Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ypi denbabaden
E diele, 26.06.2022, 07:56 PM
Ypi denbabaden
Nga
Edison Ypi
Qysh
fëmijë e dija se për shkak të kushërinjve të arratisur ose në burgje dhe
internime, mbiemri Ypi ishte sa i lavdishëm dhe problematik.
Kur
isha nja 10 vjeç, një mbrëmje dimri, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha
babait;
-Po
të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët.
Ndërroje mbiemrin.
-Si
ta bëj ? e pyeti babai me qesëndi.
-Bëje
"Shkëmbi".
Fisniku,
aristokrati, patrioti, eruditi, folësi i disa gjuhëve të huaja, anglofili që
katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por
Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, ju përgjigj dajës me kërcënim;
-Kurrë
nuk do ta ndërroj mbiemrin !
Ypi
elegant me një rrokje dhe tre gërma, Ypi muzikor me dy zanore të pafundme dhe
një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen
"Pi" brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e
mbiemrit ndoshta rreziqet do paksoheshin, vuajtjet do rralloheshin, do merrnim
frymë lirisht, nuk do tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do trembeshim ditën
e parakalimeve, nuk do na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit
Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait ishte, megjithatë, i arsyeshëm. Babai e
kishte të qartë se pikërisht pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më
i fuqishëm se Shkëmbi.
Episodi
me dajën dhe babain që refuzoi ta ndërronte mbiemrin, më mbeti në përfytyrim si
një varkë në mes të oqeanit, që ulet e ngrihet, duket e të zhduket, por nuk
mbytet.
E
dija që në Durrës jetonte Esat Ypi. E dija gjithashtu se Esat Ypi nuk ishte
kolonjar, pra nuk e kishim kushuri.
Në
botë Ypi kishte vetëm në Starje, në Kolonjë. Si ishte e mundur që Esati, pa
qënë kushuriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi ?!
Misterioziteti
kërcënues i Ypit të rrethuar me internime,
burgosje, pushkatime, varje në litar, po aq sa na pengonte ne ta pyesnim
Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na spjegonte ne pse e mbante atë
mbiemër.
Mirë
ne që rrota e proletariatit nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin
llaftarisës, po Esat Ypi pse nuk e ndërronte vallë mbiemrin kërcënues por i
kishte thënë byrum belasë dhe vazhdonte të vuante nën rrotën diktatoriale ?
Një
ditë, të vërtetën ma zbardhi vetë Esat Ypi.
Më
20 janar 1920 duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e
Kongresit të Lushnjes, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën
babai i Esat Ypit, Asllani. Në fund të ligjëratës, Asllan Ypi u tha të
pranishmëve;
Abdyl
Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Si Abdyl Ypi edhe unë, për armë kam
lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë, për
mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale që e goditi Abdyl Ypin, juve që
jeni këtu, përmes jush edhe gjithë shqiptarëve, se prej këtij çasti nuk quhem
më Asllan Demiri, por Asllan Ypi.
Gjatë
diktaturës Asllan Ypi i refuzoi këshillat e përsëritura të miqve për ta
ndërruar mbiemrin.
Vizionari
patriot Asllan, për tu vllazëruar me idhullin e tij të vdekur, intelektualin
patriot Abdyl Ypi, nuk prenë gishtat dhe pinë gjakun e njëritjetrit, por diçka
shumë më madhështore se gjakpirja, diçka unikale në historinë e botës dhe
njerzimit, i mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin sa të
rrezikshëm po aq të bukur dhe të lavdishëm nuk e ndërroi kurrë, për asnjë
arësye, për asnjë çmim.
Esat
Ypit, sa më tepër vuante aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait
vizionar Asllan Ypi.
Përipecitë
sfilitëse të Esat Ypit dashuruar pas mbiemrit të lavdishëm po aq sa dhe babai i
tij, vazhduan edhe pas shembjes së diktaturës.
Mbiemrin
Ypi nuk e ndërroi Asllani edhe po ta varje.
Nuk
e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje.
Nuk
e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje.
Nuk
do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arësye.
Ypi
vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk vdiq. Ypi kurrë nuk do vdesi.
Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë.
Për
inat të hyzmeqarëve qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që
Bej ka qënë, Bej është, Bej do jetë, do trashëgohet dhe huazohet pafund, nga
brezi në brez, denbabaden.