Kulturë » Ypi
Edison Ypi: English Lesson
E enjte, 29.06.2023, 07:57 PM
English Lesson
Nga
Edison Ypi
Makinat
me timon majtas shkaktojnë aksidente vdekjeprurëse. Të marrim shembull nga
Anglia. T'i kthejmë timonat djathtas.
Braktisin
fshatrat. Lenë ca pleq e plaka mbi mangall. Zbresin në qytet lajnë pjata dhe
tasa boshatisur nga barkderra. Për këtë nuk mund të merret mësim nga Gjermania
ekspansioniste që u zgjerua duke pushtuar Europën pa Hitler dhe pa Gestapo, por
vetëm nga Anglia që u ngushtua, bëri brexit.
Me
femra nëpër kafenera me kërthiza përjashta, me pantallona xhinsa më të vogla se
breçkat, liberalizmi, ky helm i ëmbël për varfanjakë, po bën kërrdinë. Për t'i
vënë fre murtajës së qeshur hyperliberale e bëjmë si e bëri Anglia, kthejmë
fytyrën nga seriozi konservatorizmi.
Mirë
bëjnë çikat dhe çunat që mbarojnë universitetet e Perëndimit. Por kur vijnë
këtu, sesi duken. Si të hutuar, si të zbrazur. Kanë përvetësuar disa shprehi
qytetare. Respektojnë rregullat e jetës në komunitet, disiplinën, orarin e
punës, bankat, taksat. Por s'ka në dijenitë e tyre as e ardhme, as familje, as
sakrificë, as humanizëm. Për këta vetë Anglia hëpërhë s'ka gjetur ndonjë
zgjidhje. Derisa Anglia tu gjejë të vetëve një derman, tanët i fusim nëpër call
centera.
Na
janë mërzitur biçikleta, furgoni, autobuzi. Jemi fiksuar pas makinës.
Perandorakët kur ndonjëherë vijnë këtu, ja therin më këmbë mespërmes maleve,
nga Polisi në Valamarë, nga Martaneshi në Mirditë, nga Berati në Këlcyrë. Të
nisim tu ngjajmë ishullorëve të papërtuar për të larguar gromësimat e
sedentarizmit.
Ku
i gjejnë vallë paret televizionet pa shikuesa, gazetat pa lexuesa. Këtë
ekuacion me disa të panjohura të cilit edhe Amerika nuk i ka dhënë dum, Anglia
e ka zgjidhur qyshkur. Andej nga vitet '60, kur mori vesh se në Shqipëri Radio
Londrën e dëgjonin vetëm ca të pjerdhur që prisnin zbarkimin, Radios së famshme
në Gjuhën Shqipe i vuri kyçin. Atë të bëjmë dhe ne. T'i mbyllim të gjitha. Lemë
vetëm nja dy a tre. Faleminderit Angli për vizionin dhe leksionin.
Na
kallën datën këta mutërit që u duket sikur kanë lindur për të punuar ja nëpër
OJQ-ra ja rash e vdiqa. Tash e tutje s'do jenë problem. Të armatosur me guximin
e Anglisë që doli nga Europa, bëjmë një ligj që OJQ-ve tu vëmë llozin. Ojqirët
do përfundojnë në hale të gomerëve.
Është
përhapur ideja sikur stafetën duhet ta marrin të rinjtë, ndërsa të vjetrit që
s'dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të fshijnë qurrat, duhet të shtrëngojnë
ushkurët që të mos u bien brekët. Për fat ekziston Anglia e cila me brexit e
dha shembullin se si të vjetrit e shëndetshëm dhe të arsyeshëm e kthejnë rrotën
e Historisë nga është më mirë për të gjithë, edhe për të rinjtë ngordhalaqë të
stakanovizmit.
Nuk
durohen këta që u janë vërsulur punëve rë kollajta me kompjuter me klika mbi
taç skrina. Ka zëra se parazitët e vet Anglia do t'i syrgjynosi nëpër ishuj.
Edhe ne e kemi një ishull, Sazanin. T'i hedhim ata mutër mes gjerpërinjve të
helmatisur dhe lepujve. Le të dridhen nga frika shakaxhinjtë e rehatllëkut,
dashuronjësit e shiltes, pasonjësit e Haxhi Qamilit që na mbahen për moderna.
Për
të mos u mërzitur ne, është lodhur dhe ka rrezikuar në shekuj Anglia.
Sa
kohë Mafien e marrim nga Italia, frikën nga Rusia, minaret nga Arabia,
hashashin nga e dimë por s'e tregojmë, leksionet i marrim nga Anglia.