E hene, 09.12.2024, 04:31 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Parajsa - Purgatori - Ferri

E merkure, 26.04.2023, 06:54 PM


Triptik

Nga Edison Ypi

Parajsa

Korabi, Tomorri, Gramozi, Dajti, pirgje pilafi të ngrohtë nga dalin avuj të bardhë që ngjiten ngadalë drejt qiellit.

Qingja, keca, viça, deshë të therur shkuar në heje druri që rrotullohen ngadalë nga shqiptarë të shëndetshëm, të larë e të krehur, të veshur e të mbathur, të ngeshëm e të qeshur.

Çobenë me krraba dhe guna krahëve duke thithur çibukët ose duke u rënë fyejve.

Detet plot me kos.

Dallgët e bardha të kosit paqësor rrahin pa rreshtur brigjet heroike të tokës arbërore.

Përrenjtë dhe lumenjtë Drini, Vjosa, Shkumbini, Erzeni, Devolli, sjellin nga malet drejt ultësirave birrë, raki, verë, ujë të gazuar, pije freskuese, vaj ulliri, lëngje frutash.

Liqenet përplot me mjalt dhe gjalp të freskët.

Ujëmbledhësat sa s'derdhen nga gjellët e ngrohta gati për tu servirur nëpër sofra dhe tavolina me pjata porcelani dhe lugë floriri.

Gjithandej pemë me fruta ekzotike. Kujt i teket zgjat dorën, i këput.

Eurot dhe Dollarot bien nga qielli në tokë si gjethe vjeshte. Nuk i prek kush. I mbledhin me fshesë dhe i djegin ose i dërgojnë nëpër banja për tu përdorur si letër higjenike.

Dielli dhe Hëna nuk lindin as nuk perëndojnë. Rrinë gjithë kohën varur përballë njëri-tjetrit gjatë një ditë-nate të pafundme.

Ca duke ecur, ca në këmbë, ca shtrirë, ca brinjas, shqiptarë të veshur e të mbathur, buçko që hanë e pinë e llafosen ulur nëpër stola a mbi lëndina të blerta.

Nuk ka shtet. Nuk ka ligje. Nuk ka polici. Nuk ka pare. Nuk ka taksa, dogana. Nuk lypsen.

Asnjë fabrikë, asnjë punishte, asnjë punë.

Dikush të vrasi tjetrin ose veten, ç'është ajo fjalë, nuk ndodh kurrë.

Purgatori

Tomorri, Gramozi, Dajti Dhëmbeli, male si gjithë malet me kullota, pyje, stane.

Rrëzë maleve, fshatra ku shqiptarë të fuqishëm, me pare kurbeti ose të ndonjë biznesi blegtoral, bujqësor, apo industrial, kanë ngritur shtëpi të reja me oborre të mëdhenj, garazhe, basene, ngrohësa diellorë dhe plot kaurrllëqe të tjera.

Shqipëria në NATO është e paprekëshme.

Deliret me armiq të huaj që Shqipërinë e kanë halë në sy dhe kockë në fyt, tashmë janë histori, janë në Muze'.

Bunkerët e fushave plot me të pëgëra janë hedhur në erë si një herë e një kohë kishat e xhamiat për të liruar tokat bujqësore nga pushtimi i turpshëm i vetvetes.

Ligji ta respekton edhe të drejtën për të vdekur nëse të teket ta bësh atë eksperiment me çfardolloj mënyre, për shembull duke vrarë ndonjë familjar, vëlla, motër, nënë, babë. Shteti demokratik, që i shërben shumicës së arësyeshme dhe jo një pakice të çmendur, është bashkësi mjetesh ligjore, jo bashkësi sentimentesh, emocionesh, subjektivizmash.

Vendet turistike malore dhe bregdetare arrihen përmes rrugëve të asfaltuara.

Restorante, hotele, supermarketa të panumurta gjithandej.

Në Europë, tek e cila edhepse jemi shpresojmë të hyjmë, shqiptarët venë e vinë lirisht pa viza.

Për të ngrënë e për të pirë, ka sa të dali tava e dhesë nga veshët dhe nga hundët derisa të pëllcasësh.

Shumica e fshatrave kanë nga dy e nga tre sallona bukurie.

Në çdo lagje qyteti ka qëndra fitnesi, masazhi, palestra, që frekuentohen nga shqiptarët për të mbajtur të tonifikuar trupin dhe trurin.

Hajvani që s'di Teoremën e Pitagorës nuk pengohet të thotë jam Ajnshtajn.

Cilitdo budalla që s'ka asnjë ide për ta komunikuar, i mundësohet të thotë me mburrje se është gazetar.

Secilit tutkun që s'lidh dot dy fjalë, i rezervohet e drejta, madje dhe inkurajohet, të thotë se është poet i shquar, shkrimtar i madh, mendimtar i pashoq.

Ferri

Korabi, Tomorri, Gramozi, Dajti, male të zymtë, të egër, ku kullosin ca dele zgjebarake dhe ca cjepër ngordhalaqë kooperative.

Rrëzë maleve nëpër ca fshatra të mjerë me ca shtëpiza si kotece dhe pa rrugë mbijetojnë fshatarë të sterrosur nga të ftohtët dhe të pangrënët që quhen "fshatarësi kooperativiste", gjallesa fantazmagorike që tek ikin flasin me vete pa e ditur ç'thonë.

Drejt vendbanimeve bregdetare, shtigje plot gropa që as Dreqi as Shejtani s'mund t'i quaj rrugë.

Të tilla vende, me Italinë më pak se 100 kilometra larg, quhen "Zona Kufitare".

Banorët e "Zonave Kufitare", sa ngaqë s'kanë çtë bëjnë, sa nga tmerri i çizmes së kufitarit mbi zhavorrin e bregut, j'a kërrcasin gjumit që në pesë pasdite.

Po ky muhabet, madje edhe më i egër, në fshatrat e kufirit tokësor.

Për lumenjtë dhe përrenjtë që vrapojnë drejt detit, s'i vete mendja kurrkujt për t'i parë çfarë bëjnë, rrjedhin apo shushurisin.

Përrenjve dhe shushurimave të ujrave nuk ua kanë ngenë as poetët të cilët gjithë kohës merren me kompromentimin e atij çik talenti që kanë, nëse e kanë, duke shkruar vargje për partinë e dashur që sundon me zjarr e hekur me në krye lavirin e pamposhtur.

Bujqësia prodhon pak fruta kokërrvogla, të shtremta, edhe më të krimbura se dhëmbët që i kafshojnë.

Nëpër qytete ca si dyqane që brenda kanë vetëm qepë, presh, kavanoza, dhe shitësen pisanjose që për tu bërë pronare e dyqanit pret të shembet diktatura e proletariatit.

Qytetarët shqiptarë të detyruar të spiunojnë dhe të spiunohen me njëri-tjetrin, të murrëtyer në surrat ecin rrugëve në jerm të plotë duke iu marrë këmbët.

Ca si fabrika që prodhojnë asgjë. As pranga për të lidhur keqbërësit, as tela me gjëmba për të mbrojtur kufirin.

Punishtet e drurit prodhojnë karrike dhe divane që kalben dhe u lëvizin ose u këputen këmbët gjashtë muaj pasi i ke blerë me kursimet e dhjetë viteve. Fjalët e para që mikpritësi, nga meraku mos mysafiri rrëxohet nga karrikja me këmbë të kalbura, nuk janë "mirseerdhe zotrote", por "prit ta vendos si duhet këmbën e karrikes që të rrish rehat".

Pare ka pak.

Por edhe sikur të ketë shumë, s'ke ç'i do, me 'to s'ke çfarë të blesh.

Shumë ka vetëm Shtet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora