E enjte, 25.07.2024, 07:26 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Mish dhe Ndryshk

E marte, 27.02.2024, 08:57 PM


Mish dhe Ndryshk

Nga Edison Ypi

Asgjë nuk ishte më absurde, surreale, e paarsyeshme, e kotë, e tepërt, se ushtria, shkolla, puna, shoqëria, arti, kultura, ekonomia, partia, ideologjia, të gjitha ishin të turpshme, të neveritshme, të frikshme. Por të gjitha bashkë nuk ishin aq të pakuptimta, aq paradoksale, sa ushtria.

Ushtria Popullore ishte bashkësia prej mishi dhe ndryshku nën urdhërat e 1 përbindëshi që komandonte gjithçka në varësi të humoreve, tekave, dalldive të veta.

Ushtria e "gjithë popullit ushtar", ishte një rrenë e madhe që nuk u besua kurrë prej askujt.

Ushtria e rregullit dhe disiplinës ishte një babylon i cilësive më të fëlliqura, më hileqare, më djallëzore.

Ushtria e dëshpërimit ishte ushtria e ngjarjeve kriminale të paimagjinueshme. Gjatë tre viteve të shërbimit ushtarak në një repart kundërajror, 4 fatzinj vranë veten. Të gjithë për të njëjtën arsye: nga pamundësia për të përballuar dëshpërimin e papërballueshëm që shkaktonte të qënët ushtar.

Ushtria e frikës ishte ushtria e oficerave që tmerrin e kotësisë së jetës me të cilën s'dinin ç'të bënin, e shkarkonin me ftohtësi dhe egërsi të skajshme mbi inferiorët dhe ushtarët. Shumica e oficerave ishin si shumica e ushtarëve: fshatarë që nga kazma dhe balta vinin, te shati dhe prashitja do shkonin. Për këta, vitet e ushtrisë ishin periudha më e ndritur e jetës. Meseletë banale të përjetuara gjatë ushtrisë ja tregonin dhe ja tregojnë sot e kësaj dite të zbukuruara njëritjetrit gjatë netëve të dimrit rrotull vatrës.

Ushtria e rraqeve mburrej me armatime "moderne" që bota i kishte mbyllur me kohë nëpër muzeume.

Ushtria e hekurishtave mbante në ruajtje nëpër kapanone ose tunele qindra, a ndoshta mijëra, kamiona ZIL tre diferencialë. Thoshin se kishin nam të mirë në Rusi dhe nëpër vende të tjera të ftohta. Por këtu që ishte vend i ngrohtë, pasi difektoheshin një herë, nuk ndreqeshin më kurrë. Sistemet e ushqimit me benzinë ishin një tmerr pafund. U bllokoheshin xhiglerët e karburatorëve. U këputeshin vazhdimisht prixhionierët e semiakseve. Kur, më të rrallë, mezi i ndiznin me kavo, dhe gërrdallat i nxirrnin nga kapanonet "për stërvitje", kohën më të madhe e kalonin si ulokë të ngathët reumarikë duke u zvarritur nga një ofiçinë në tjetrën.

Ushtria e budallallëkut mbante për të aftë budallenj surratshtrembër që gjoja kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, askush nuk e dinte për çfarë. Një hajvan i tillë na vuri mua dhe një ushtar tjetër të bënim punën më absurde dhe më të skëterrshme mbi dhè. Të çthurnim një kavo çeliku për t'i marrë fijet e holla që s'u muar vesh pse i duheshin. Por halli ynë me kavon që përdridhej dhe na çante duart, s'ishte kurgjë para halli mbi hall që e kishte zënë atë. Kur shkonte gjatë dimrit në Karaburun ose Sazan, sa herë që dhiste, i dilte zorra e trashë nga bytha. Për ta ndrequr këtë difekt, merrte me vete një kapterr që zorrën e trashë dalë jashtë ja fuste brenda me gishta.

Ushtria e urisë që do mbronte vendin nga armiqtë e egër me ushtarë të shëndetshëm të cilët do jepnin edhe jetën për ta mbrojtur ardheun, ushqehej me këtë menu ditore:

Mëngjez, një garuzhde fasule me nja 200 gram bukë si baltë.

Drekë, një garuzhde supë, copën e bukës, një garuzhde pilaf ose makarona.

Darkë, një garuzhde çaji me ca kokrriza sheqeri brenda një gote alumini, dhe copën e bukës që shpesh shkaktonte sherre.

Po të thanë se ushtarët e diktaturës kanë ngrënë sadopak më tepër se kaq, dije se ke fol me horrin, hasmin, budallain.

Oficerat i kishin qafat e trasha, faqet e skuqura, sytë e zgurdulluar, sepse hanin makarona dhe pilaf nga menuja e ushtarëve në sasi të pakufizuara.

Ushtarët ngordhalaqë të ushtrisë së uritur që pritej t'i derdhte plumb në gojë monarko-fashistave grekë, si dhe të shkatërronte flotat detare dhe ajrore të armiqve imagjinarë, nga frika se mos vdisnin urie, arratiseshin mbasditeve nëpër ullishta dhe vreshta për ca kokrrra ullinj a ndonjë vile rrush, nëse do shpëtonin gjallë nga dajaku i rojave. Një malsor që ecte i kërrusur me lëkundje para-mbrapa si kalë hante çdo ditë nga një kovë me zarzavate të pagatuara, të gjalla, siç i merrte atje ku i vidhte.

Ushtria e pisllëkut kujdesej për higjenën e zhulsave. Për ta ruajtur qaforen e bardhë nga pisllëku i qafës së zezë, qepte mbi qaforen e bardhë një shirit celofani. Pecet e këmbëve që binin era përç, i hiqte fare si të tepërta.

Ushtria e spiunllëkut ishte sy e veshë e hundë e tëra. Një herë na erdhi një prokuror ushtarak nga Tirana për ta dënuar dhe për t'ja marrë erzin një ushtari rom nga Manza që iku katër ditë në një dasëm pa i thënë askujt. Mblodhën kompaninë ulur në bar para kapanoneve. Sazexhiun Lym Rinxhi e dënuan dhe i hodhën hekurat për 4 ditë ikje pa leje, 5 vjet burg. Në fund, kur sapo u ngritëm në këmbë dhe do shpërndaheshim, u dëgjua zëri i një ushtari që iu drejtua Lym arixhiut duarlidhur:

-Mbahu Lym. Burgu për burra është.

U tmerruan të gjithë. Si guxoi ky ?!

E llafosa kërë çudi me një mik ushtar më i vjetër. Uluritësi që mbrojti Rinxhin kishte qënë provokator. E kishin vënë të bërtiste ato fjalë për të parë cili nga ushtarët do ta hante atë karrem, do pajtohej me atë thirrje.

Ushtria e pathyeshme kishte ca raketa kundraajrore. Halli se rusët dhe kinezët nuk e dhanë kurrë kodin apo passwordin e aktivizimit të tyre. Gjatë atyre pak provave "pa kod" që u bënë, raketat fluturuan në drejtim të paditur. Nga Divjaka ranë në malet e Martaneshit dhe prapa maleve të Krujës. Kur dëgjoi këtë tmerr, miku im disidenti Sofokli Karpuzi tha: Ah që s'ranë te Blloku, te Kryeministria, te Komiteti Qëndror, a të paktën te Sheshin Skënderbej.

Ushtria e gjumit kishte një numur të pabesueshëm somnambulash mbledhur me batanie zgëqeve duke gërrhitur me jargë që u rridhnin te cepi i gojës. Ushtarë e oficerë, flisnin si në ëndërr, ecnin si në gjumë.

Ushtria e rrenave pëshpëriste vesh më vesh: Kemi bombën atomike. Ndodhet prapa kodrave te Ura e Beshirit. E kam parë me këto sy në Skrapar. Ma tha një kosovar që ja kishte thënë një vëlla kinez. Bombën e kemi, por aman qepe se na dëgjon armiku.

Ushtria e Zborreve nuk ua mësoi dot kurrë zborristave as gjërat më elementare: pjesët funksionimin dhe mirëmbajtjen e Karabinës, apo përdorimin korrekt të kundragazit.

Reparti me rreth 40 topa kundërajrorë nuk kishte asnjë ekspert për radiolokatorë. Një mirditor i pashkollë që kishte qënë ushtar në atë repart luante atë rol. Një ditë ja behën ca kinezë eksperta për radiolokatorë. Ndejtën nja një javë. Shefi i tyre ishte një idhnak, nervoz, surratspec, që luante bixhoz tërë natën te hotel Turizmi i Vlorës, dhe të nesërmen andej nga mesdita vinte syskuqur në ofiçinë.

Ushtria e dallamangove kishte tmerrësisht shumë të pagdhendur, të pa shkolluar. Isha 19. Për të rrotulluar tabelat e qitjes në distancë me anë të shkeljes së një butoni, improvizova diçka të thjeshtë. Më erdhi turp që e quajtën "shpikje".

Gjashtë bateri kundraajrore, dy në Karaburun, dy në Zvërnec, dy në Sazan, s'kanë qënë kurrë në gadishmëri. Me llafe po. Me vepra jo.

Ushtria qesharake të mahniste me qyfyre. Sapo kisha nisur të punoja në torno, mu vërsulën një nga një disa oficera me gëzhoja 37 mm për tua bërë mullinj kafeje. Ua bëra disave. Mirpo një ditë më del përpara Komandanti i repartit që s'po ja përmend emrin se, në dallim nga komisari që ishte komplet idiot, komandanti s'ishte aq i keq.

-Çjanë ata mullinj kafeje që bën në torno ?! Do të fus në burg po mora vesh se do vazhdosh të bësh të tjera. Ja ku i ke gëzhojat. Bëmë një mulli mua.

Ushtria e fukarallëkut me shumicën e ushtarëve ardhur nga zonat e thella, s'di pse dhe si bartëte mendësi llogoresh si të Luftës së parë botërore. Të tillët, duke qënë thellësisht të bindur se ushtari shkon në luftë për plaçkë dhe për asnjë arsye tjetër, kursenin këpucët dhe gjimnastorkat, dhe në rastin më të parë i çonin në fshat.

Ushtria karikatureske e Diktaturës së disiplinës së hekurt kishte për komisar një idiot faqekuq, dhe një komandant bablok, dinak, injorant, që kishte qënë ca kohë në Rusi ku kishte lënë nam me aftësitë e tia të jashtzakonshme prej strategu lab në luftrat për liri.

E të tjera e të tjera, e ashtuquajtura ushtri popullore me copa mishi dhe male ndryshku s'ishte asgjë tjetër përpos një det me rrena, spiunllëk, gomarllëk, horrllëk, pisllëk.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora