| E enjte, 27.04.2023, 07:56 PM |
Mik
i vogël i librit
Nga
Edison Ypi
-Libri
më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj ?
S’besoj
se mund të quhen “Bibliotekë” garrumbujt e librave në shtëpinë time. Librin, si
libër, si letër, si objekt, e fetishizojnë mediokrit. Libri nuk është qëllim.
Libri është mjet që transferon idetë nga autori tek lexuesi. Gjithçka që
ndodhet mes të dyve; letra, libraria, ceremonia, nuk janë interesante. Nuk ka
“libra të rinj” dhe “libra të vjetër”. Ka libra. Librat dhe kronologjia nuk
kanë lidhje. Librat nuk u nënështrohen konvencioneve.
-Librat
i zgjidhni nga autori apo nga zhanri ?
Nuk
e zgjedh unë librin. Libri më zgjedh mua, Libri më gjen mua. Kudo ku ndodhem.
Edhe prapa diellit po të jem fshehur. Nuk e di si ndodh. Thjesht ndodh.
-I
keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë ?
Pse
do t’i kisha nëse nuk do t’i lexoja ?! Ka që librat i mbajnë për t’ua lexuar
biblioteka. Unë nuk jam rasti. Mbaj dhe lexoj edhe libra-këllira. Llumrat
letrarë janë si llixhat. Kutlrbojnë, por kanë efekt kurativ. Të bëjnë për të
qeshur. Ta mbajnë gjallë vigjilencën ndaj bërllogjeve letrare.
-Libri
i parë që keni lexuar ?
Taras
Bulba, është i pari libër serioz që kam lexuar. Isha në klasën e tretë ose të
katërt fillore. Mësuesja na dha nga një libër për ta lexuar dhe komentuar. Mua
Taras Bulbën. Mbresat mahnitëse të atij libri të hatashëm i kam ende të gjalla.
S’besoj se ka sot mësuese filloreje tu japi nxënësve të lexojnë të tillë libra.
Në diktaturë koha ishte e Djallit, librat ishin të njerëzve. Në Demokraci koha
është e njerëzve, librat janë të Djallit.
-Libri
i parë që keni kursyer për ta blerë ?
Libri
nuk është shtëpi ose makinë që të kursesh për ta blerë. Ethja për të lexuar një
libër është si padurimi për të bërë seks. Unë librin e dua si femër. Femrën e
dua si libër. Të dy bashkë, femra dhe libri, janë Parajsa.
-Me
kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student ?
Me
asnjë. Librat nuk ndahen. Librat lexohen. Ndahen dhe shpërndahen idetë e
librave. Kam provuar t’i komunikoj emocionet e leximeve. Por pa sukses. Në
Diktaturë, sapo nisja tu flisja për Rudini-n, më thoshin; “po iki se jam turni
i tretë”. Në Demomraci, sapo hap gojën tu them ndonjë gjë për Ebu Qerimin, u
bie celulari.
-A
keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit ?
Jo.
Bënte pjesë në përbuzjen që i bëja mizërisë së hajvanllëqeve të asaj kohe.
-Sa
shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot ?
Kam
tentuar, por jam larguar i tmerruar. Bibliotekat e diktaturës ishin plot me
spiunë. Tani janë plot me grafomanë që hiqen për shkrimtarë, dhe mitomanë që
mbahen për dijetarë.
-I
keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia
keni kthyer më ?
Marrja
mosmarrja, kthimi moskthimi, miku mikesha, me ndërgjegje pa ndërgjegje, janë
ojna, nuk kanë lidhje me librat e mirë, leximet serioze, lexuesit e pasionuar.
-Keni
humbur libra që i keni pasur shumë të dashur ?
Humbin
libra që mbahen nëpër biblioteka. Nuk mund të humbin librat që ruhen brenda
kafkës.
-A
lexonit dikur libra të ndaluar ?
Po.
“I huaji”, “Krim dhe ndëshkim”, “Sonata e Krajcerit”, etj. Qarkullonin dorë më
dorë mes miqsh. Që ndonjëri mund të ishte spiun. Por nuk ndaleshim së lexuari
libra të tillë. Qefi i leximit e tejkalonte frikën e spiunimit. Ishin kryesisht
anglisht dhe italisht, por edhe përkthime trashanike që vinin nga Kosova.
Ndodhte që, në përputhje me humoret e diktatorit, ndonjë libër i lejuar bëhej
befas libër i ndaluar. E kundërta nuk ndodhte. Ka pasur dhe libra të ndaluar që
i shpërndante sigurimi. Leximi i librave të ndaluar na jepte kënaqësi, por nuk
ishte domosdoshmëri. Fan Noli, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Petro Zheji, Afrim
Koçi, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Aurel Plasari dhe të tjerë, përkthyen
pothuaj krejt letërsinë klasike. Modernistët jo. Megjithatë, për një gjindje që
hante çdo mbëmje përshesh me kos dhe mbathte dhjetë vjet të njëjtat këpucë,
mungesa e autorëve modernistë s’ishte nga vuajtjet më të mëdha, si po thonë
disa nga ata që librat i mbajnë nëpër biblioteka t’ua shohin mysafirët. Nëse
shtëpia ka themele dhe mure të forta, nuk është ndonjë hata’ pse çatisë i
mungojnë disa tjegulla.
-Dhurimi
i librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhni vetë
?
Librat
nuk dhurohen. Librat blihen. Librat ja dhurojnë njëri-tjetrit snobat,
vanitozët, ata që s’kanë haber nga leximet dhe s’duan t’ja dinë për lodhjet e
autorëve. Librat i dhurojnë edhe autorët mediokër. Më të lezeçmit prej tyre
janë ca që pasi ma lënë librin në dorë më thonë; Ma shaj librin në gazetë.
Demek, ma lëvdo, por edhe po ma shave reklamë është. Dhe unë, pasi i
falenderoj, “dhuratën” e hedh e në kosh.
-Cilat
janë zakonet tuaja të leximit ? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e
punës ?
Zakoni
im i leximit është harrimi. Kur lexoj unë harrohem. Kur lexoj nuk më intereson
kush e ka shkruar, pse e ka shkruar, a është njeri i mirë apo i keq ai që e ka
shkruar, a e ka gruan të bukur, a shkon me kurva, etj. Për pozicionin duhen
pyetur ata që më kanë parë duke lexuar. Që zor ta dinë. Se unë librat i lexoj
sipër reve ose në fund të detit.
-Në
cilën gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni ?
Ndryshe
nga filmi të cilin e shohin të gjithë njëlloj, librin e lexojnë të gjithë në
mënyra të ndryshme. Gjuhët e ndryshme të secilit janë çimentoja që nuk e lë të
shembet dhe e bën të pavdekshme Katedralen e Letërsisë. Ky "paradoks"
ndodh sepse autorët, jo ata humbamenot që e shkojnë jetën nëpër promuovimet e
njëri-tjetrit, por autorët seriozë, nuk janë njerëz normalë. Autorët janë të
çmendur. Autorët janë djaj me fantazi të ndezur, mendje të zhdërvjellët, të
përvuajtur të vetmuar me vullnet të hekurt që hedhin mbi letër marazet e
lexuesve në formë perlash. Djalli gdhend perla. Zoti nuk gdhend perla. Zoti bën
bakllava, revani, gjëra të ëmbla. Mardhënia gjuhë-autor-lexues-shkrim-lexim
është një marramendje plot me mistere, kyçin e zbërthimit të të cilave para
mijëra vitesh një idiot e hodhi në det.
-Mbani
shënime kur lexoni ?
Kurrë.
Të lexosh “me laps në dorë” dëshmon egoizëm, pafuqi, pamjaftueshmëri
ndjeshmërie. Leximi lyp altruizëm dhe ndjeshmëri të plotë. Pa altruizmin dhe
ndjeshmërinë integrale është e pamundur kqyrja e perlave drithëruese shumicën e
të cilave përbindshat e shenjtë e mbyllin nëpër guacka. Lexo me çfarë të duash
në dorë, edhe me lugë, pirua, po deshe edhe me thikë në dorë, por kurrë me laps
në dorë.
-Në
letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia ?
Nëse
poezia është deti, dallgët, qielli, dielli, hëna, yjet, dhe proza është toka,
malet, pyjet, lumenjtë, leximi është era që fryn mbi të dyja dhe mbi të gjitha.
-Cilët
janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër ?
Homeri,
Dante, Shekspiri, Kadare, dhe pak të tjerë. Ai që vdes pa i lexuar këta është
një i mjerë fatkeq pa asnjë shpresë për të vajtur në Ferr. Se Ferri është
interesant, i gjallë plot jetë. Parajsa është vend i bukur por i mërzitshëm.
-A
ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Nuk
besoj se ekziston. Afër tij janë "Komedia Hyjnore", “Don
Kishoti", "Pinoku", “Hamleti”.
-Po
t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i
shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin ?
"Komedia
Hyjnore", "Makbethi", "Nëpunësi i Pallatit të
Ëndrrave".
-Na
thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh.
“Mik
i vogël i librit”
Ishte
shkruar mbi një distingtiv të kuq që ja varnin në gjoks kalamajve që lexonin
këllirat e diktatorit.
Pra
jo “Mik i madh i librit”, por “Mik i vogël i librit”, domethënë armik i librit,
ashtu si , fatkeqësisht, sot një numur jo i vogël shqiptarësh, janë. Shekspiri,
Tolstoi, Mark Tueini, Oskar Uajlldi, do donin, por nuk kanë mundur të thonë me
vetëm tre fjalë një të tillë makabritet verbal.
-Na
thoni një varg të preferuar poezie.
Tek
“Poradeci” i Lasgushit është vargu më drithërues, më magjepsës, më sugjestiv i
krejt çfarë është shkruar në këtë botë prejkur shkrimi është shpikur - "Po
tani ?"
-Autografi
më i çmuar apo më i çuditshëm që keni ?
Edisonit,
lexuesit të kuptueshëm më mirë se kritikët letrarë
Kujtim nga autori
Tiranë
21 gusht 1974
Në
faqen 3 të “Dimrit të Vetmisë së Madhe”. Më 1974. Në mesin e mesnatës së
diktaturës. Kur çdo fjalë ishte një psherëtimë, çdo hije një spiun, ç‘do
kërcitje një çizme, çdo zhurmë një prangosje. Atëhere kur jo ta thoje apo ta
shkruaje, por edhe vetëm ta mendoje, se Edison Ypi, ky pinjoll
“kolaboracionistësh” dhe “tradhëtarësh” paskësh kuptushmëri letrare më të madhe
se “kritikët letrarë” që ishin syri vigjilent i Sigurimit, duhej një guxim i
çmendur që e pati një i marrë, autori gjenial.