Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Strazimiri Tower
E diele, 02.07.2023, 07:55 PM
Strazimiri Tower
Nga
Edison Ypi
"Kur
katunarët të zbresin në qytet të ndërtojnë pallate, do jetë fundi i Botës -
thuhet në Kuran".
Kaq
tha Ilir Strazimiri atë pasdite vjeshte, dhe heshti.
Perfeksionisti
Ilir Strazimiri nuk tha në cilën Sure të Kuranit ndodhej kjo profeci; nuk dha'
spjegime ku i gjejnë energjitë apokaliptike katunarët që zbresin në qytet; nuk
qartësoi si ja ka arrit Kurani me i njoh aq mirë katunarët konspirativë dhe
qëllimet e tyre ogurzeza; nuk spjegoi pse duhej ta prisnim fundin e botës nga
katunarët, ndërkohë që atë fund e kanë pru me kohë qytetarët.
Shtëpia
e Ilir Strazimirit ishte, dhe është, te "Rruga Saraçve". Vilë
elegante e viteve '30 nga ato që u ndërtuan kur Mbreti nisi ta bëjë Tiranën
Qytet dhe Shqipërinë Shtet.
Te
kjo vilë mblidheshim netëve ku, mes bisedave, librave, kanconetave, planeve të
fandaksura për tu arratisur, ulurinim në kup të qiellit kundër partis' së
punës.
Duke
supozuar se herët a vonë, mbi truallin e vilës Sovrani Ilir Strazimiri do
ndërtonte diçka, nisëm të fantazojmë si do ishte ajo mrekulli.
Grataçielin
e ardhshëm e pagëzova unë: "Strazimiri Tower". Vu duartrokitjet për
këtë emër kaq të bukur që i shkruar mbi kullë me gërma të zjarrta do ndizte qiellin
e Tiranës.
Bëra
me ngut një prenotim: Dhoma ku mblidheshim netëve dhe ja mbulonim dritaren me
batanije për të mos u dëgjuar nga rruga, të mos preket. Atë dhomë do ta blej
unë. Do shes apartamentin mediokër të zhurmshëm që kam, do blej një Tempull të
vogël të magjishëm ku do gdhihem e do ngrysem në paqe. E dikurshmja e lavdishme
e cila pas blerjes do pagëzohet "Ypi Room", përveç sendeve të
mëparshme që janë ruajtur pa u prekur, si magnetofonë të shpartalluar, pjesë
konvertitorësh televizivë, mes tjerash një pruvetë qelqi e taposur ku, pasi u
shpalla ishullarëve pavlefshmërinë e tragjedive fictionare të Shekspirit ndaj
tmerreve që na ndodhnin live, pata hedhur brenda saj hirin e Makbeth-it të
djegur, plotësuar me orenditë e duhura për seanca spiritike të cilat pas
ngritjes së Strazimiri Tower do mbahen rregullisht për tu llafosur me shpirtrat
e vdekur.
Përveç
parametrave gjeometrikë, stereometrikë, trigonometrikë, volumorë,
gravitacionalë, që do kenë lidhje me Mekën, Jerusalemin, polet, gjeometrinë
fraktale, konstanten e Fibonacit, rrezatimet kozmike, diellin, planetet,
satelitët, galaktikat kryesore të Universit etj, parametrat arkitektonikë të
Strazimiri Tower duhej të plotësojnë kushtet me karakter religjioz: si të
hebrejes Felicita Jakoel, e cila, me sharmin e saj, kulturën, urtësinë, dhe
retorikën brilante, na kujtonte që ende s'kishim vdekur, kaurrit Toku Xhokaxhi
që na sillte mish kali për qofte nga Instituti i veterinarisë, po ashtu dhe të
kallamkusurit të synetllinjve, ne lafshëprerëve të tjerë.
Në
respekt të së kaluarës së zezë, për të cilën me të drejtë sot në të tashmen e
bardhë mallëngjehemi, se dihet që Rini të palumtur s'ka, volumi i ngrehinës së
ardhëshme do duhej të ishte pakashumë sa diga e Fierzës.
Sugjerimi
për ta bërë Strazimiri Tower të rrotullueshme me shpejtësinë këndore të
diellit, në mënyrë që në dritaren e "Ypi Room" dielli të jetë prezent
gjatë gjithë ditës, hëpërhë u la mënjanë për shkak të kostos financiare të
papërballueshme nga katunarët e zbritur që ndërtojnë pallate.
Kaluan
ditë, muaj, vite. Ilir Strazimiri s'fliste, rrinte menushëm sikur Strazimiri
Tower me qenë Muri i Madh i Kinës.
E
pyetëm: Cila është arësyeja që s'po e nis grataçielin ? A mund të ndihmojmë ? A
ta therim një kurban, po deshe dhe human që e ka hak, me gjakun e të cilit të
spërkatim themelet e kullës ? Hiç. Bam e bum me tjera pyetje dhe hamendje.
Asnjë përgjigje.
Shkakun
e vonesës së fillimit të punimeve për ndërtimin e Strazimiri Tower e zbuloi
vetë Iliri një ditë tu pi me Bardh Shashain dhe Ton Zalën.
Iliri
u tha atyre se vështirësia që nuk po e kapërxente dot ishte gjetja e një
sipërmarrësi të përshtatshëm, i cili, në përputhje me mësimet e Allahut, duhej
të plotësojë këto kushte:
Të
mos jetë katunar.
Të
mos jetë lab, skraparlli, gramshak, tropojan, laçjan, elbasonlli, tepelens,
gjinakastrali.
Të
mos ketë qënë spiun ose çun ose nip spiuni.
Të
mos ketë qënë komunist ose çun ose nip komunisti.
Të
mos ketë qënë oficer ose çun ose nip oficeri.
Të
mos jetë trafikant droge ose femrash.
Të
mos jetë korrupsionist.
Të
mos jetë pastrues paresh të pista.
Të
garantojë transparencë të plotë financiare mbi aktivitetin.
Të
mos fshehi asgjë nga mardhëniet me Bashkinë, Hipotekën, dhe të tjera zyra apo
institucione në dijeni të ndërtimit të Strazimiri Tower.
Të
mos kenë qënë i dënuar.
Të
mos ketë folur kurrë në mbledhjen e kolektivit.
Të
mos ketë luajtur me estradën e ndërmarrjes.
Të
mos ketë pala dhjami në qafë.
Të
mos ketë tul në ballë.
Të
mos mbajë në qafë zinxhira floriri.
Të
mos shkojë me kurva.
Të
mos ketë tatuazhe nëpër trup.
Të
mos e refuzojë kurrë paçen me plonca, uthull dhe hudhra.
Ndërkohë
që koha rrjedh dhe ndërtimi i Strazimiri Tower ka ngecur për shkak të kushteve
që nuk i plotson dot as Krishti as Muhameti, vilës së vjetër, njësoj si vajzave
që u shtohet nuri kur afrohet muzgu, po i shtohet sharmi, bukuria, magjia.
E
heshtur dhe e vrënjtur, duket si shtëpi aristokratësh francezë nga të romaneve
të Balzakut. Ta shohësh atë vilë sot me muret me myshqe, portën që kur hapet e
mbyllet kërcet sikur qan, portokallat dhe hurmat në oborr, hardhitë nga pas,
kornizat e dritareve si fytyra të lodhura nga koha dhe nostalgjia, të bëhet të
besosh se nga çasti në çast përpara portës së vilës do ndali një karrocë me
kuaj prej të cilës do zbresi një Zonjë me kapella dhe dantella dhe ndërlikime
sentimentale marramendëse, gjëra këto, pa të cilat, Letërsia dhe Perëndimi do
ishin të magët, dhe sytë të mbushen me lot.
Pas
pretendimeve me katunarë, komunista, spiuna, oficera, estrada ndërmarrjesh,
pala dhjami në qafë, tul në ballë, zinxhira floriri, i sëmuri me perfeksionizëm
Ilir Strazimiri kam frikë se fsheh diçka.
I
dashuruar marrëzisht me dendurinë frymëndalëse të humanizmit të lartë dhe
qytetarisë së sofistikuar që vila e vjetër në heshtje ulurin, duket se Profeti
Ilir Strazimiri nuk do kullë apo grataçiel, por vetëm Kishë ose Tempull.