E shtune, 13.07.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Mik i vogël i librit

E enjte, 27.04.2023, 07:56 PM


Mik i vogël i librit

Nga Edison Ypi

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj ?

S’besoj se mund të quhen “Bibliotekë” garrumbujt e librave në shtëpinë time. Librin, si libër, si letër, si objekt, e fetishizojnë mediokrit. Libri nuk është qëllim. Libri është mjet që transferon idetë nga autori tek lexuesi. Gjithçka që ndodhet mes të dyve; letra, libraria, ceremonia, nuk janë interesante. Nuk ka “libra të rinj” dhe “libra të vjetër”. Ka libra. Librat dhe kronologjia nuk kanë lidhje. Librat nuk u nënështrohen konvencioneve.

-Librat i zgjidhni nga autori apo nga zhanri ?

Nuk e zgjedh unë librin. Libri më zgjedh mua, Libri më gjen mua. Kudo ku ndodhem. Edhe prapa diellit po të jem fshehur. Nuk e di si ndodh. Thjesht ndodh.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë ?

Pse do t’i kisha nëse nuk do t’i lexoja ?! Ka që librat i mbajnë për t’ua lexuar biblioteka. Unë nuk jam rasti. Mbaj dhe lexoj edhe libra-këllira. Llumrat letrarë janë si llixhat. Kutlrbojnë, por kanë efekt kurativ. Të bëjnë për të qeshur. Ta mbajnë gjallë vigjilencën ndaj bërllogjeve letrare.

-Libri i parë që keni lexuar ?

Taras Bulba, është i pari libër serioz që kam lexuar. Isha në klasën e tretë ose të katërt fillore. Mësuesja na dha nga një libër për ta lexuar dhe komentuar. Mua Taras Bulbën. Mbresat mahnitëse të atij libri të hatashëm i kam ende të gjalla. S’besoj se ka sot mësuese filloreje tu japi nxënësve të lexojnë të tillë libra. Në diktaturë koha ishte e Djallit, librat ishin të njerëzve. Në Demokraci koha është e njerëzve, librat janë të Djallit.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë ?

Libri nuk është shtëpi ose makinë që të kursesh për ta blerë. Ethja për të lexuar një libër është si padurimi për të bërë seks. Unë librin e dua si femër. Femrën e dua si libër. Të dy bashkë, femra dhe libri, janë Parajsa.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student ?

Me asnjë. Librat nuk ndahen. Librat lexohen. Ndahen dhe shpërndahen idetë e librave. Kam provuar t’i komunikoj emocionet e leximeve. Por pa sukses. Në Diktaturë, sapo nisja tu flisja për Rudini-n, më thoshin; “po iki se jam turni i tretë”. Në Demomraci, sapo hap gojën tu them ndonjë gjë për Ebu Qerimin, u bie celulari.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit ?

Jo. Bënte pjesë në përbuzjen që i bëja mizërisë së hajvanllëqeve të asaj kohe.

-Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot ?

Kam tentuar, por jam larguar i tmerruar. Bibliotekat e diktaturës ishin plot me spiunë. Tani janë plot me grafomanë që hiqen për shkrimtarë, dhe mitomanë që mbahen për dijetarë.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më ?

Marrja mosmarrja, kthimi moskthimi, miku mikesha, me ndërgjegje pa ndërgjegje, janë ojna, nuk kanë lidhje me librat e mirë, leximet serioze, lexuesit e pasionuar.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur ?

Humbin libra që mbahen nëpër biblioteka. Nuk mund të humbin librat që ruhen brenda kafkës.

-A lexonit dikur libra të ndaluar ?

Po. “I huaji”, “Krim dhe ndëshkim”, “Sonata e Krajcerit”, etj. Qarkullonin dorë më dorë mes miqsh. Që ndonjëri mund të ishte spiun. Por nuk ndaleshim së lexuari libra të tillë. Qefi i leximit e tejkalonte frikën e spiunimit. Ishin kryesisht anglisht dhe italisht, por edhe përkthime trashanike që vinin nga Kosova. Ndodhte që, në përputhje me humoret e diktatorit, ndonjë libër i lejuar bëhej befas libër i ndaluar. E kundërta nuk ndodhte. Ka pasur dhe libra të ndaluar që i shpërndante sigurimi. Leximi i librave të ndaluar na jepte kënaqësi, por nuk ishte domosdoshmëri. Fan Noli, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Petro Zheji, Afrim Koçi, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Aurel Plasari dhe të tjerë, përkthyen pothuaj krejt letërsinë klasike. Modernistët jo. Megjithatë, për një gjindje që hante çdo mbëmje përshesh me kos dhe mbathte dhjetë vjet të njëjtat këpucë, mungesa e autorëve modernistë s’ishte nga vuajtjet më të mëdha, si po thonë disa nga ata që librat i mbajnë nëpër biblioteka t’ua shohin mysafirët. Nëse shtëpia ka themele dhe mure të forta, nuk është ndonjë hata’ pse çatisë i mungojnë disa tjegulla.

-Dhurimi i librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhni vetë ?

Librat nuk dhurohen. Librat blihen. Librat ja dhurojnë njëri-tjetrit snobat, vanitozët, ata që s’kanë haber nga leximet dhe s’duan t’ja dinë për lodhjet e autorëve. Librat i dhurojnë edhe autorët mediokër. Më të lezeçmit prej tyre janë ca që pasi ma lënë librin në dorë më thonë; Ma shaj librin në gazetë. Demek, ma lëvdo, por edhe po ma shave reklamë është. Dhe unë, pasi i falenderoj, “dhuratën” e hedh e në kosh.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit ? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës ?

Zakoni im i leximit është harrimi. Kur lexoj unë harrohem. Kur lexoj nuk më intereson kush e ka shkruar, pse e ka shkruar, a është njeri i mirë apo i keq ai që e ka shkruar, a e ka gruan të bukur, a shkon me kurva, etj. Për pozicionin duhen pyetur ata që më kanë parë duke lexuar. Që zor ta dinë. Se unë librat i lexoj sipër reve ose në fund të detit.

-Në cilën gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni ?

Ndryshe nga filmi të cilin e shohin të gjithë njëlloj, librin e lexojnë të gjithë në mënyra të ndryshme. Gjuhët e ndryshme të secilit janë çimentoja që nuk e lë të shembet dhe e bën të pavdekshme Katedralen e Letërsisë. Ky "paradoks" ndodh sepse autorët, jo ata humbamenot që e shkojnë jetën nëpër promuovimet e njëri-tjetrit, por autorët seriozë, nuk janë njerëz normalë. Autorët janë të çmendur. Autorët janë djaj me fantazi të ndezur, mendje të zhdërvjellët, të përvuajtur të vetmuar me vullnet të hekurt që hedhin mbi letër marazet e lexuesve në formë perlash. Djalli gdhend perla. Zoti nuk gdhend perla. Zoti bën bakllava, revani, gjëra të ëmbla. Mardhënia gjuhë-autor-lexues-shkrim-lexim është një marramendje plot me mistere, kyçin e zbërthimit të të cilave para mijëra vitesh një idiot e hodhi në det.

-Mbani shënime kur lexoni ?

Kurrë. Të lexosh “me laps në dorë” dëshmon egoizëm, pafuqi, pamjaftueshmëri ndjeshmërie. Leximi lyp altruizëm dhe ndjeshmëri të plotë. Pa altruizmin dhe ndjeshmërinë integrale është e pamundur kqyrja e perlave drithëruese shumicën e të cilave përbindshat e shenjtë e mbyllin nëpër guacka. Lexo me çfarë të duash në dorë, edhe me lugë, pirua, po deshe edhe me thikë në dorë, por kurrë me laps në dorë.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia ?

Nëse poezia është deti, dallgët, qielli, dielli, hëna, yjet, dhe proza është toka, malet, pyjet, lumenjtë, leximi është era që fryn mbi të dyja dhe mbi të gjitha.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër ?

Homeri, Dante, Shekspiri, Kadare, dhe pak të tjerë. Ai që vdes pa i lexuar këta është një i mjerë fatkeq pa asnjë shpresë për të vajtur në Ferr. Se Ferri është interesant, i gjallë plot jetë. Parajsa është vend i bukur por i mërzitshëm.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Nuk besoj se ekziston. Afër tij janë "Komedia Hyjnore", “Don Kishoti", "Pinoku", “Hamleti”.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin ?

"Komedia Hyjnore", "Makbethi", "Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave".

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh.

“Mik i vogël i librit”

Ishte shkruar mbi një distingtiv të kuq që ja varnin në gjoks kalamajve që lexonin këllirat e diktatorit.

Pra jo “Mik i madh i librit”, por “Mik i vogël i librit”, domethënë armik i librit, ashtu si , fatkeqësisht, sot një numur jo i vogël shqiptarësh, janë. Shekspiri, Tolstoi, Mark Tueini, Oskar Uajlldi, do donin, por nuk kanë mundur të thonë me vetëm tre fjalë një të tillë makabritet verbal.

-Na thoni një varg të preferuar poezie.

Tek “Poradeci” i Lasgushit është vargu më drithërues, më magjepsës, më sugjestiv i krejt çfarë është shkruar në këtë botë prejkur shkrimi është shpikur - "Po tani ?"

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni ?

Edisonit, lexuesit të kuptueshëm më mirë se kritikët letrarë

Kujtim nga autori

Tiranë

21 gusht 1974

Në faqen 3 të “Dimrit të Vetmisë së Madhe”. Më 1974. Në mesin e mesnatës së diktaturës. Kur çdo fjalë ishte një psherëtimë, çdo hije një spiun, ç‘do kërcitje një çizme, çdo zhurmë një prangosje. Atëhere kur jo ta thoje apo ta shkruaje, por edhe vetëm ta mendoje, se Edison Ypi, ky pinjoll “kolaboracionistësh” dhe “tradhëtarësh” paskësh kuptushmëri letrare më të madhe se “kritikët letrarë” që ishin syri vigjilent i Sigurimit, duhej një guxim i çmendur që e pati një i marrë, autori gjenial.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora