E merkure, 11.12.2024, 12:02 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Plani

E hene, 15.08.2022, 06:50 PM


Plani

Nga Edison Ypi

Burokratët e hartonin, proletarët e tejkalonin, armiqtë e pengonin.

Bosh, i pabesueshëm, subjektiv, fiktiv, propagandistik, pa asnjë lidhje me realitetin, nuk kishte asgjë më absurde se "Plani".

Habia që shkaktonte plani surreal ndaj punës inekzistente, kapërxente çdo përfytyrim, nuk kishte të krahasuar me asgjë. As me habinë tmerruese që shkaktonin arrestimet, internimet, burgosjet, pushkatimet, varjet, që, sado absurde, kishin një shkak, kishin një thelb, ishin të prekëshme, dikujt i intresonin.

Mund të provoje ta qasje, ta krahasoje, ta vijë të konkurronte me episode fantazmagorike librash, filmash apo rrëfimesh. E kotë. Ekzistenca e planit nuk qëndronte brenda asnjë logjike sado të çthurur, asnjë fantazie sado të zhubrosur, asnjë ëndërre sado të fandaksur.

Sado të lodheshe me kokën mes grushtash, esëll, apo pas tre dopjo raki, planit s'ja kapje dot fillin, s'ja justifikoje dot ekzistencën.

Plani gjithmonë ikte, gjithmonë dilte, gjithmonë avullonte, gjithmonë arratisej.

Shakaja e dikujt "Nëse nuk do që një punë të kryhet, bëj një plan për ta tejkaluar", përveçse e perifrazuar dhe e zbehtë, nuk ndihmonte aspak në zgjidhjen e enigmës.

"Plani punën apo puna planin" si veza dhe pula, gjithashtu nuk bindëte askend. Se veza dhe pula duke qënë të ngrënëshme ishin të prekëshme, dhe vërtet e bënin njëratjetrën, ndërsa plani dhe puna që pretendonin të ishin gjithaq shkak-pasojë sa veza dhe pula, nuk ekzistonin as bashkë as veç e veç.

Të kishe aftësinë që planin e asgjësë ta realizoje dhe tejkaloje në plan të punës nëpër relacione me raportime fiktive dhe marifete aritmetike, e bënin të gjithë, ishte më se normale.

Të mos e kishe talentin, e aq më keq dëshirën, për ta tejkaluar planin në letra, ishte krejt tjetër gjë. Duhej të jepje llogari "deri më 1" mbledhje pas mbledhje me pjesmarrje të të deleguarve nga komitetet e partisë në lidhje të drejtpërdrejtë me Sigurimin.

Rasti më fatlum për të shpëtuar nga tmerri i mosrealizimit në letra të planit ishte një groposjeje për së gjalli e vetvetes përmes një autokritike gjatë një mbledhjeje kolektivi, një autopërdhosje që t'i zbaviste dhe bindëte përfundimisht zhulsat e ndërmarrjeve dhe të uriturit e kooperativave se nuk je njeri por qen. Ky rast "pinte ujë". Se çfarë lidhje kishte pirja apo mos pirja e ujit në kontekstin kriminal të mundësisë ose pamundësisë për të realizuar e tejkaluar në letra një plan fantazmë, askush nuk ja kishte ngenë të pyeste. Kuptimi i thellë i shprehjes misterioze me ujë dhe pirje ose mos pirje, sot e kësaj dite ka mbetur mister.

Nëse vetpërdhosja e quajtur autokritikë, "s'pinte ujë", nën vështrimet e rrepta të sigurimsave që autokritikën vegroposëse e kqyrnin si radiologu radiografinë e mushkrisë në gjurmë të hijeve të turbekulozit, duhej të jepje llogari si e qysh e pse, cili je, nga cila familje rrjedh, ç'qëndrim kanë mbajtur të tutë gjatë luftës etj etj. Hija më e vogël, s'linte asnjë dyshim. Shpalleshe atypëraty sabotator, armik, kulak. Dy policë të hidhnin prangat në mes të mbledhjes së kolektivit, ku bëhej autokritika, ku pihej a s'pihej uji, ai që lart buronte i pastër por ndotej rrugës.

Sipas modeleve staliniste të krijimit të superherojve proletarë të uzinave dhe fabrikave prej të cilëve duhej të merrnin shembull gjithë të tjerët, hera-herës shpikeshin traktoristë, shoferë, mjelëse, që bënin diçka që kapërxente çdo përfytyrim; tejkalonin tejkalimin e planit.

Këta ishin ca Perëndi që ua kalonin atyre të Olimpit, nuk flinin as ditë as natë. Gjithë kohës vetëm punonin duke bërë rrëmujë kronologjinë, duke çvleftësuar kalendarin. E tejkalonin tejkalimin e planit aq tepër sa nëse dikush që planin thjesht e tejkalonte dhe me kalendarin dhe kronologjinë s'kishte asnjë kontradiktë, tjetri, stakanovisti, traktoristi, mjelësja, minatori, që tejkalonin tejkalimin e planit ndodheshin përpara në kohë si personazhet e librave divulgues të teorive të Ajnshtajnit që pretendojnë qartësimin e karakterit relativ të njëkohshmërisë së ngjarjeve. Tejkaluesi i tejkalimit të planit ndaj tejkaluesit të planit, aq vite para në të ardhmen sa plumba ballit gjatë pushkatimit sabotatorit që nuk kishte realizuar në letra planin, nja dhjetë.

Që sigurimi arrestonte dhe internonte me plan të cilin gjithashtu e realizonte dhe tejkalonte rregullisht, këtë mileti edhe e dinte dhe nuk e dinte.

Që Lasgushi, Vedat kokona, Mitrush Kuteli dhe të tjerë pëkthenin me plan, e dinin disa, por brenda frikërave shumë më të llahtarëshme se leximi "pa plan" i përkthimeve "me plan" për të cilat të ikte koka, këtij fakti nuk i jepej rëndësi.

Të dëgjoje prej dikujt "Kam bërë plan të martohem sivjet", ishte më se normale.

Të thoshte dikush tjetër "Kam bërë plan të afrohem me filankën", që në Shqipen e sotme ishte ekuivalente me "kam rënë në dashuri me një zuskë", edhe kjo ishte mëse normale. Por në këtë rast duhej të bëje shumë kujdes, se me zuskën që ishe dashuruar, deshe-s'deshe pas pak do fejoheshe, do martoheshe, dhe pak më pas do pillje bastarda.

Plan objektiv, objektivat e planit, plan 5 vjeçar, plan vjetor, plan mujor, plan ditor, plan masash, plan prodhimesh etj. etj.

Kurrë nën 100 %. Gjithmonë mbi 100 %.

Bënte përshtypje shifra pas 100-ës. Ishte gjithmonë e saktë, gjithmonë e përpiktë, gjithmonë me një presje dhjetore dhe një shifër nga pas, 138.7, 129.2, 111.8, jo rrallë edhe me dy shifra dhjetore, 123.57 % ose edhe 183, 27 %.

Lajmet në televizor nisnin me tejkalimin e planit. Shkarazi përmendeshin "vështirësitë" që kurrë nuk cilësoheshin.

Gazetat me gërma të mëdha jepnin në faqen e parë shifrat e tejkalimit të planit

Mbledhjet nisnin dhe mbaronin me realizimin dhe tejkalimin e planit.

Kishte punë me plan, por nuk u dëgjua kurrë për ndonjë plan me punë.

Flitej për gjëra që duhej të ishin në plan të parë. Për plan të dytë e të tretë, kurrë.

Plani i punës edukative, të linte pa ment.

Në pamundësi absolute për të patur një ide çfarë ishte plani aktual, "plani perspektiv" linte me gojë hapur të madh e të vogël.

Plani real, objektiv, ishte një çmenduri që s'rrëfehet dot me fjalë.

Komisioni i planit, ishte një tufë burokratësh.

Pikat e planit ishin një shpikje që do zilepste Xhorxh Oruellin.

E kështu me rradhë, me plane që tejkaloheshin dhe punë që nuk bëheshin, derisa një ditë kur nuk u bë dot asnjë plan dhe asnjë punë, të gjithë muar arratinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora