Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Idhnaku Klosi
E premte, 28.04.2023, 09:35 PM
Idhnaku Klosi
Nga
Edison Ypi
Ashtu
e kam ditur edhe unë Dan; Që nuk flitet keq për të vdekurin. Për të vdekurin
flitet vetëm mirë. Sepse i vdekuri nuk dëgjon, dhe nga fjalët e mira nuk i
rritet mendja. Keq flitet vetëm për të gjallin, i cili dëgjon, kupton,
turbullohet, dëshpërohet, ndonjëherë aq tepër, sa bën si bëre ti.
Kjo
simetri e frikshme, ky trend makabër me të vdekur të cilët duhen ruajtur nga
rritja e mendjes, dhe të gjallë të cilët edhe pa asnjë shkak duhen ndëshkuar me
fjalë të helmëta, tashmë në Shqipëri i ka shpërndarë aq thellë metastazat, sa
“mirë” flitet vetëm për të vdekurit e këqij, dhe “keq” vetëm për të gjallët e
mirë. Shtoi kësaj edhe nuancat, tmerret e pafundme që rrjedhin nga kombinimet e
panumërta të heshtjes memece, të folurit gjysmak, të gjallët e vdekur, të vdekurit
e gjallë, të gjallët e gjallë, të vdekurit e vdekur, edhe pse i vdekur e merr
me mend vetë ti sa e ngatërruar bëhet tabloja.
Prandaj,
unë o Dan, gjatë këtij komunikimi postum me ty, do bëj diçka më të thjeshtë. Do
kujtoj disa dromca ilustruese.
Me
rastin e vetëvarjes tënde, Edi Rama shkroi një redaksional. Një tekst hyper
patetik. Një eksperiment intelektual, një sprovë grafologjike lakrimogjene, për
nga efektet pothuajse identike me atë që i kushtoi Gim Myftiut ca vite të
shkuara. Requiemi i Ramës për ty më kujtoi atë që ti Dan vet’ më pate thënë një
ditë se të kishte mbetur hatri lidhur me një udhëtim që ti dhe Rama kishit bërë
në Itali, kur gjatë atyre dy apo tri ditëve Rama s’të kishte folur asnjë fjalë.
Unë
e ti Dan jemi njohur më 1981 në Pogradec, kur diku buzë Liqerit të thashë pa të
përshëndetur;
-A
e di ti Dan Klosi se atje përtej në katin e dytë të një shtëpie të rrënuar që
duket si kullat e Frankfurtit, gjysmë shtrirë mbi një divan gdhihet e ngryset i
fundmi Rilindas, Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Lasgush
Poradeci ?
-Faleminderit.
Nuk e pi.
Më
la pa mend kjo lloj përgjigjeje që besoj se kishte kuptimin; “Mos më ngatërro
me këto gjëra”. Por nuk e zgjata.
Nga
ajo ditë u bëmë miq. Nga ata që takohen rrallë. Sepse unë, vëllain në burg, ti
në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, nuk mund të ishim aq miq sa të dëgjonim
Bitëllsat dhe të kërcenim Rock and Roll në ndonjë bodrum të Shallvareve. Ama e
vërteta është, duhet thënë patjetër edhe kjo, njohja jonë ndodhi ndërkohë që
pothuaj të gjithë miqtë e mëparshëm më patën braktisur.
Në
ato kohë ti më tregoje gallata nga Shtëpia Botuese.
Po
bëhej një mbledhje ku flitej kërcënueshëm nëse i vlente apo jo Diktatorit “Viti
i Mbrapshtë”. Ismaili, i strukur nga atje ku rrinte, të dërgoi ty dorë më dorë një
pusulle të palosur ku kishte perifrazuar veten:
“Ç’më
ka hije pena, Dan o kapedan,
ta
botoj “Vitin”, bytha s’po ma mban”.
Dhe
qeshnim pafund me këtë e të tjera të tilla.
Pavarësisht
si u kokolepsën punët më vonë, ti në atë kohë ishte dishepull i zjarrtë i
Ismailit. Apo jo ?!
Një
herë tjetër të thashë se Dritëro Agolli nuk është as shkrimtar as poet, por
vetëm inkuizitor. Nuk refuzove, por the: Kujdes me këto gjëra, se Dritëroi mund
të jetë a të mos jetë si thua ti, por nuk është budalla.
Në
1988, ti, edhepse thoshe se i adhuroje, s’kishe asnjë ide ku tretej Lasgushi
dhe ku dergjej Petro Zheji. Edhe tek Lasgushi, edhe tek Zheji, ty Dan të
shoqërova unë.
Zhejin
e dëgjove me shumë vëmendje. Më tregove edhe se si në një tjetër mbledhje në po
atë shtëpi botuese, në një moment kur një i ardhur nga një komitet partie
kishte përmendur “një gënjeshtër që thuhej në Bibël”, Zheji e kishte ndërprerë
duke i thënë; “Ju lutem, a mund të dal pak jashtë ?” E kishte lejuar lektori
Zhejin të dilte duke menduar se Zhejit i duhej të shkonte në fund të
korridorit. Mirëpo Zheji që kishte vajtur në një apartament të ngushtë aty
pranë ku jetonte aso kohe, ishte kthyer pas pak minutash me një Bibël në duar
duke i thënë komitetsit: “Ja Bibla, ku është ajo gënjeshtra ?!”
Lasgushin,
edhe atë e dëgjove gjithashtu me shumë vëmendje. Gjatë asaj vizite, në një
moment Lasgushi të la pa frymë kur tha: Tani mund të flasim sa të duam, se ai
ka vdekur. Fjalë këto, për të cilat, tre vite pasi Diktatori kishte ngordhur të
ikte koka. Unë me këto thagma të Lasgushit isha mësuar. Ndërsa ty, megjithëse
me atë batutë qeshe sa deshe, sa s’të ra pika. Gjatë atij takimi me Lasgushin,
që për mua mund të ishte i njëqindti, ndërsa për ty i pari dhe i fundit, ti
more edhe shënime në një bllok. Që pastaj ai bllok të humbi dhe e qave tërë
kohën. Por nuk e kuptova kurrë natyrën e adhurimit tënd për Lasgushin. Ndërkohë
që s’ma bëre kurrë të ditur cilën poezi apo poet preferoje, për Poezinë e
Lasgushit më pate thënë disa herë se nuk e pëlqeje.
Pastaj
erdhi ’90-a, dhe ato që dihen.
Në
një miting në Sheshin “Skënderbej”, kur turma po shpartallonte klubin e
Ministrisë së Brendshme dhe po digjte makina, t’u afrova dhe të thashë se ishte
rast i mirë për ta bërë si në Shkodër, domethënë të gjenim një mënyrë për t’i
thënë turmës të rrafshonte komitetin e partisë së Tiranës, godinën ku sot është
selia e Partisë Socialiste. Në vend të përgjigjes lëshove një hungërimë
refuzuese idhnake.
Pak
më vonë u mor vesh prishja jote e beftë me Ismailin. Idhnimi yt i papritur me
Ismailin më ka mbetur sot e kësaj dite më i mistershëm se unazat e Saturnit.
Qarkulluan fjalë, madje një miku im e shkroi edhe në një libër se ke qenë spiun
i Sigurimit dhe ke marrë më qafë Linx Ngjelën. Këtë gjë unë nuk e kam besuar
dhe nuk do ta besoj pa u hapur dosjet, të cilat, meqë ra fjala, duhet
urgjentisht të hapen. Por ti Dan disa gabime atëherë i bëre. Ju të dy, ti dhe
Edi Rama, u rrekët t’i ngrinit piedestal dikujt që e quajtët shkrimtar dhe
disident, por që në fakt nuk është as i tillë as i atillë. Sa i përket të qënit
antikomunist, ishte një njeri që ka vrarë me dorën e vet, dhe, sa i përket të
qënit shkrimtar, është aq i paditur sa nuk thotë “pastaj”, por “mbasandaj”.
Jo
për gjysmakët dhe hipokritët që sot bëjnë sikur pendohen duke thënë se bënë
gabim që nuk të ndenjën afër, dhe as për legenat që mburren se po flasin demek
mirë për ty në kafazin e budallenjve që quhet Fejsbuk, por për njerëzit
seriozë, duhet thënë edhe se shumicën e muhabeteve dhe shakave, ashtu i kishte
ti Dan, me vdekje. Për shembull, kur takoheshim më thoshe: “Eh, në betejën
kundra mediokritetit, edhe unë mund të mburrem me një viktimë, Mira Meksin. Të
cilën vërtet e masakrova, por nuk arrita ta vdisja dhe ta varrosja. Ndërsa ti
Edison ke bilanc më të mirë në këtë drejtim, dhe të kam zili. Sepse prejkur
bëre atë shkrimin “Sikur Rudina…”, Xhunga nuk thotë më jam shkrimtare, jam
romanciere.
Vrau
veten një soc-aktor që pat’ luajtur role komisarësh dhe komandantësh trima në
atë luftën që ka ekzistuar vetëm nëpër filma. Ky aktori, pas ’90-ës, befas
ktheu pllakën. U kujtua t’i ngjajë Klint Istvudit. Më vonë vendosi të
vetëvritet si Bekim Fehmiu. Unë, i habitur nga kjo marri’, bëra një shkrim me
titull “Secili vdekjen e vet” ku thoja se kush ka bërë jetë plehu nuk mund të
pretendojë vdekje gjeniu. Ti Dan, pa ma përmendur emrin, reagove atëherë tek
gazeta “Shekulli” me një shkrim idhnak “Këta s’të lënë as të vdesësh”. Gënjeve.
E provove më se një herë, dhe askush s’të pengoi. Pak ditë pas daljes së
shkrimit tënd reagues idhnak, pronari i gazetës që botoi shkrimin tim, më tha
se ti Dan, pezmin nuk e kishe pasur as me ata që gjatë Diktaturës penguan të
shumtët të jetonin, dhe as me ata që sot, sipas teje, pengojnë ndonjë të rrallë
si ty të vdesi, por me tjetër njeri. Me vet’ pronarin e asaj gazete, i cili të
kishte refuzuar marrjen në punë si fotografe të gruas tënde Jutta.
Dan,
bëre përkthime të mira, të zgjedhura, të vlefshme, por të ftohta.
Librat
e tu nuk u lexuan. Pra Autor nuk ishe.
Publicistika
jote, nuk ishte më e keqja, por qe kryekrejt sa propagandë në favor të njërit
krah të politikës, po aq edhe idhnake për krahun tjetër.
Ti
Dan nuk u pajtove me Diktaturën. Por ti nuk u pajtove as me Demokracinë. Dhe ky
ishte problemi. Nga ajo kohë në këtë kohë, ti Dan solle mbi shpinë një ngarkesë
të tepërt. Një avantazh, një supremaci, një kult të parathënë etërish, diçka që
gabimisht kujtoje se të përkiste. Ishte ky hamallëk i kotë, që s’të la të
jetosh i qetë, dhe ta theu kurrizin.
Dy
ditë para se të varje veten ti Dan, vdiq një kushërira ime. Por për kushërirën
time, e cila, meqenëse e kaloi gjithë jetën internimeve, e kishte jetën me mijëra
herë më dramatike se tënden, timen dhe shumë të tjerëve, nuk u kujtua asnjë
gazetë e asnjë televizor e s’u bë asnjë homazh.
Një
daja im i cili vdiq në moshë të shtyrë para pak viteve më pat treguar një
episod me babain tënd. Ai, yt atë, e kishte lënë të vdekur në vend një ballist
duke i rënë nga mbrapa në kokë me një lopatë. Ta pata thënë këtë punën e
lopatës. Nuk e mohove, dhe as nuk e pranove, madje as nuk u habite. Që më le
përshtypjen idhnake se s’ishte çudi të kishe dijeni për të tjera kazma e lopata,
sqeparë e tortura mbi kurrize shqiptarësh të pafajshëm.
Këto
që të kujtova, sigurisht që nuk përbëjnë tablo të plotë. Por besoj se janë të
mjaftueshme që brenda kontekstit shoqëror që flet gjithmonë mirë vetëm për të
vdekurit dhe gjithmonë keq vetëm për të gjallët, është i mjaftueshëm për të ma
rrëqethur mua mishin dhe ty kockat.
Lëri
Dan se ç’po thonë të shiturit mediatikë. S’ishe as më pak e as më tepër se një
mallakastriot idhnak që provove diçka madhështore; Se nuk është për të pasur
frikë nga vdekja, e cila është e tëra, por nga jeta, që është pjesa.