga
Edison Ypi
S'ka
më të pabesë dhe më të rrezikshëm, s'ka dërrasë më të kalbur se një grusht
fanatikësh të pa përmbajtur si ata poshtë Ballkonit të Doktorit.
Kurrë
nuk ka ndodhur, dhe kurrë s'ka për të ndodhur, në asnjë vend, në asnjë kohë,
dhe në asnjë rrethanë, që bashkëpunimi me një çetë proletarësh të revoltuar të
ketë pasur ndonjë rezultat pozitiv, aq më pak të jetë arritur ndonjë qëllim.
Posht
Ballkonit të Doktorit po ndodh qoka politiko-propagandistike më e shëmtuar, më
e pavlerë, më e dëmshëm dhe më e pakuptimtë.
Nën
atë Ballkon llumi i Kombit, gjysma çuna oficerash nga ata që na kan burgos dhe
na kan vra, po dërdëllit përçartje propagandistike kundraproduktive që s'i
peshon asnjë kandar, që s'i duhen as dreqit, që e dëmtojnë kauzën tonë, por më
tepër Doktorin.
Mbyllja
e detyruar e Doktorit, një nga njerëzit më të kultivuar të vendit, nuk është
asgjë para dënimit më të tmerrshëm, të bashkëjetuarit pranë e pranë si pasqyrë
dhe si vetrinë, i squti me budallain, i sofistikuari me injorantët e dehur nga
era e gjakut të mishit të pushtetit.
Asnjë
fakt i kësaj natyre nuk ka qënë më i pamend dhe më i pavend se kjo çetë
mercenarësh me lugë në brez në pritje për të përmbysur, zbrazur, lëpirë, tasa
dhe kazana.
Fjalori
i varfër, klishetë narrative, tematikat e dala boje, papërgjegjësia e skajshme,
janë tiparet e turpshme të kësaj çudie që po kompromenton dita ditës opozitën e
tashme, dhe po fëlliq gjithë të tjerët.
Çfarë
po bëjnë Doktori majë penxheresë dhe çeta që e ndjek poshtë në rrugicë, është
bashkëveprimi më jo-produktiv prej sa mbahet ment. Për një mijë arësye tepër
evidente. E kotë t'i numurosh.
Pse
duhet të vazhdojë kjo komedi me proletarë komunista kinse demokrata të
egërsuar, injorantë të revoltuar, analfabetë funksionues, kur tashmë është më
se e qartë se predikimet e vazdueshme denoncuese të Doktorit nuk i kanë paksuar
aspak hajdutlliqet dhe krimet - një Zot e di.
Ndoshta
është e vërtetë se ca të tërbuar me përçartjet e tyre në pritje të kockës
ndezin çetën. Halli se dekurajojnë gjithë të tjerët.
Ku
ma gjen kafenenë e lagjes. Ku flitet në mënyrë të kulturuar, serioze, të
përgjegjëshme, me zemër, me shpirt. S'ka të krahasuar me karagjozllëkun me
militantë të rrejshëm, estradën gratis, ku mungon vetëm Skënder Sallaku.
Duhet
të bëhet i gjallë dikush të ndreqë diçka. Për shembull, të vërë një rregull të
flasë çdo natë vetëm 1 orator. Jo çdo palaço që bën si besnik, si qëndrestar.
Dikush për së mbari, dikush me cipë, dikush që nuk e bën baltë, që di të lidhë
fjalët, që thotë diçka, që është i aftë ta përcjelli një ide. Në mos, t'i thotë
çetës qesharake të iki në shtëpi, dhe të mos duket më.
Dihet
se në Shqipëri çka ndodh në rrugë është më dramatike se çka ndodh në skenë.
Madje çfarë ndodh poshtë jastëkut, poshtë dyshekut, posht çadrës, poshtë urës,
është pakrahasimisht më e rëndësishme dhe më interesante se çfarë ndodh poshtë
Ballkonit.
Për
të dhënë një shembull. Noli gjenial, duke qënë prift, nuk mund të mos ishte pak
komunist. Një mbrëmje, posht ballkonit, një buçko i qeshur, me gabime
analfabeti dhe pathos kooperativisti, lexoi vargjet më komuniste të gjeniut
Nol. Buçkoja as titullin nuk ja tha korrekt kryeveprës komuniste të priftit
kolonjar. Vjershën që në diktaturë ua mësonin kalamajve të kopështit dhe quhet
"Anës Lumenjve" proletari i poshtë ballkonit pa ju dridhur qerpiku e
quajti "Anës Lumit". Mir' që s'e quajti "Anës Lanës".
S'do
ment se Doktori mezi pret të lirohet nga zgjedha e budallallëkut të posht
ballkonit. Me siguri i dhem zemra nga çdo fjalë idiote që nxjerrin nga goja
lumpenët e tërbuar. Po s'ka çfarë të bëjë. S'di nga t'ja mbajë.
Po
unë, pse e shoh vallë çdo natë atë spektakël makabër ? Faleminderit për pyetjen
dinake shoku spiun. Nuk e shoh se më pëlqen. E shoh sepse zbatoj parimin e
pavdekshëm Lagushian; Llaftari tmerrisht e bukur.
Hej
Zot ç'na ka gjet; Pse ësht Doktor, dun patjetër me e rrethu me spital.
I
quajn "kamikaze" llapaqenat që ta lejn pushkën në faqe dhe e kthejn
pllakën brenda minutit. Zot sa ke mos na i rrëfe.
Nuk
ma kishte marrë kurrë mendja se Doktori që di përmendësh "Letrën e
Tatjanës Onieginit", vargje, poezi, prozë, nga autorët më të shquar të
botës, njohësi në majë të gishtave i letërsisë klasike dhe moderne, ai që me
fjalën e zjarrtë, mendimin e ngjeshur, dhe shpirtin plot, ai që në tërë këto
vite ka ngritur peshë malet, kuçin e maçin, të madh e të vogël, edhe
ngordhalaqët, edhe budallenjtë, edhe gurët e rrugës, ky Doktor të detyrohet të
qëndrojë kaq pranë një çete komuniste në delir. Dënim më të tmerrshëm dhe më të
pameritur s'ka.
A
ka faj Doktori. Po ka. Për një gjë. Që nuk del në Ballkon tu thotë mysafirëve
të çartallosur të rrugicës:
Zotërinj
klientelista, mercenarista, regjionalista, ju solla deri këtu. Më tej bëni si
dini. Faleminderit për ndihmesën që i dhatë revolucionit. Që sot, që tani, që
këtë çast, ikni, dhe kurrë mos u ktheni. Qafën thefshi.