Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ara e Vdekur
E hene, 05.02.2024, 08:59 PM
Ara e Vdekur
Nga
Edison Ypi
Po
shetisja në perferi të Tiranës. Fllad. Ngjyra. Tinguj. Aroma. Kur befas më del
para një kodër e butë, e bukur. Mbi kodër, ara të mbjella me ngjyra të zjarrta
si të Kubit të Rubikut.
Njëra
nga arat ishte arë djerrë, arë e shkretë, arë e vdekur.
Më
afrohet nga pas dikush si hizër. Hizri bëhet kurioz me kuriozitetin tim për
arën e vdekur. Kthehem pyes Hizrin:
-E
kujt është kjo arë e vdekur ?
Hizri
fut kokën brenda supeve si periskop nëndetseje, që pasi sheh rrezikun në
sipërfaqe, e përpin terri i thellësive.
Një
arë e vetme e vdekur mes qindra arave të gjallave të kësaj parajse
frymëndalëse, s'ësht për tu çuditur. Ka dhe do ketë, edhe ara të shkreta, ara
të pambjella, ara të vdekura.
Kjo
arë që dikur ka qënë e gjallë, mund të ketë vdekur sepse, ta zemë, ka konflikte
pronësia mes familjes ose fisit.
Ndoshta
i zoti i kësaj are të vdekur ka vajtur në kurbet, dhe tanipërtani s'ja ka
ngenë, e ka lënë për më vonë, kur të kthehet.
Ose
mund të jetë e dikujt që mbi arën e vdekur ka ndërment të ndërtojë sarajet e
veta si i ka parë nëpër ëndërra: vilë me tre kate, kangjella të larta, basen të
kaltër, terracë për helikopter, dhe pret t'i bëhet mbarë, t'i vijë siraja.
Më
mbeti mendja te ara e vdekur si te një femër e bukur e vdekur parë shkarazi nga
dera hapur përgjysëm e morgut të spitalit.
Pas
ca kohe vajta përsëri te kodra e bukur me pëshpërima gjethesh, përrua te
këmbët, arë të vdekur.
Prit
e prit për ndonjë kalimtar ta pyes për arën e vdekur. Asnjë për bè.
Të
trokisja te ndonjë shtëpi andej rrotull, s'bëhej fjalë. Do më merrnin për
ndonjë bos nga ata që u duhet një truall. Veç hap gojën. E paguajnë me çdo
çmim. Merr sa të duash te thesi i pareve në bagazhin e makinës. Edhe atë kisha
mangut.
Mund
tu dukesha edhe si nipi i beut që ka ardhur me pretendime pronësie. Dhe ec e
duro pastaj reagimet refuzuese të rreckamanëve majmur rishtaz.
U
largova pa e mësuar shkakun e vdekjes së arës që pakngapak mu bë e dhimsur si
vdekja e njeriut të afërt.
Me
kalimin e kohës, sa herë më vinte ndërment ara e vdekur, më errreshin sytë, më
merrreshin mentë, më mbështillej një si lëmsh në fyt.
Durova
sa durova. Vajta sërish mbi kodrën e bukur. Këtë herë i vendosur të mos kthehem
gjallë pa e zbuluar shkakun e vdekjes së arës. Duke u afruar mu ngjall shpresa
se tashmë konfliktet e pronësisë do ishin zgjidhur, i zoti është kthyer nga
kurbeti dhe ka filluar punën, sarajet e ëndërrave me pricesha të bardha në
dritare dhe princër të kaltër mbi kuaj, kanë nisur të ngrihen, ara e vdekur
është ngjallur.
Një
i moshuar me kapuç në kokë që mos i mërdhifte tulla dhe shami në hundë për të
ndalur rrjedhjen e qurrave mos i bëhej pellg te këmbët, më tha me zë të ngjirur
dhe duke u kollitur se mbi atë kodër do ngrihet një bazë ushtarake. Baza do
vrasi të gjitha arat e asaj kodre. Arën e vdekur do e vrasi e do e vdesi për së
dyti.
Tjetri,
një gango kokërruar me cigare në gojë, më tha se pronari i arës së vdekur e ka
rregulluar me një kompani celulare që, në këmbim të një qeraje të majme, mbi
arën e vdekur të ngrihet një antenë e gjallë.
Një
student me kufje në vesh që kaloi andejpari më tha shkurt dhe shkoqur se
pronari i arës së vdekur bën një biznes të suksesshëm. Një dajo infermier në
Gjermani i ka sjellë një metal detector me të cilin gjen nën tokë thesare të
fshehura si të Edmond Dantesit, Kontit të Monkristos. Mos ja qaj hallin
kërkuesit dhe gjetësit të sepeteve me bizhuterira, kurorave mbretërore të
praruara me diamantë, monedhave të arit, gjerdanëve me perla. Ai arën e vdekur
e ka qime bythe. E ka harruar fare.
Nuk
u përkula nga spjegimet negativiste të delirantëve që çdo gjë e lidhin me
halucinacionet e veta prej parazitësh fukarenj.
Pyet
njërin e tjetrin tutje e tëhu, më së fundi e gjeta një burrë serioz që dinte
gjithçka.
Seriozi
tha:
Mos
pyet brenda katundit ku të gjithë janë në konflikt interesi dhe të gjithë të
rrejnë. Të vërtetën e arës së vdekur mund ta mësosh vetëm prej meje që s'jam
prej këtu, por prej Cacabeci. N'daç me e dit', arën e vdekur kur ishte gjallë e
pretenduan dy çuna të këtij katuni.
Njëri
bërtiste sa tundej dheu,
E
kom tokën e babës.
Tjetri
ulurinte duke shkulur flokët,
E
kom tokën e babës.
Njeri
spjegonte me detaje sesi baba atë arë e kishte meritu me gjak dhe e kishte ble
me flori.
Tjetri
ja priste se po atë tokë baba e kishte me Ligj.
Katunit
i iku gjumi.
Luajti
mendsh i madh e i vogël.
Pas
aspirinave dhe paracetamolave, farmacia u boshatis dhe nga qetsuesat dhe
gjumëndjellësat.
Si
ka mundësi dy baballarë të lënë trashëgim të njëjtën arë ?! pytën të habitur
katunarët. Çfarë po ndodh në katundin tonë është diçka e pashqiptuar nga asnjë
gojë, e padëgjuar nga asnjë vesh, e palexuar në asnjë libër, e paparë në asnjë
film.
Pas
pak doli në shesh e vërteta.
U
muar vesh se vërtet të dy çunat arën e vdekur e kishin të babës. Por,
Njëri
me letra të vjetra.
Tjetri
me Ligjin 7501.
Njëri
me myhyr Turqie dhe vulë Mbretërie.
Tjetri
me Ligj Demokracie.
Plasi
sherr i madh. Ngatrresat me babë, flori, gjak, ligj, vulë, myhyr, letra të
vjetra, letra të reja, vazhduan me vite.
Kërcënimet:
Largohu, s'ke punë te toka e babës tem, e ka ble baba me verdhushka, hiqmu sysh
se do të vras, ose, Ik se ta pres kokën ta ngul në hù, e kam nga baba, e kam me
Ligj, u bënë të zakonshme.
Burra
e moçëm u thanë çunave të rinj mos ta teprojn sherrin. Ta zgjidhin në paqe. Për
shembull, ara të mos jetë as e njërit as e tjetrit. Të jetë arë ku të rriten
ferrat dhe shkurret, të fluturojnë harabelat, të zvarriten gjarpërinjtë dhe
breshkat. Arë që të mos e prekë kush. Arë e askujt. Arë e shenjtë, Arë Vakëf.
Çunat
nuk i dëgjuan këshillat.
Derisa
një ditë, çuni i babës së Turqisë dhe çuni i babës së Demokracisë problemin e
arës vendosën ta zgjidhin si kreshnikët e motit. Me Duel. Te përroi.
Njëri
në emër të turkut.
Tjetri
në mbrojtje të Ligjit.
Bam-bam.
Të
dy të vdekur.
Tre
bashkë me arën ku tash e tutje do rriten ferrat dhe do zvarriten breshkat.