E hene, 07.10.2024, 10:19 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Mos Kosovë

E enjte, 08.06.2023, 07:58 PM


Mos Kosovë

Nga Edison Ypi

Po don me tërheq këmbëzën mbi tamth ?

Po don me bo harakiri ?

Mos Kosovë.

M’len ta boj un’ s’pari rrugën e plumbit. Vi t’kallxoj çfar’ pash’. Ja, ika...dhe erdha.

Pashë kalorës trima t’bukur diva dardanë. Fluturonin mbi kuaj. Mposhtnin Keltë n'lufta t'përgjakta. Ishin aleatë me Trojanë. Sulmonin me shpata dhe mbroheshin me parzmoret më të mira të kohës, që i përgatisnin me duart e veta.

Pashë barinj që ëndërronin të bëheshin, dhe bëheshin, perandorë.

Pashë malësorë që thurnin balada dhe këndonin Epe kreshnikësh.

Pashë Isa Boletina, Hasan Prishtina, Ibrahim Rugova.

Unë që jetoj në Shqipërinë Perëndimore, aty kuptova se si dhe pse duke pas’ Histori në thellësi, det me shkumë në perëndim, qiell blu përmbi, në lindje Ty Perri’, jetoj i mbështjellë me Ëndërr.

Nuk bindesh ?! Ende nuk e heq gishtin nga këmbëza ?!

Po nisem përsëri. Dhe t'kallxoj. Veç t’lutem, duro, mos e shkrep, prit…

Bënte ftohtë. Por toka ishte e ngrohtë dhe e shkrifët.

Dy bujq, dy fshatarë që e donin tokën, familjen, veten, Kanunin, u ngutën të saktësonin identitetin e tyre fshatar brënda të cilit kishin qënë, ishin dhe do të jenë, gjithmonë krenarë.

Pashë një qytet me lumë dhe urë të therur në mes.

Pashë male dhe pyje ku endeshin Zana.

Pashë një xhami gjigande ndërtuar me gurë sjellë nga një manastir i shkatërruar në Serbinë e thellë.

Pashë manastire ortodoksë, mistikë, sentimentalë, lotëndjellës.

Pashë parajsë Prizrenin aq afër me Kukës ferrin.

Pashë në shumë vende tre, katër, pesë, deri në dhjetë rresht një pas një, shtëpi identike gjigande disakatëshe vëllezërish në emigracion të cilat nga larg dukeshin si koshere bletësh.

Pashë një tank të KFOR-it që ruante një shtëpi rrethuar me tela me gjëmba ku gdhiheshin e ngryseshin dy pleq serbë, burrë e grua, ai shurdh, ajo qorre.

Në një kafene, kafexhiu që e kuptoi prej nga vija, bëri sikur nuk kishte kusur.

-E ke prej mejet, tha, mirardhç.

-Ndoshta nuk vij këtu përsëri o kafexhi.

-Do vish do vish, tha menushëm kafexhiu.

-U baft si thu Ti kafexhi.

Pashë një bujk i cili pasi kishte kaluar tërthor rrugën, po pastronte baltën që lanë rrotat e traktorit mbi asfalt.

Takova miq të mirë që kanë gjith’ jetën që mendojnë ditë e natë për Kosovë e Shqipëri.

Dëgjova muzikë kosovare, të Shqipërisë së mesme, të jugut, të veriut. Diku këngën "Traktoristi dhe Mësuesja” e dinë për këngë dashurie. S'ka Zot me i bind se nuk ka qënë e tillë por thjesht propagandë.

Në një restorant te një çarshi e vjetër djegur nga sërbi, pronari tha se para djegjes së çarshisë një serb i kishte bërë këtë propozim; Do ta ruaj unë nga djegia. Nëse këtu do mbetemi ne, restoranti do bëhet i imi. Nëse do vini ju, e gëzofsh ti. Në restorantin e kësaj dileme hamletiane hëngra Pasul madhështor solidariteti ballkanik dhe piva dhallë mbijetese shqiptarie.

Akoma gishtin në këmbëz ?!

Po nisem përsëri…e ja erdha.

Takova tradicionalin e pa mposhtur, konservativin e pa shërueshëm t’Suharekës duke pi raki’ përzi me uj’ t’gazum.

Te një çesëm në Prizren takova një fëmijë.

-Çfarë je ti ? i thash'.

-Tyrk, tha, jam.

Në Fush Kosovë më ndali një autostopist fukara serb. M’lypi dhjetë Euro. Nuk ja dhashë se mu duk shqiptar.

Afër Ferizajt më ndali një tjetër autostopist fukara shqiptar kosovar. M’lypi njëzetë Euro. Ja dhashë se mu duk serb.

M'habiti një mesoburrë që ja kishin ndal kerrin në një postbllok me roja shqiptare. Qeshte. Hajt more, tha, nuk ma nalën kerrin shkiet, djemt tan’ bre ma nalën. Edhe mos me ma dhon kurr’ ç'at kerr, hiç s’mbohet von’.

N'dalje t'Prishtinës drejt Mitrovicës një kosovar më bëri dy kërkesa; t'i gjeja një nuse në Tiranë, dhe t'i sillja nga Shqipëria një Kalashnikov.

Takova disa që flisnin me gjuhën e Zërit të Popullit të viteve ’70.

Po shoh që u zbute pakëz Perri’. Gishtin e largova por dorën s’e ule.

Nëpër natë, nëpër terr, ja po nisem përsëri, dhe vij shpejt.

Në Istog më ndali një pastbllok spanjoll. Ushtari që kontrolloi makinën fërshëllente "La leyenda del Beso". Gjithçka në rregull. Hasta siempre comandante.

Takova dhe fola me burokrata, fosila, titoista, jugosllavista, mbetun ora, krejt si n’Shqipni.

Ma shpifën do soc-artista.

Më kallën do akademika.

Më zbavitën do rokera, kullera.

Rrugën e plumbit disa herë për Ty e bëra.

Ngrije Krytin Kosovë.

Harroje harakirin.

Hiqe gishtin nga këmbëza.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora