Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Çartallozi
E marte, 06.06.2023, 07:59 PM
Çartallozi
Nga
Edison Ypi
Në
Strelcë, rrëzë Valamarës, vetëm, në një shtëpi guri, jeton Çartallozi.
Çartallozi
ngrihet më tre të mëngjesit. Kthen shpejt e shpejt pak mjaltë, nja dy vezë, një
gotë qumësht. Dhe vrik përpjetë. Ikën rrëkëllen gurë për prita për të ndalur
erozionin, a vete të bëjë ndonjë ndreqje te rezervatet e peshkut që i ka
ndërtuar vetë. Rezervatet ishin tre. Tani kanë mbetur dy. Njërin rezervat ja
hodhën në erë me tritol ca banditë më '97-ën. Nëse s'ka për të bërë nga këto, i
futet, mbjell, korr, vadit, prashit, misër, grurë, fasule, jonxhë. Kur del
Dielli, se Çartallozi "orë" ka diellin, kthehet në shtëpi ha mëngjes.
Ç'të ketë. Mish, fasule, trahana. Pastaj bën punët e zakonshme, çan dru,
kujdeset për kopshtin, bën ndonjë ndreqje të vogël rrotull shtëpisë, ndonjë
vijë uji për shembull, dhe, kur është më nge', lexon ndonjë libër.
Mbasdite
Çartallozi zbavitet. Del nga rezervatet e peshkut. I hipën një varke me lopata,
që edhe atë e ka bërë vetë, dhe shëtit mbi ujë duke këqyrur Qiellin. Kur është
behar bën not dhe banjo Dielli. Në 8 të mbrëmjes bie fle.
Çartallozi
nuk ka sëmundje në trup' të tij. Nuk është vizituar kurrë te ndonjë doktorr.
Nuk ka marrë kurrë ndonjë ilaç. Nuk ka bërë kurrë ndonjë gjilpërë.
Në
kohën e Diktaturës Çartallozi vuajti.
Tre
herë e burgosën nga zullumet që bënte. Një herë 17 ditë. Tjetrën herë 45 ditë.
Të tretën herë plot 1 vit. Të treja herët për: "Prekje të figurës së
nëpunësit gjatë kryerjes së detyrës". "Prekje" qe llafi, se
Çartallozi, në të vërtetë, nëpunësit i rrihte. Kur ishin vetëm. Të mos kishte
dëshmitarë. Se e dinte që zagarët më mirë duronin të rrahurën se ta denonconin
duke thënë "Më rrahu Çartallozi". Të mos e burgosnin nga prapësitë e
shumta që bënte, pesë herë Çartallozi mori malet. Nga Valamara drejt Veriut.
Nga tetë deri 48 orë rrugë më këmbë. Mes shkëmbinjve, pyjeve, ujqërve, arinjve.
Ditën e natën, në zheg e në ngricë, ngrënë e pa ngrënë, derisa arrinte në
Gramsh a Elbasan.
Që
brigadierët, shefat, sekretarët, të shpëtonin nga grushtet dhe prapësitë e
tjera të Çartallozit, e nxorën disa herë përpara komisionit psikiatrik që ta
mbyllnin në çmendinë, t'i bënin ca gjilpëra, dhe ta vdisnin fare. Mirëpo që që
të niste kjo procedurë duhej që Çartallozi të vinte një firmë. Çartallozi s'e
hëngri. Firmën nuk e vuri. Dhe mbeti si ishte, Çartalloz.
Çartallozi
ka qasje magjike me Natyrën. Ahet, pishat, rrobujt, blirët, panjat, shqiponjat,
arinjtë, ujqit, dhelprat, sorkadhet, kunadhet, janë jeta e tij.
Çartallozi
tërbohet me banditët që presin pyjet i shpien në Itali, Greqi, Maqedoni.
Banditët, në bashkëpunim me njëri-tjetjetrin ngulin tabela "Mbroni
pyjet". I shkruajnë ato tabela me atë ngjyrë dhe në atë mënyrë, që
banditit tjetër ta lexojë "Këtu pyllin digje" ose "Këtu pyllin
sharroje".
Çartallozi
nis letra nëpër zyra dhe ministrira. Asnjeri s'e dëgjon. Megjithatë Çartallozi
vazhdon, shpreson, ëndërron. Për drurin e Rrobullit tremijëvjeçar trungu i të
cilit ishte aq i madh sa nuk e pushtonin dot as gjashtë burra me krahët e
nderë, brenda të cilit Perëndia pagane Konda kishte ndërtuar shtëpinë e vet me
gjithato dhoma, ballkone, korridore, e të tjera e të tjera.
Por
Çartallozi nuk ëndërron vetëm për drurë dhe gurë. Më së shumti Çartallozi Reis
Petriti ëndërron për Shqipëri, Histori, Flamur.
-Shqipëria
është vendi më i bukur në botë, thotë Çartallozi. Duhet ruajtur. Duhet
shpëtuar. Nga Dreqi që e ka kapur. Nga hajdutët që e vjedhin. Nga sëmundjet.
Nga vëllavrasja. Nga minjtë e Diktaturës që na janë kthyer në "Luanë"
të Demokracisë. Nga ushqimet e skaduara. Nga kriminelët që presin drurët dhe
vrasin kafshët.
-Si
do t'i bësh të tëra këto Çartalloz ?
-Do
martohem me Perëndeshën e këtyre anëve, shpëtimtaren Konda. Perëndeshës do t'i
ble një Pelë të bardhë. Unë dhe Konda mbi Pelë do shëtisim nëpër male, pyje,
shkëmbinj, lumenj, duke përhapur gjithandej, dritë, urtësi, mbarësi, mirësi,
dashuri, shumë mirësi, shumë dashuri.