E diele, 28.04.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Ik në Buz

E diele, 09.07.2023, 07:57 PM


Ik në Buz

Nga Edison Ypi

-Pse të iki në Buz, dhe jo në Luz ose në Tuz ?

-Ik në Buz sepse në Buz është udhëtim më i bukur, më mbreslënës, ajri më i pastër, natyra është më e shëndetëshme.

-A ka restoranta të mirë andej nga Buzi ?

-Qënke idiot. S'paske ide nga magjia dhe dobia e udhëtimeve. Ik në Buz dhe mos e zgjat.

Rruga për në Buz nis në Berat.

Rruga për në Buz është si shumica e rrugëve tona. Rrugë ushtarake, rrugë lufte, rrugë të ndërtuar nga pushtuesit.

Kjo për në Buz është e jashtzakonshme.

E pamundur të mos i kesh parë pamjet filmike që tregojnë rropatjet e ushtrisë italiane nëpër dimër, dëborë, baltë dhe suferinë, me mushka dhe topa gjatë përpjekjeve me ushtrinë greke në jug dimër-pranverë 1940-1941.

Pse Italia e sulmoi Greqinë nga malet dhe jo nga bregdeti apo nga ndonjë fushë a luginë ?! Kjo është pyetje për historianë. Halli se po ti pyesësh ata, njëri të thotë kështu, e tjetri ashtu.

Gjithsesi është rrugë e kalueshme. Ka qënë rrugë qerresh. E zgjeroi e ndreqi dhe e shtroi me kalldrëm Mussolini në vigjilje të luftës me Greqinë.

Nis në lagjen Goricë të Beratit dhe merr menjëherë drejt jugut mbi shpatullën lindore të malit. Prej aty e pothuaj deri në Këlcyrë dominohet e tëra nga pamja e Babait të Shqipërisë, Tomorrit. Kilometrat e para janë të shtruara me një ish-asfalt, të cilit i kanë mbetur vetëm gjurmët.

Më tutje, kryesisht me kalldrëm, rruga nuk është e keqe, por ngaqë ndjek me besnikëri relievin, ka shumë dredha.

Gjatë kilometrave të para majtas e djathtas dhe në thellësi ka plantacione qershish.

Aty-këtu shtëpi të rralla nga dy nga tre.

Nuk ka biznese, as furnizues me karburant, asgjë.

Madje s'të zë syri as nga të kudondodhurat kafene.

I bëj shenjë një furgoni me targë italiane. Pepinua nuk ndalon.

Pak pas tij ndalon një Land Rover. Gjermani i Roverit me një anglishte me më tepër gropa se rruga, thotë se ka qenë jo më larg se nja dhjetë kilometra prej aty, dhe duke rrudhur surratin shton me përçmim se kjo rrugë nuk është veçse një "Third hand road", pra, sipas tij, një rrugë pa rrugë, çka nuk rezultoi fort e vërtetë. Koklakra përshëndet me një shkelje misterioze të syrit dhe ikën.

Ndërkohë, janë shpeshtuar shenjat e kalldrëmit me gurë të zinj mbi të cilin kanë kaluar mushkat dhe topat e Mussolinit për të mësyrë Greqinë.

Pas nja njëzet kilometrash qershitë rrallohen. Por shenjat e kalldrëmit fashist, një herë e një kohë të rregullt, me breza gurësh të mëdhenj anash dhe në mes të rrugës, janë prezente kudo.

Në një qafë të lartë, Teqe.

S'ke kë të pyesësh si quhet ajo Teqe. Mbi derën e mbyllur të Teqesë, rrethuar me një kornizë të praruar, portreti dhe një thënie e urtë e Haxhi Bektash Veliut mbi dijen dhe dashurinë.

Rretherrotull xhan-xhin.

Në oborrin e Teqesë, varre dhe gjurmë zjarri nga pjekja e kurbanëve. Rrëzat e varreve janë ndotur nga të pëgërat e kurbanëve nga frika e therjes.

Më tutje, dy të moshuar burrë e grua, që siç thanë ishin banorë të një fshati të largët që mezi dukej teposhtë thellë në luginë, presin makinë për të zbritur në Berat. Nuk e kuptova cilën makinë prisnin. Se prej aty e deri në Ballaban afër Këlcyrës, e vetmja makinë që erdhi përballë ishte një furgon policie me nja katër a pesë policë brenda, shefi i të cilëve guxoi të më tallte duke më thënë se në këtë rrugë nuk udhëtohet vetëm por me një femër.

Lapidar.

Lapidari ka pllakë me mbishkrim të zhgarravitur ku mezi lexohet: "Në këto qafa (ku pikërisht ? se këtu sa të ha syri ka vetëm qafa) partizanët e brigadës së shtatë (sulmuese apo jo ?) dhe populli (i Sudes) luftuan trimërisht dhe shpartalluan disa herë (sa herë?) forcat gjermano balliste (po ballistët a nuk ishin popull ?). Këtu më 23 dhjetor 1945 ra heroi i popullit Ajet Xhindole".

Mirë tërë këto heroizma dhe shpartallime, por si quhet qafa ?! Për këtë duhet pritur një çoban pa kope' që po vjen përballë.

Çobani thotë se qafa quhet "Qafa e kumbullave" megjithse s'duket kumbull me sy.

Mbi rrugë bokërima malore sa të ha syri.

Poshtë në luginë, fshatra një këtu një atje.

Baba Tomorri dhe mbeturinat e kalldrëmit të Mussolinit nuk i ndahen rrugës për asnjë çast.

Teposhtë nën rrugë, megjithëse më pak, ka ende qershi.

Frymë njeriu.

Rruga shkon rrëzë një monopati të pafund.

Cjepër dhe deshë me brirë të mëdhenj e të spërdredhur.

Kope dhish e delesh me këmborë, mbyll sytë e dëgjo muzikën më mahnitëse që ekziston.

Ja dhe çobani. Hedhur mbi sup mban një çantë të vogël me rrip.

-Ku e ke gunën, krrabën, festen, fyellin ?

Qesh çobani.

Fshati i këtij çobani është ndanë një përroi, atje tej, atje larg, atje ku mezi duket.

Ka qenë në Greqi, por u mërzit dhe u kthye.

Janë bektashinj. Rrojnë me blegtori dhe pak bujqësi.

Çobani është i qeshur por di pak. Nuk di as si quhet teqeja që lashë pas. Për më tepër, është në merak mos i ikin nga sytë dhitë. Kërkon leje të hipë në makinë. Ka lënë motocikletën nja dy kilometra më tutje anës rrugës.

Thotë se do zbresë në luginë me motor për të pritur dhitë që kanë zbritur teposhtë.

Mirëmbetsh o kauboj me motor. Je i mrekullueshëm. Kurrë mos shko më në Greqi.

Rruga kalon mes fshatit Tërpan.

Në Tërpan, ku sipas bariut të dhive duhej të kishte ujë për t’u freskuar dhe ndonjë fasule a pilaf, asnjë frymë njeriu. Mbase aty ishin por nuk u bënë të gjallë.

Qëndra Shëndetësore, disa shtëpi, nja dy si dyqane, shurdhe të gjitha.

Ama në Tërpan ka një pyll me pisha. Pishat e Tërpanit kanë një aromë dehëse që s'do ta rrëfente dot me fjalë as vetë Naimi. Mendja të vete të rrish aty nja njëqind vjet pastaj të shohësh e të bësh, të kthehesh ose jo në tymrat e qyteteve.

Më tej diku anës rrugës, burim i ndrequr me ujë që edhe pihet po je i etur.

Rruga ngjitet nëpër kthesa të panumurta.

Nuk të besohet se nëpër këto kthesa e këto të përpjeta kaloi ushtria e Mussolinit me mjetet me rrota të saja.

Në një nga kthesat, pamje rrënqethëse epike.

Plakë tipike jugu Shqipërie veshur me të zeza. Shamia në kokë lidhur me atë nyjën karakteristike.

E rreshkur, e drejtë, e fortë, me gojën mbyllur, kokën paksa lart, me siguri dikur e bukur, plaka sheh makinën dhe ngadalëson hapat.

Si quhet ky vend ? e pyes

-Çorrogjaf, thotë.

-Si të quajnë ?

-Oiiiiiiiiiiii unë jam nënë pa djem !

Ngre kokën nga qielli, dhe vazhdon:

M'i vranë të dy djemtë në Vlorë më 1997. M'i lanë nuset kallogre dhe fëmijët e tyre jetimë. Plakun e kam qorr në qoshe prej pesëmbëdhjetë vitesh. Po iki të gjej lopën se nuk e di nga më iku.

Pak më lart kthesa për në Çorrogjaf.

Aty, mbi një si shesh të blertë ndodh diçka e pa spjegueshme.

Një Golf i vogël me njerëz brenda. U thërras. Ata hiç. U afrohem. Golfi largohet.

Pas pak një djalë i ri del nga Golfi. Nuk e pyes për misterin e mospërgjigjes dhe zhvendosjeve proporcionale. Bëj pak muhabet. I them që nusja e dajos tim është nga ky fshat. Dajua quhej Xhaferr, nusja e tij Selime.

Aq u desh që në Çorrogjaf të ndodhte çudia e çudirave.

Djali më pak se 30 vjeç që takova rastësisht, di fije për pe gjithçka për Selimenë, Xhaferrin, dajon tjetër Seferin, fshatin e tyre Pacomitin, dhe për gjyshin tim të lavdishëm, Rushan Beun, namin e tij, autoritetin e tij, qefet e tij, kopilat e tij të panumurt që i ngjizi përgjatë Vjosës.

"Tre avgatë" greqisht, apo shqip "tre vezët", janë tre maja të buta dhe të blerta malesh afër njëra-tjetrës që dalin si vezë përpjetë.

Po kaloj nën njërën nga këto tre vezë, atë më të lartën me ca antena sipër.

Këtu gjelbërimi befas dendësohet.

Nën një thanë tre fëmijë. Dy prej tyre mbajnë në duar nga një misër të pjekur.

-Si quhet ky fshat ?

-Gllavë.

-Sa vjeç jeni ?

-Nëntë, nëntë, dhjetë.

Ngrenë gishtat përpjetë.

-Jemi të Sali Berishës ! thonë në një gojë me zë të lartë.

Ja dhe Buzi.

Katër a pesë makina të shkatërruara, nja dy a tre të ndalura. Edhe këtu si kudo, lapidar i zhgarravitur që lexohet me vështirësi;

"Më 22 qershor 1943 partizanët trima të çetës Verikoll dhe populli patriot i krahinës së Buzit dogjën komunën...."

Pronarët e nja tre a katër restoranteve modeste të ftojnë njëkohësisht të hash.

Futem në njërin prej tyre. Uji me muslluk. Ka patate të skuqura, mish, birra, madje dhe një "Bocca di Rosa" mbështetur te banaku. Ha dhe dal.

Në rrugë një italian me një BMV me gruan dhe dy fëmijë brenda. Vjen nga Berati. Pa dalë nga makina pyet me ngut në Italisht sa kilometra larg është Gjirokastra. I them: "L'Albania e' piccola, non si misura con chilometri ma col numero delle meraviglie da un paese al altro". Qesh dhe ikën. Nuk kuptova nëse ishte turist, trafikant hashashi, apo dishepull i Mussolinit që erdhi t'i hidhte një sy rrugës ku kaloi ushtria dhe luginës së Vjosës deri te Ura e Peratit, që u mbush me kufoma.

Në të dalë të Buzit rruga kthen djathtas për Memaliaj.

S'kam punë më të djathtë ! S'ndahem dot nga Mussolini, kalldrëmi i tij, kufomat e tij, qershitë, që vazhdojnë më të majtë.

Qafa e Kiçokut ku janë ndeshur në dimër grekë e italianë duket atje tej. Po ec e arrije. Kthesat janë me qindra dhe rruga është e tëra një xhungël me gropa.

Peisazhe mahnitëse.

Poshtë në luginë në një liqen malor kridhen ca fëmijë që s'kuptohet nga kanë ardhur, se q'aty ngado të hedhësh sytë s'duket asnjë fshat.

Drejt Qafës së Kiçokut një degë e trash e zgjatur nga një gardh më theu pasqyrën e makinës nga ana e pasagjerit.

Pllakën e Lapidarit tek Qafa e Kiçokut ku u vranë me mijra dhe ende dëgjohen rënkimet, e kanë shkulur.

Cila Nënë e ka shkulur pllakën soc-realiste ?

"Hiqe atë pllakë varri,

Të më vijë djali që s'e tret dheri".

Pak më tutje për qime sa s'u futa gabimisht në një kthesë më të majtë, e cila, si mora vesh më vonë, do të më nxirrte tjetër-për-tjetër tek "Uji i Zi" ku ndodhet "Çesma me Ballkon" në Skrapar, afër Çorovodës, pak para rrugës që kthen për Therepel. Më ndihmoi nuhatja. Vazhdova drejt.

Mbi dhjetë kilometra prej aty rruga zbret tatëpjetë rrëzë një mali drejt Ballabanit. Në atë tatëpjetë plot me gropa dhe gunga s'ke ç’bën tjetër veçse të mallkosh Italianin;

Ç'deshe nëpër këto gërxhe o Mussolin ta djegsha varrin. Si ta mori mendja ta sulmosh e pushtosh Greqinë me divizione me emra femrash duke kaluar nëpër këtë rrugë kaq të ngushtë plot me qershi të ëmbëla.

Ku më së fundi mbaron kalldrëmi i shkatërruar i Mussolinit të fashizmit dhe nis asfalti me mballoma i Partisë së Punës, një Ifa ngarkuar me dru ngjitet përpjetë. Nuk i ka marrë drutë lart t'i shpjerë poshtë. Se ku i ka prerë poshtë për t'i ngjitur lart ! Shoferi i IFA-s trembet nga Suzuku me baltë dhe pasqyrë të thyer që zbret nga mali. Kushedi cilin pyll ka masakruar për të marrë ato dru. Zbres e qetësoj shoferin e alarmuar. I them se nuk jam i policisë pyjore dhe e pyes për vendet përqark. Përgjigjet me qef.

Aty kalldrëmi i Mussolinit mbaron.

Por ka qershi.

Dhe rruga mes luginës së gjelbër ka njerëz.

Ballabani plot jeshillëk, plot përmetarë, plot shtëpi të reja.

Në një çesëm ka ndalur një Suzuk si i imi. E ka një përmetar që e quajnë Kaman. I thërras Kamanit me sa kam në kokë vargjet e Naimit:

"Ish' Kamani q'ishte burrë, trim mbi gjithë të parët, që s'i trembej syri kurrë, ndaj e donin shqipëtarët". Kamani mahnitet. Thotë se më ka parë në televizor kur isha në burg për hashash.

Kalojnë makina emigrantësh me targa greke.

I ngasin me shpejtësi për tu rënë në sy çupave përmetare.

Suka si Ballabani.

Te ura e Dragotit piva ujë të ftohtë dhe u çlodha pak.

Në Tepelenë, kalaja...

"E shkretë ish',

bedenat pa njeri,

as zjarre sipër kullash,

as kuaj,

as llambadha mbi xhami,

as roje, as shtiza,

as emri Ali Pashë,

më nuk kumbon,

por heshtje qetësi".

Në qendër të Tepelenës, Pashain e bronxtë e gjeta dhe e lashë, si gjithmonë e gjej dhe gjithmonë e lë, shtrirë duke tymosur nargjile'.

Më tej një pyll kishte marrë zjarr.

Më tutje akoma autostrada, pa kalldrëm, pa ushtri, pa mushka, pa topa, pa kufoma, pa qershi anës udhës.

Për Hasan Dede' mos thuaj që s'do ikësh në Buz.

Ja përsëri emigrantë me makina të shpejta.

Vila të panumurta, restorante, kafene.

Male të blertë, fllad i freskët, qiell blu.

Kroje, fusha të mbjella, lumë me shkumë.

Dhe shumë Shqipëri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora