Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kirovi
E enjte, 11.04.2024, 07:56 PM
Kirovi
Nga
Edison Ypi
Kishin
filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë
shpirti zeher duke pritur me dhjetra vite të visheshin si njerëz dhe të hanin
me lugë floriri, por kishin përfunduar te rreckat dhe supa me këmbë derri,
këmbenin ethshëm eksperienca mbi mjete dhe mënyra si mund të shihnin
televizionet e huaja. Flisnin me të njohur të besuar, për elektronikë, kanoçe,
tranzistorë, rezistenca, kondensatorë, vida, llamarina, tuba çeliku, tuba
bakri, tuba alumini, skema nga më të çuditshmet, edhe të imrovizuara, por më
tepër të marra nga revista ruse të viteve '60 mbetur në bodrumet e bibliotekës
kombëtare prejnga Zoti e di si arrinin ti nxirrnin, ose në fund të ndonjë baule
të vjetër të mykur të atyre që pasi kishin qënë në Rusi me studime, për shkak
të gruas ruse, përfunduan nëpër baltra.
S'kishte
fund ethja për të bërë gjithçka lypsej me pa ndonjë film për së mbari, a për të
dëgjuar ndonjë fragment lajmi, së paku ca fjalë si ca trumcakë të trembur për
Shqipërinë e mjerë për të cilën kurrkush kurrë nuk u kujtua.
Flitej
për netë të bardha në kërkim të kanaleve që vinin e iknin në varësi të motit,
reve, temperaturave, turbulencave, fragmente filmash që i merrnin për reklama,
copa reklamash që u dukeshin si filma, lodhje, sy të skuqur nga pagjumësia,
frikra nga spiunat ose nga budallenjtë me zell të tepërt në mbrojtje të
pastërtisë ideologjike, frikë nga pensionistat e mëhallës që te çdo antenë
shihnin një teprim, një devijim, një qëllim armiqësor që duhej dënuar, duhej
ndëshkuar si e meriton, sa më rëndë, sa më egër, pa mëshirë.
Flitej
deri edhe për idera surreale futuristike si mund të shihej me kanoçe ndonjë
televizion satelitor.
Këmbeheshin
edhe shakara. Për shembull, një herë, Agron Nallbani tha: Ti Edison bën kanoçen
më të mirë në Shqipëri. Por meqënse kanoçebërja është një zeje që praktikohet
vetëm në Shqipëri, ti je kanoçtari më i madh në botë.
Mes
sukseseve që u arritën u bë i famshëm një rast tronditës: Te një pallat te
Rruga e Durrsit, pranë Ambasadës Jugosllave, mu atje ku kishte aq shumë spiunë
sa s'kishe ku të hidhje kokrrën e muçmollës, një qefli televizori kishte
vendosur një antenë tepër të lartë, një stërantenë, një superantenë. Aq e lartë
dhe aq e dukshme ishte ajo Antenë, sa, të kaloje te Rruga e Durrsit dhe të mos
e shihje kryeveprën e trimit të çartun që kishte guxuar ta ngrinte duke hedhur
valle në gojë të ujkut, qè e pamundur.
Antena
madhështore që sfidonte hapur dhe rëndshëm spiunat dhe spiunllëkun dhe
shërbimet e tyre të vyera në të mirë të diktaturës së proletariatit, i zilepste
të gjithë, i linte të gjithë pa fjalë.
Quhej
Kirov.
Ta
njihja Kirovin, nuk e pata fatin.
S'thonë
kot se durimi, përveç atij të derrit, është vëllai i suksesit. Këto ditë Kirovi
më mori në telefon. Për Antenën madhështore Kirovi tha:
Më
pëlqenin Lucio Batisti, Massimo Ranieri, Lucio Dalla dhe të tjerë. I kisha
nigju. Desha edhe me i pa.
Ju
futa punës si turku sumbullës.
Tubat
mbajtës dhe hekurat për bazamentin i mora te NMI-a.
Betonin,
me mistri, me vegla, me të gjitha, ma pruri
një mik me karrocë nga një pallat që po ndërtohej aty afër.
Tubat
e bakrit mi solli një tjetër nga Uzina Dajti.
Zhivën
për me ja fut mrena tubave të bakrit për me i thith më mirë valët e televizorit,
ma pru njoni që kishte qen marinar te nëndetset e Pashalimanit.
Elementat
e antenës në formë bisht dallandyshe m'i pru i tjetër shok te Uzina Traktori që
ja dha Sofokli Karpuzi që i përgatiste me stampë të posaçme të bërë vetë.
Për
me llogarit peshën dhe përmasat e bazamentit dhe sasinë e betonit që Antenën
gjigande mbi 20 metra të lartë të mos e përmbyste era, më ndihmoi me kalkulimet
përkatëse një inxhinier ndërtimi te Rruga Ura.
Për
mos me ma vjedh, antenën e bllokova me një bulon tërthor horizontal që
shtëngonte tubin e jashtëm me tubin e brëndshëm. Mos me e liru hajdutat me çels
hekzagonal, bulonit ja sharrova kokën. Mirpo bulonat pa kokë mund të lirohen me
çels papagall.
Vorrit
kom me ja kallxu sa kam vujt me e blloku bulonin bllokues që mos e hapte asnjë
papagall.
I
hodha bulonit acid. Nuk bëri asnjë efekt. Prapseprap lirohej me papagall.
E
laga me përç, hiç.
E
provova edhe me sapun rrogozhine të shkrirë, pastaj solucion baterish, bar miu,
helm për qen, ilaç për gjarpërinj, graso për derra, gjalp për zonja, margarinë
për burra, asnjë rezultat, papagalli e rrotullonte dhe e lironte bulonin
lehtësisht.
Pastaj
provova ta lag bulonin me rradhë nji nga nji me të gjitha thartirat, shëllirat,
spirrat, uthullat, lëtyrat, këllirrat, pocaqirat, që u jepnin t'i hanin dhe
pinin puntorve nëpër menca. Asnjë rezultat.
Zgjidhja,
si të gjitha zgjidhjet gjeniale, erdhi papritmas.
Një
mesditë dola në terracë, nxorra rrushin, i bëra shurrën bulonit.
Suksesi
qè i plotë.
Tentativat
nokturne për me vjedh antenën e mutit duke liru bulonin e shurrës dështuan me
sukses. Efekti bllokues i shurrës triufoi. Shurra kishte qënë zgjidhja. Shurra
ma shpëtoi antenën nga vjedhja. Zbulimi ishte tronditës. Fama ime mori dhenë.
Për pak sa nuk më dhanë titullin "Mjeshtër i Madh". Në një Mbledhje
Kolektivi dikush propozoi të shkuleshin telat me gjëmba dhe Shqipëria të
mbyllej e tëra me pllaka çeliku që të shtrëngoheshin dhe bllokoheshin me bulona
të lagura me shurrën time, e cila, tash e tutje, do ishte aq e vlefshme, sa do
kuotohej në Bursë. Jam krenar që shurra ime lagu aq lart, dhe me sende të
vjedhura dhe bulona të shurruar arrita të bëj antenën më të lartë në botë.