Kulturë » Ypi
Edison Ypi: I love 4x4
E marte, 21.11.2023, 08:54 PM
I love 4x4
Nga
Edison Ypi
Le
të vozisë kush të dojë me makinë të vogël si buburrec, të qetë si peshk, të
ulët si zvarranik, të ngrohtë, me kolltuqe të rehatëshme, me marsha automatikë,
navigatorë që tregojnë edhe shtigjet e nëndheshëm të milingonave, GPS që
gjurmojnë edhe brimat ku hyn e del miu. Janë të mrekullueshme të gjitha. Hiç
mos iu ndani diabolerive kaurreske. Por unë s'kam punë me 'to. Un jam tjetër
gjë. Un jam 4x4.
Si
do largohem un pa 4x4 nga gjurulldia e qytetit për të vajtur t'i vë veshin
muzikës më të bukur të botës, pëshpërimës së përroit në Çemerricë ?
Vërtet
s'kam un tank, apo helikopter, apo dron, për me vajt në Manastirin e Shën
Marenës, por kam 4x4.
S'jam
un as zog me fluturu nga Vidhkuqi në Çorovodë. Por për këtë dhe plot të tjera
kam 4x4.
Un
s'kam as kalë ose mushkë (o ç'mrekullie do ishte t'i kisha), për me ja ther nga
Peshtani ose Malëshova, aty e nga pas malit, drejt e në vendet e kaurrit, në
Zagori, Çajup, Dropull. Si i bëhet këtij halli, a s'më thua ? Ky hall
rrafshohet vetëm me 4x4.
Nga
Kukuri në Bishnicë, nëpër ato miliona kthesa mespërmes kurrkundit, brenda
tuneleve të dushknajave edhe në mes të beharit plot me ujra të kristalta, si u
shkoka atje pa 4x4 ?
Si
mund të takoj un pa 4x4 dikend anës rrugës pa rrugë veshur me lecka, ulur më
bisht, duke u dridhur në shi e në ngricë, që ndoshta pas pak do vdesi ?
Apo
një mesoburrë kur un pa zbritur nga 4x4, ai pa zbritur nga gomari, njësoj si do
bënte Pikaso Historinë e Botës me një vijë të vetme pa hequr lapsin nga dora,
ma tregon fijepërpe jetën e tij në 3 minuta ?
Ose,
si ta takoj un pa 4x4 në mes të pyllit, pranë Malit të Pilafit, një çoban të
vetmuar, 13 vjeç, me kërrabë në dorë e biçak në rrip, pa shkollë, pa libra, pa
internet, pa telefon, pa qënë kurrë në asnjë qytet, me një dritë të thellë në
sy, krejt si profetët e muraleve të kishave me sy të nxjerrë me bajonetë, gati
për ta transferuar dritën nga vetja te kushdo që i lypset ?
Pas
pak rrugët do jenë të asfaltuara të gjitha. Por edhe pas një shekulli turizëm
intensiv, vendet e Shqipërisë që shetiten vetëm me 4x4 nuk do jenë ekaploruar
as gjysma.
S'do
ment se më të shijshmet e rrugëve, janë rrugët që shijohen me 4x4, rrugët e
pakaluara, si këngët e pakënduara, si dashuritë e parealizuara.
Librazhd-Bulqizë,
për shembull, pas nja 20 kilometrash, të hedhësh sytë në perëndim është si të
shohësh Circen. Ngurosesh në çast. S'di nga t'ja mbash. Të vdesësh a të rrosh.
Në horizont ke fundin e botës, një oqean me male, shkrepa, gryka. Shyqyr që në
Fushë-Studë gjithmonë takon ca tipa që estetizantit ja çlirojnë ngërrçin. Adhuruesit
e paepur të 4x4, të tregojnë me hollësi si shkohet përmes asaj llaftarie me
male dhe pyje, te Kroi i Kuq. Është e pabesueshme. Por rrugë pa rrugë ka.
Offroadistët e kanë kaluar. A mundem un me vdek para se me kalu e me u deh
andejpari ? Me çfar tjetër, veçse me 4x4 ?
Shqipëria
ka pafund rrënqethje eksplorative, turistike, estetike, klimatike.
Më
të mahnitshmet e tyre nuk mund të bëhen pa 4x4.
Pa
4x4, si mundem me shku mbi rrugët pa rrugë nëpër maja malesh, rrënoja
kështjellash, katunde ku flasin dialekte me të ik çaçka e kokës, katunde të
zbrazura ku të merr të qarët, lugina të thella që s'i zë Dielli, pyje me ketra,
ujq, arinj, dhelpra, burime të kaltra, përrenj të frohtë brisk, liqene
akullnajore, vendbanime të lashta, gryka ku janë bërë luftra, rrafshnalta ku
janë vrarë me mijra, e të tjera e të tjera.
Këtu
s'po flasim për restorante ku hahet mish e pilaf e pa pik mëshire i hidhen
tjetrit në turi gromsima të skëterrshme plot utha e thartira. As për bare ku
pihet kafe dhe thuren intriga. Këto ndodhin në vende të sheshta anës lumenjve
ku shkohet rehat-rehat me një Fiat Uno ose një Nissan Micra.
Po
flasim për itinerare shenjtorësh, lugina rrethuar nga male ku banorët e
fshatrave nuk japin shpirt pa arritur 100, vende të virgjëra, luadhe ku
vallzojnë e lodrojnë xhindet natën, ngrihen vampirë nga varri, dalin
magjistrica.
Shumë
mirë bëni që ndërtoni rrugë të reja. Shumë faleminderit që asfaltoni rrugët
ekzistuese. Janë të mrekullueshme për me më çu ku fillojnë të mrekullueshmet
rrugë pa rrugë që mund të shkelen vetëm me 4x4.
Pa
4x4 Zoti nuk të pret në audiancë nëpër vendet e shenjta. Rojet s'ti hapin
portat.
Kali
i vëllait të vdekur ngitur nga varri me motrën e gjallë nëpër natë, Argo e
Uliksit, Ninja e Kolombit, Sant Antonio e Magelanit, të gjitha 4x4 kanë qënë.
Me
ma heq mu 4x4-ën ësht pun' që s'bëhet. S'janë shpikur ende ata vinça. Ësht
njësoj si me ja heq fukarait çapën e bukës nga goja, Mbretit kurorën,
Skënderbeut shpatën, Lasgushit Rimën. Shekspirit penën, Prometeut Zjarrin.