Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Madu na talli dhe iku
E marte, 08.08.2023, 07:56 PM
Madu na talli dhe iku
Nga
Edison Ypi
I
ndjeshëm, i mprehtë, i përmbajtur, i edukuar, i sofistikuar, i kultivuar, i
qytetëruar, poet që s'kërkoi kurrë famë, i përndjekur politik që e bezdiste ky
cilësim, trashëgimtar që nuk kërkoi kurrë kompensim, si Jamarbër Marko, s'ka të
dytë.
Jamarbër
Marko, jeta sa fatkeqe dhe heroike e tij dhe e familjes së tij, janë fakti më
tronditës dhe dëshmia më uluritëse e tragjedisë më të madhe të historisë tonë
moderne; zellit të turpshëm të shqiptarëve për të farkëtuar me duart e veta
prangat e veta, për ta përsosur me vullnetin e vet mbi kurrizin e vet
diktaturën më kriminale të botës.
Madu
në këtë botë të çmendur dhe këtë vend të çuditshëm nuk erdhi për të jetuar. Ai,
në botë dhe në jetë, erdhi që ato t'i tallte.
S'janë
pak ata që talljen e botës e kanë konsideruar sfidë të jetës. Por jo si dhe sa
i dëshpëruari i madh Madu. Të shumtët këtë sfidë janë lodhur ta përballojnë
përmes kompromiseve; këtu më kruhet, atje më dhemb. Të tjerët kërkuan dhe
gjetën punëra të mira, shkruan libra, shkarravitën nëpër gazeta dhe revista,
dolën dhe po dalin nëpër televizorë, u fejuan e u martuan e bënë kalamaj, hynë
e dolën "jashtë shtetit" etj. Madu, jo !
Madu,
ky vetëflijues i përbindshëm, mund të hynte edhe ai nëpër punëra, mund të dilte
edhe ai nëpër televizora, mund të shkruante edhe ai nëpër gazeta, mund të ishte
bërë edhe ai famshëm.
Por
Madu ndaj të gjitha këtyre ishte dhe mbeti më larg se infiniti. Ai, këto dhe të
tjerat, i neveriti duke i tallur.
Madu
edhe në burg ka qenë një vullkan talljesh nga më të këndshmet, më të bukurat,
më me spec, më të rrezikshmet.
Madu
nuk doli kurrë nga Shqipëria.
Madu
kurrë nuk u mburr e as u ngref.
Madu
vetëm talli dhe piu, piu dhe talli.
S'kanë
fund të tallurat e Madus.
Madu
një ditë i futi në xhep Presidentit të Republikës një dhjetë lekësh të vjetër.
Mbaje ta kesh se mund të të duhet, i tha, ia futi në xhep, dhe iku.
Askush
tjetër si Madu nuk diti të tallet me budallallëkun e kallaballëkut me aq
finesë, në mënyrë aq variacionale, me aq inteligjencë dhe kreativitet.
-
Madu, çfarë është Interneti ?
-
Ky që po kalon, më tha, duke më treguar një xhaxho të kërrusur me një thes në
kurriz.
-
Po Fejsbuku ?
-
Ai kazani i plehrave atje.
-
Emaili ?
-
Dhëmbi i verdhë i diktatorit.
-
Po celulari ?
-
Drejtori i komunales që bënte dashuri me fshesaxhien.
-
Youtub-i ?
-
Është ajo atje, tha, duke treguar me gisht Ministrinë e Drejtësisë.
Këtyre
dhe të tjerave pyetje Madu u përgjigjej nga froni perandorak ku rrinte. Një
farë bankine betoni, si e krijuar enkas për të, ku ai pinte dhe tymoste në
shoqërinë e dy-tre qenve.
Madu
jetoi keq, madje shumë keq. Por për Madun kjo s'kishte rëndësi.
Materialitetin
dhe idealitetin Madu i bëri njësh në rakinë dhe shakanë.
Madu
e piu të gjithë rakinë dhe e talli të gjithë dynjanë.
Madu
bëri jetën e njeriut që sa më i kthjellët është aq më tepër vuan.
Madu
e shihte jetën si dënim pa të drejtë mbrojtjeje, pa të drejtë apelimi.
Madu
ishte një Hipi' i përjetshëm, një Woodstock i përhershëm.
Madu
largohej vazhdimisht. Prandaj fundin e kapi herët.
Madu,
ky përbindësh i shenjtë i antikonformizmit, duke marrë me vete të gjithë
shakanë dhe gjithë rakinë, na la pas të gjithë atë që s'na lypset por e
meritojmë - turpin.