Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Katunarja
E marte, 24.10.2023, 07:55 PM
Katunarja
Nga
Edison Ypi
Katunarja
është si Perëndia: Ndodhet kudo, por s'duket asgjëkundi. Nuk fshihet. S'ka kohë
të duket. U fanepset veç pak besimtarëve të Saj të zjarrtë të cilëve u tregon
ku ndodhet, dhe ata shkojnë ja qajnë hallet mes lotëve.
Katunarja
sa e gjithfuqishme dhe e kudondodhur po aq dhe e nëpërkëmbur dhe e harruar,
është pakrahasimisht më punëmbaruar se gjithë të tjerat dhe të tjerët.
Katunarja
e katundeve të fushave ku Katuni nuk është zbrazur, arat mbillen, ka serra, ka
marrë hov bujqësia dhe blegtoria, ka industri të vogla agropërpunuese,
ndërtohen vila, ndihmon emigracioni, nuk i ka keq punët.
Përveç
rasteve të rralla kur krruhet vet, Katunaren e sotme nuk e ngacmon kush si në
kohën e Kooperativës kur ja lypnin me isharete dhe ja hypnin nëpër ferra. Tani
që është bërë keq për nuse, shkesët s'dihet ku janë zhdukur, dhe nusen duhet ta
gjesh me forcat e tua, kanë nisur t'ja dinë kimetin. Katunarja ka marrë
statusin e paprekshmërisë. E përkëdhelin si beduini paguren e ujit. Thonë se do
e shpallin vakëf. Po e ngacmove të gjen belaja. Nesër pasnesër do jetë gruaja e
dikujt, e imja, e jotja, e mikut tim apo e kushiririt tënd, që ndoshta ja ka
vën syrin, dhe po ja ngacmove kërcet pushka.
Për
këto e të tjera, Katunarja vëren me kujdes rrethepërqark, merr mësimet e
duhura, nxjerr përfundimet e sakta.
Katunarja
e fushës e mbaron të mesmen në katunin e vet, ose aty rrotull.
Për
të lartën vete në Tiranë. S'ka rëndësi sa kushton. Paguan mami, babi, sjell
ndonjë lek vëllai nga kurbeti.
Me
qytetin dhe universitetin ambientohet shpejt.
Ja
vë syrin një katunari nga një katun afër katunit të vet. Ajo studion Ekonomi.
Ai Agronomi. Kombinim perfekt.
Ja
do ja rrëmbej zemrën këtij qefliu që ngeli tu i pa gocat nga koka te këmbët
sikur do u presi fustan, ja do plas, thot me vete Katunarja. E ndjek me kujdes
çfarë tipi është. Për pak kohë e bën të sajin duke i lënë përshtpjen se nuk u
bë sebep ajo që e afroi atë, por ai që e kandisi këtë.
Në
fund të studimeve, kthehen të dy në Katun. Varin diplomat në mure. Ja marrin
këngës "Nëntë qyqe, tre bilbilë".
Ëndërrat
janë parë, planet janë thurur, qefi është bërë, Bebi po ngjizet.
Në
pritje të dasmës që do tundi dheun, Katunarja dhe Katunari, lënë takime në
vende idilike si, te mullari, te çesma, te pusi, te përroi, te kroi, te gardhi,
te fiku, te arra, te dardha.
Vjen
dasma. Kërrcet mishi, rakia, daullja, kënga, vallja.
Pas
pak fillon puna. Ajo djersitet mbi hesapet. Ai lodhet nëpër ara. Vjen në jetë
trashëgimtari. Blihet traktori. Ngrihet ferma. Vazhdon Jeta me kënaqësitë dhe
kusuret e veta.
Nëse
Katunarja ka lindur e është rritur, jo në fushë si kjo me takime fshehtaz te
përroi dhe te mullari, por te ndonjë katun i thellë dhe i zbrazur me natyrë dhe
klimë të hatashme por i pajetueshëm ku kanë mbetur nja tre a katër pleq me
qurra nëpër turi dhe nja katër a pesë barkderra që merren me hashash, fati i
Katunares është krejt tjetër.
Në
këtë rast nuk presin që Katunarja të bëhet 17 e 18. Që 10 e degdisin te
xhaxhallarët, Dajot, hallot, tezet. Më së shpeshti në oazin e katunareve, në
Mekën e mëshirës, në Jerusalemin e qytetërimit, në Tiranë.
Deri
15 Katunarja e shtyn sa te njëri te tjetri familjar a farefis.
Katuni
nga erdhi i ka mbet në mendje si një pus i zi i thellë i errët plot me korba,
krrokama, lakuriqë nate, baltë, zhaba, minj, gjarpërinj.
Katunarja
hedh sytë rrotull; Gjithandej rrena, makina, semafora, klithma, ulurima,
kafenera, pare, llogari bankare, fundjava, restorante, hotele, plazhe,
diskoteka, pishina, shkuma party, shëtitje me varka, telenovela, spektakle,
cica përjashta, depilime, çmime të larta, e të tjera e të tjera.
E
mahnitur nga qefi kaotik i Kryeqytetit, Katunares i vjen mendja rrotull. S'di
nga t'ja mbajë. I afrohen ta këshillojnë "për të mirën e saj" duke e
parë nga sisët dhe bythët. Preferon të dëgjojë ç'i thonë predikatorët e mirsjelljes,
pastërtisë morale, përkushtimit ndaj familjes, traditave, seriozitetit,
virgjinitetit. Jo se merakoset për seriozitet dhe virgjinitet. Por sepse vetëm
prej moralistave rrenacakë mund të mësosh çfarë të mos bësh që të mos mbetesh
gjithë jetën fukara me biberon në gojë.
Shkolla
e mesme mbaron shpejt.
Ngutet
të çlirohet nga virgjiniteti, kjo bezdisje që e lë pa gjumë, për të cilën
mikeshat i thonë se është turp që ende se ka hequr qafe atë cip të hollë dhe
atë koncept mesjetar.
Nis
shkollën e lartë.
Për
dy gjëra nuk kursehet shqiptari. Për shëndetin, dhe për ti bërë kalamajtë me
universitet.
Gjatë
universitetit Katunarja provon shetitjet, kafenetë, puthjet, pompinot. Nis e
kqyr rretheqark për të ardhmen, burrin, karrierën. Çka e tërheq më tepër janë
disa zyra me kompjutera dhe vetrata ku punohet pak dhe fitohet shumë. Quhen
OJQ. U afrohet me kuriozitet dhe frikë. Zbulon se në këto zyra dukuria më e
përhapur është kurvëria, më e rralla është puna. Shefja e OJQ-së është një
baxhellë me mishra të varur, disa varëse floriri në qafë, unaza dhe rrathë me
ngjyra në kyçet e duarve. Karaputana plakë është aty që nga koha kur Katunaria
s'kishte lindur, dhe aty do vazhdojë të jetë derisa paret e vjedhura ti dalin
nga brima e bythës.
I
tha një mikeshë Katunares; Po të rrish tre vjet në një OJQ duke pi kafe dhe
duke bërë thashetheme, çmendesh, vret veten, bëhesh lubì me shtat koka, burrin,
të ardhmen, jetën, familjen, harroji.
Mahnitet dhe dëshpërohet Katunarja nga këto zbulime.
Për
me e kalu kohën sa më këndshëm, fillon lë takime. Jo te mulliri, çesma, pusi,
gardhi, fiku. Në Tiranë s'ka të tilla. Në Tiranë ka qëndra masazhi, kafenera,
restorante. Ku pasi hamë e pimë e llafosemi, ngjitemi bëjmë qef me klithma në
dhomën lart.
Katunarja
ka sjellje dhe veshje snobiste.
E
shkruan korrekt Shqipen.
Lexon
romane me përmbajtje nga koha e trenave me qymyr, me zengjine të vetmuara
brenda vaskave pllaquritëse kur dikush po i sheh nga brima e çelsit.
Pëlqen
trashëgiminë folklorike, meseletë e vjetra, poezinë gojore.
Bën
Yoga.
Ndonjëherë
vete në seanca spiritike.
Frekuenton
klubet Blues dhe Jaaz.
Kthen
ndonjë whiskey.
Tymos
ndonjë spinello.
Mëson
gjuhë të huaja.
Tërhiqet
kur konstaton se s'ka të drejtë.
Shprehet
për probleme sociale dhe politike.
Merr,
ose mbështet, iniciativa.
Shkon
rregullisht në protesta.
Katunarja
i ka të gjitha këto merita. Ama për katunin e baltrave dhe lëvereve të ndera në
litar për tu tharë nga era, mishin t'ja presësh me gërshërë, nuk thotë asnjë
fjalë, nuk flet kurrë, e ka dënuar me vdekje.
Kur
e pyesin, ose kur duhet ta shkruaj vendlindjen në ndonjë formular, nuk tregon
kurrë katunin e pisllëkut dhe rreckave, por qytetin 40 a 50 kilometra larg.
Katunarja
është më e tonizuar, më produktive, më energjike, më diskrete, më diplomatike,
më e vullnetëshme, se Qytetarja.
Si
në romanet e Mopasanit dhe Balzakut plot me Katunare dhe Katunarë energjikë dhe
të talentuar të etur për karrierë dhe Jetë që zbresin në metropole ku bëjnë
hatanë, edhe Katunarja jonë kryen më shumë punë dhe plotëson më tepër detyra se
Qytetarja jonë. Sa të thotë Qytetarja rrush, Katunarja ka ngrën një kosh.