E marte, 15.10.2024, 12:52 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Krisma e Vetmisë së Madhe

E merkure, 26.07.2023, 07:59 PM


Krisma e Vetmisë së Madhe

Nga Edison Ypi

Do u tregoj pse asnjë shqiptar nuk duhet të vdesi  pa e lexuar "Dimri i Vetmisë së Madhe".

Sapo kisha mbaruar shërbimin ushtarak.

Një kombinim i largët krushqinor bëri që një Shefe Kuadri të shqiptojë para meje pohimin më pradoksal që kam dëgjuar deri më sot:

"Ti je yni. Eja të fillosh punë që nesër".

Unë i tyre ?!

Unë i juaji ?!

Unë që për shkak të mbiemrit në mendjet e tyre asocionte herezi që meritonin jo më pak se 100 pushkatime.

Shahin Ypi i pari rilindas.

Abdyl Ypi ideator i Kongresit të Lushnjes.

Xhaferr Ypi ministër, Kryeministër, "kolaboracionist", "kuisling" me damkë.

Adnan Ypi, majori i NATO-s që stërviste diversanta në Gjermani.

Ah jo të dashur shokë komunista. "I juaji"  isha, jam e do jem, po aq sa i një komuniteti alienësh që zbritën mbrëmë në Zhapokikë të Tepelenës.

Megjithatë, ndoshta falë mosinformimit, keqinformimit, "mungesës së vigjilencës", apo thjesht budallallëkut të shefes në fjalë, unë që kisha të paktën nja pesë vite që brenda kokës ndryja herezinë e herezive, atë të madhen fare, si e si të arratisesha nga burgu i rrethuar me tela me gjëmba i quajtur "Vendi im", nisa punë në një zyrë projektimi ku ndejta nja tre vjet falë dy gjërave që i dija, punës dhe gojëkyçjes.

Robert Harito dhe unë punonim në një sallë diagonal me njëri-tjetrin. Eh sa shkelje syri kemi këmbyer unë dhe i madhi Robert Harito me gomarllëqet që dëgjonim të thuheshin në atë sallë ku prej nja dhjetë vetash gjysma ishin spiuna.

Zyra në fjalë ndodhej në katin e katërt të një godine përballë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri.

Nga dritaret shihnim kryqëzimin e 21 Dhjetorit ku gjatë gjithë ditës kalonin jo më tepër se nja 10 makina, prej të cilave 9 ishin ë policisë, tre a katër autobuza rrangalla, nja dy kamiona buke, disa ZIS-a llaçi rrëketë e të cilit binin mbi shesh.

Një ditë Roberti pati guximin të bëjë një Profeci;

Pas dhjetë vitesh, tha Roberti, do kem makinë private !

Makinë private në atë kohë s'kishte askush.

Edhe vetë Roberti u tmerrua nga ai guxim i çmendur.

Por nuk pati pasoja. Mesa duket Profecia e Robertit ishte e tillë që fluturoi aq larg dhe lart në kohë e hapësirë, saqë për spiunët ishte e pa perceptueshme.

U deshën pak më tepër se dhjetë vite që profecia e Robertit të materializohej për shumë shqiptarë. Megjithatë, si Profeci që qe', pati një aproksimativitet të admirueshëm.

Nga dritaret e asaj salle shihnim hera-herë Kadarenë që me hapa të ngadaltë duke kthy kokën sa majtas djathtas kalonte në trotuarin përballë për të vajtur në Shtëpinë Botuese.

Mbi po atë trotuar shihnim ndonjëherë edhe Zonjën e Madhe të Kohës së Pamjaftueshme, perrinë e ujrave, Hirushen e mjegullave, Zanën e epeve dhe legjendave, Helena Kadarenë, të cilën, sipas frymëzimit të çastit, e quanim Hanëm, Madam, Mademoiselle.

Një mëngjez Roberti hyri pa përshëndetur. Me një solemnitet të pazakonshëm, trupin drejt dhe me hap pothuajse ushtarak, vajti u ul në në tavolinën e vet. Hodhi sytë rretherrotull në një mënyrë kërcënuese për tu bërë të qartë të tjerëve se atë ditë nuk ua kishte ngenë, duhej që për të mirën e tyre të mos i afroheshin.

Nxori nga çanta diçka të mbështjellë me një gazetë.

Sjellja e pazakontë e Robertit më bëri ta ndjek me sy nga qoshja diagonale për të dalluar çfarë ishte gjëja që Roberti nxorri nga çanta dhe u përmbys mbi të si besimtari i devotshëm mbi Bibël.

Pas pak kuptova se Roberti gjënë e nxjerrë nga çanta po e lexonte.

Kaluan kështu disa orë.

Gjatë kësaj kohe Roberti m'i drejtoi disa herë sytë sikur thoshte; Do të tregoj disa gjëra që do mbetesh pa ment. Bëj durim.

Kur dy durimet, i imi për të mësuar se çfarë kishte bërë vaki, dhe i Roberit për ta ndarë me mua fshehtësinë e këndëshme, morën fund, Roberti e mblodhi përsëri në gazetë atë që sapo lexoi. E fshehu tinëz nën xhaketë. U ngrit nga tavolina. Ma bëri me sy "eja dalim jashtë".

Me të dalë, Roberti nxorri nga gjiri gjënë e mbështjellë me gazetë, dhe nisi të flasi vrullshëm;

Është romani i ri i Kadaresë "Dimri i Vetmisë së Madhe". Mezi arrita ta marr me fashikuj të palidhur në shtypshkronjë me anë të një mikeshe. Mijëra kopje janë marrë që tani nga shtypshkronja, kështu, të pa lidhur, me fashikuj. Kush punon në atë shtypshkronjë po merr nga dy e nga tre e nga katër "Dimra" me fashikuj të palidhur.

Pastaj më tregoi disa faqe ku flitej për ca gjëra të cilat në atë kohë shqiptarët nuk guxonin t'i shihnin as në ëndërrat më të çartuna;

Një partizan që mburrej se kishte marr pjesë në një luftë me gjermanë ndërkohë që pikërisht ato ditë kishte qënë i sëmurë me spirrë.

Një shef kuadri i lidhur me Sigurimin që mbante shënime në një bllok me kapakë të zinj për gjithkend dhe gjithçka që i dukej e dyshimtë.

Për një katund që kishte rendimente të ulëta në bujqësi sepse merrej gjithë kohës me lavdinë e luftës.

Një veteran me një cifël bombe në kokë që më tepër se gjithçka në botë urrente për vdekje të shkolluarit, veçanërisht shkrimtarët.

Qysh atë pasdite ja arrita të siguroj një kopje të romanit të frikshëm me fashikuj të pa lidhur që mund të mbahej vetëm fshehur në gji që të mos e shihnin spiunat dhe vetëm mbështjellë me gazetë se përndryshe i fluturonin fletët.

Ajo që ndodhi në ditët e mëpasme ishte e rrëmujshme, e çuditëshme, e pabesueshme, por më tepër entuziazmuese.

Ishte një entuziazëm i çuditshëm, i brendshëm, i pa shprehur, i pa shprehshëm, që komunikohej nga njëri tek tjetri me frikë si një krisëm që veshët s'e dëgjonin, një vetëtimë që sytë s'e besonin.

Mes heshtjes dhe frikës, u muar vesh se 25 mijë kopjet e para u shitën brenda një dite të gjitha nën banak.

Roberti dhe unë nuk ishim të vetmit që e përpimë.

Fjala ndërkohë kishte marrë dhenë.

Me muaj unë, çdo ditë, unë dhe Roberti i thoshim dhe i përsëritnim njëritjetrit çkishim qëmtuar nga leximi natën e kaluar;

Për djemtë dhe vajzat e Broduej-it që bënin mbrëmje me muzikë perëndimore me manjetofona që u këputeshin shiritat që mezi i ngjisnin.

Për Mark Zavalinën e deklasuar që mezi priste të derdhej mbi të bijën e një zëvendësministri komunist pasi afronte në fytyrë dhe dehej nga aroma e mbathjeve të reja të plazhit hedhur në një qoshe pas provës te rrobaqepsja.

Për plakën Nurihan, borgjezen e deklasuar, e cila, pasi kishte strehuar një partizan të plagosur në shtëpinë e vet, në shenjë falenderimi nga  jë tjetër parrizan kishte marrë në një cop letër të zhubrosur ca fjalë falenderimi, copë letër kjo, të cilën Nurihani e vlerësoi menjëherë si dokumentin zyrtar, çekun bankar, tapinë, hipotekën, më të rëndësishme që kishte mbajtur ndonjëherë ndër duar në jetën e saj.

Për borgjezë që këmbejnë vizita me njëri-tjetrin, duke bërë shakara inteligjente plot humur të zi si dhe për të këmbyer habere që i dëgjonin nga radiot e huaja.

Kështjellën e mesjetare të Kremlinit që krahasohej me pubisin e një vajze. Ç'ka, pavarësisht se sot qefi është bërë det, dhe pubisat e vajzave janë bërë midhje, në atë kohë i eksitoi të gjithë.

Për Besnik Strugën i cili gjatë një darke në Pallatin e Brigadave dëgjon pas shpinë një ministër tepër të dhjamur që flet, dhe një skilipec që hesht, por kur kthen kokën mëson se ministri kishte qënë skilipeci që fliste dhe i dhjamuri tjetri që heshtëte.

Për shefin e kuadrit që myrrëtohej nga zilia për vajza të krehura bukur me flokët si ujëvara të vogla që përmbytin botën me ëmbëlsi.

Për një thikë të florinjtë që nuk ngulet si gjithë thikat nga jashtë brenda trupit të një të gjalli, por nga brenda jashtë trupit të një të vdekuri.

Për flokët e dëborës që binin nga qielli mbi supet e njerëzve si lajmëtarë për tu bërë atyre të ditur se ëndërrat dhe realiteti nuk janë aq larg sa duken.

E plot e plot të tjera.

Ka edhe një kapitull për kurvin, thoshte Roberti. Por s"ka asnjë rëndësi para këtyre të tjerave.

Po pra, e plotësoja unë, se në këtë roman komunistat janë të gjithë budallenj, tuhafë, të trashë, të njëllojtë, si drunj, si tulla, të ftohtë, të pajetë, si kufoma. Ndërsa të deklasuarit janë të butë, të ngrohtë, të njerzishëm, të dashur, të mëshirshëm, plot jetë të brendëshme, inteligjentë, të kulturuar, të sofistikuar, të vërtetë, variacionalë, dhe, për më tepër, me shpresë.

Me muaj të tërë, jo vetëm unë me Robertin dhe Roberti me mua, edhe unë me miqtë e m'i dhe Roberti me miqtë e tij, nën zë, s'flisnim për tjetër gjë veçse për krismën e heshtur që ndau më dysh jetët e shqiptarëve: para dhe pas Krismës, njësoj si para dhe pas Krishtit.

Njëri nga spiunat e zyrës, i cili gjatë gjithë atyre muajve nxinte, një ditë s'u përmbajt; Unë, tha me një pezm të pa fshehur, atë roman do ta lexoj kur të dal në pension.

Ndërkohë një tjetër spiun i një kati më poshtë, tip i pështirë i ardhur demek nga klasa punëtore që aty s'bënte asnjë punë, dhe një tjetër i një kati më lart që merrej me arshivën, një turi skuth ky të cilin e morëm vesh se ishte spiun vetëm pas '90-ës, bashkë me disa tipa të tjerë të panjohur, nisën t'i shpeshtonin vizitat në zyrën tonë ku hynin, silleshin disa minuta duke u rrokullisur cep-e-m'cep si zara në dysheme, dhe dilnin.

Në këto kushte nisëm të ishim më të kujdesshëm.

Dalja dhe leximi i këtij libri pra ishin një gjë fort e çuditëshme.

Ky libër nuk kishte asgjë të përbashkët me asgjë të shkruar më parë në Shqip.

Aso kohe Kadarenë e thërrisnin në takime të detyruara me Klasën Punëtore.

Kam qënë në një nga këto takime në Uzinën Traktori.

Ku është në atë roman roli pararojë i Klasës Punëtore si klasë në fuqi ?!

Ku është vigjilenca proletare ?

Pse e ke bërë kopertinën në ngjyrë muti ?

Ku janë të rinjtë revolucionarë të pa molepsur me manjetofona dhe zuska ?!

E të tjera e të tjera, ndërkohë që Kadare strukej e strukej.

Pavarësisht nga artileria e llumit me të cilën zagarët e regjimit e godisnin, e vërteta është se Kadare nuk u la kurrë vetëm.

Në një takim tjetër, një tornitor guximtar tha pa i bërë tërr syri; O njerëz, Kadarea është shkrimar. Kadare nuk është tornitor të shkruaj në roman sa bulona bëra në torno unë sot.

Pas disa muajve Roberti dhe unë i bëmë Kadaresë një vizitë në shtëpi. Dromcat e asaj dhe të tjerave vizita, një herë tjetër.

Edhe gjatë viteve që kisha vëllain në burg në Spaç, kam qënë për vizitë tek Kadare.

Me kalimin e kohës vizitat te Kadare u bënë si vajtja në Mekë për Haxh.

Muhabeti gjatë atyre haxhillëqeve në shtëpinë e tij vazhdoi të ishte njëlloj si më parë, shpotitje dhe tallje të bëra me të njëjtën lehtësi, me të njëjtin besim reciprok.

Nuk mund të lihet pa u parë vetëtima më e bukur dhe pa u dëgjuar krisma më e fuqishme letrare e diktaturës shqiptare, "Dimri i Vetmisë së Madhe".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora