Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Erdh Pranvera
E marte, 25.04.2023, 07:54 PM
Erdh Pranvera
Nga
Edison Ypi
Erdhi
pranvera psikiatrike duke shtuar dukshëm numurin e shqiptarëve delirantë që nuk
kanë lidhje me realitetin por vetëm me dokishotizmin.
Pranvera
kulturore-artistike as po vjen as po ikën. Ka ngecur te klishetë socrealiste të
viteve 60 me ca plehra që të qorrojnë po ti lexosh, të shurdhojnë po ti dëgjosh,
të sëmurin kur sheh se vazhdojnë të jenë influentë, të vdesin kur mendon se
janë ende gjallë.
Pranvera
reflektive ka trokitur me dyshimin e frikshëm; Nëse konservativët e së shkuarës
kanë qënë sadopak të ngjajshëm me këta të sotmit, kurvi paska qënë zgjedhja më
e mirë.
Pranvera
komportamentale ka ardhur me një risi linguistike; femrat dhe meshkujt po
mallkohen në mënyrë të ndërsjelltë me cilësimin "kurvë".
Pranvera
mediatike televizive do vazhdojë të ketë për protagonistë po ata budallenj e
budallaqe të cilët ngaqë nuk e kanë në hesap audiencën së cilës i dedikohet
gjithçka, por llogaeisin vetëm veten e vet, i thonë të ftuarit; "Të
kuptova", "Më kënaqe", "Faleminderit që të pata në
studio". Se si i duken audiencës kolloqidhet me kënaqësira dhe
falenderime, shejtanbudallait apo shejtanbudallaqes që drejton emisionin nuk i
intereson aspak.
Ndërsa
pranvera mediatike e shtypit elektronik do shtojë numurin e rrugeçërve që i
thurin shkrimet në atë mënyrë, që shpifjet dhe të sharat më të ndyra të mos i
bëjnë ata vetë, por spiunat e Sigurimit nëpër komente.
Pranvera
dermatologjike po çfaqet me krruajtje të forta të fundshpinës për shkak të
dhimbjeve të kokës.
Pranvera
gjinekologjike po pritet të vijë me instruksione të hollësishme për lehtësimin
e ardhjes në jetë të sa më tepër bebeve të cilat kur rriten nuk duan të zënë
punë me dorë, por vetëm të hanë e të pinë, të vishën e të mbathen, dhe të
shetisin në Internet duke bërë klika me gisht mbi ekrane.
Pranvera
stomatologjike parashikohet ta përhapi edhe më tepër modën e dhëmbëve të
mëdhenj sa të kalit, të bardhë si gëlqere, me gjeometri të përsosur si të
vizatuara me kompjuter.
Pranvera
historike ka sjellë haberin se më së fundi do mblidhet një komision
pordhologësh për të hedhur dritë mbi sjelljen e çuditëshme të shqiptarëve të
shquar të cilët kurrë nuk vijnë, kurrë nuk përballen, por gjithmonë vetëm
largohen, vetëm fshihen.
Pranvera
filozofike e sivjetme do dominohet nga debati me temë; Shqiptari udhëhiqet nga
instinkti parak i kopesë, i skllavit, strucit, veshgjatit, gjarpërit, skiles,
kunadhes, pulës, apo lepurit ?
Pranvera
religjioze pritet të hedhë dritë mbi një numur besimtarësh shkolluar dhe
frymëzuar jashtë të cilët identitetin fetar e shkartisin me identitetin
politik.
Pranvera
politike po bën çmos të vazhdojë ta përforcojë trendin e kahershëm të politikës
shqiptare, që nuk përbëhet nga njerëz që e meritojnë, por nga individë
egocentristë, ziliqarë, arrivistë me zell të tepruar që mbushin boshllëqet e
atyre që përgatitjen e duhur e kanë, por s'dihet pse, pjesëmarrjen e refuzojnë.
Pranvera
reumatike po bën sa mundet për ndarjen e kockave nga muskujt në pritje që pas
pak të gjitha kockat të thahen dhe të gjitha muskujt të kalben.
Pranvera
farmaceutike po u thotë shqiptarët se sëmundjet dhe ilaçet për kurimin e sëmundjeve
janë të gjitha brenda tyre, por nuk po mundet ti bindi.
Pranvera
virtuale do vazhdojë ti largojë njerëzit nga njëri-tjetri, derisa i vetmi mik
në kërkim të një mikeshë prej mishi që ta puthi, dhe e vetmja mikeshë që
dëshiron të ketë një mik albuminoidal ta përqafojë, do mbetet celulari.
Pranvera
gastronomike me mishra dhe duhma rakie ka mbërritur me një menu aq shtazarake
sa para saj kazanat me lëtyra dhe këllira të magjistricave të Makbethit duken
gosti mbretërore.
Pranvera
nekrofilike, ajo me egoizëm, dashuri, vdekje, varr, baltë varri, do vazhdojë
sensibilizimin ndaj dukurisë; "Vdis para se të kuptosh sa budalla
je".
Pranverat
e aromës së Blirit, cicërrimave të zogjve, gurgullimit të krojeve, kaltërisë së
qiejve, nuk po duken as këtu as në horizont. Zoti e di nëse do vijnë ndonjëherë
apo na kanë braktisur përgjithmonë.