E shtune, 12.10.2024, 01:08 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Syt e Lagur

E hene, 08.04.2024, 07:58 PM


Syt e Lagur

Nga Edison Ypi

Mu lagën syt. O Zot ç'më gjet'. Pse ndodhi ? Nga më erdhi ? Çfarë të bëj ? Nga t'ja mbaj ?

Nuk griva asnjë qepë.

Nuk preva padashje gishtin, dhe më doli pak gjak, pastaj lot, dhe mu lagën syt. Jo. Asgjë e tillë nuk ndodhi.

As tërmet nuk ra, e aq u tremba, sa nga frika u lotova.

Nuk pashë Diellin drejt me sy, dhe pësova ibyrje, pastaj qarje.

Mund të më lageshin syt edhe nga përplasja e beftë me ndonjë shtyllë ose mur. Por nuk u përplasa me asnjë shtyllë a mur, apo hu', dhe as nuk u rrëzova e u dërrmova mbi trotuar apo asfalt.

Kalimi nëpër Mokër, Skrapar, Mirditë, Pukë, mund të ishte një shkak bindës pse sytë mu lagën, mirpo në këto vende magjike u bë kohë që s'kam vajtur.

Sa herë vete në Kosovë më rrjedhin lotët rrëkè nga meraku për fatin qorr të asaj toke të bekuar. Në këto raste për lotët nuk mbaj shami', i fshi me duar. Por dhe në Kosovë kah moti s'kam qënë.

T'i biesh rrotull Dumresë magjike me kodra të buta dhe liqere të kaltra, të rrjedhin lot nga mahnitja, është më se e natyrshme për cilindo që në vend të zemrës nuk ka një gur. Por halli se lotët e Dumresë dihet ku rrjedhin e lagin. Ndërsa lotët e mia janë një zarf i mbyllur pa pullë, vulë, emër, mbiemër, adresë sipër.

Ta kisha parë në ëndërr Hasien që kaloi një natë dimri mbledhur krruspull te qoshja e Urës së Matit ku maces do i kishin dalë të shtatë shpirtrat dhe qeni do kishte ngordhur dhjetë herë, trishtimi do më pështillej e shtrëngonte si Laokoontin gjarpëri, dhe një det me lot do më shtrydhte, por atë ëndërr nuk e pashë, dhe as kjo nuk ndodhi.

Nuk dëgjova Erik Satie, të thuash se u rrënqetha nga tingujt, dhe me dënesë qava sa një përrua me lot e mbusha. Ka kohë që nga frika e lotëve s'po dëgjoj nga ajo lloj muzike.

Po të më kishte ardhur në kujtesë një mbledhje kolektivi, një kazan me lotë do ishte i sigurtë. Por kujtesa ime me ato mënxyra ka kohë që s'po merret.

As nuk u sherrosa aq keq me ndonjë mik sa të më vinte aq inat sa sytë të më lagen, se prej kohësh kafenetë i kam zët, dhe rrallë flas me ndonjë mik.

S'ja prisha qefin asnjë mikeshe, që të thuash se për atë lagie sysh mikesha u bë shkak.

Të më ishte kujtuar ndonjë gjë e trishtë nga e kaluara e largët, mund të ishte arësye e mjaftueshme për lot, por asgjë e trishtë e kaluar apo e tashme s'e ka vizituar zotninë time kahone.

Të vijë një kohë që të mos ngjitesh dot në majë të malit, s'ësht shaka', është dhimbje e padurueshme, shkak i plotë për lagie sysh, por s'ka asnjë gjasë sa kohë nuk është fakt por vetëm supozim.

Të them se erdhi ujku natën ma shembi vathën, çau dhen e dhi, dhe lotët vu' nga keqardhja, do gënjeja, se s'kam as vathë as bagëti.

Apo të ankohem se erdhi natë skilja më hëngri pulat e kotecit, s'do ment që do jetë rrenë, se s'kam as pula as kotec.

I ra zjarri kasolles, e mbeta jashtë në erë e në shi dhe qava, do ishte rrenë, se shtëpinë e kam prej betoni.

A vallë u përlota sepse s'mu kujtua në cilën datë vrau veten Zef Serembja, i madhi Poet ? Jo, sepse atë datë s'e kam ditur kurrë.

Nuk besoj gjithashtu se sytë mu lagën ngaqë mu kujtuan harqet e njërës, sytë e tjetrës, kurmi vibrant nën fustan i një të trete. Ato ku m'i gjen, por nuk është rasti.

Ndoshta u laga pasi përpiva një libër që më solli në vëmendje një dashni të vjetër të paprekur dhe të rrezikshme si ato bombat e paplasura harruar andej-këndej nga luftrat e kaluara që shpërthejnë kur s'ta merr mendja. Jo as kjo. Po të më kishte shkaktuar lotët një bombë e tillë, do i dëgjohej zhurma.

Por ndoshta ndodhi që një plagë mes mijrave që kishte zënë kore, papritmas rrodhi dhe dhembi. As kjo. Se s'durova asnjë dhimbje, s'më dogji asnjë mall, s'më dehu asnjë mallëngjim, s'klitha asnjë rënkim. Epo pse mu lagën sytë ?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora