E merkure, 01.05.2024, 01:00 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dibra e Arbrit

E shtune, 02.09.2023, 07:59 PM


Dibra e Arbrit

Nga Edison Ypi

Për qefin tim, me makinën time, me naftën time, me kohën time jam nis atje ku po nuk vajta fajin e kam vet, dhe ferri më pret.

Brenda tunelit shpejtësia e lejuar është 70 kilometra në orë. Un banditi, un bastardi, un aventurieri, ja kërcas me 120 në orë prej qefit që nga Tirana në Kukës mundem me shku në më pak se 2 orë.

Para 10 vitesh Kuksi ishte Ferri, Prizreni Parajsa. Tani Kuksi dhe Prizreni janë barazuar, janë bërë si Purgatori.

Në Kukës hëngra një pilaf me kos. Pilafi çakull. Kosi hirrë. Megjithatë i hëngra për hatër të pronarit që i ngriti në qiell shkrimet e mia që sipas tij janë më të bukura se livadhet e Xhehenetit dhe më të tmerrshme se zifti i Xhehenemit.

Allahu i ka ndrequr gjërat në atë mënyrë që kënaqësia e bukurisë së një peisazhi të mos vijë befas me të tremb sa me ta ndal zemrën, por pakngapak.

Në dalje të Kuksit drejt Dibrës, Allahu këtë rregull nuk e ka zbatuar. Aty katundet, fushat, kodrat, bregoret, përrenjtë që zbresin nga Gjallica, çfaqen aq papritmas sa po nuk pate kontroll të fortë të shqisave mund të bjeri damllaja.

Ik e ik nëpër atë mahnitje, ke ndjesinë se je duke i ra mespërmes Parajsës.

Një kuksian anës rrugës së asfauar, thotë se nuk ka qënë kurrë në Dibër.

Pas këtij kuksiani negativist, një tjetër kuksian thotë se nuk ka lënë vend të Shqipërisë pa e shkelur, në majë të Gjallicës ngjitet të paktën tre herë në vit.

Në Kolosjan shtatë a terë kollos-janë pijnë kafe. Nguten sejcili me tregu nga një mesele me heroizma historike shqiptareske.

Njëri nga kollosjanët tregon për mijra serbë të therur si berra, si shqerra, si keca, mu aty pranë ku është dhe një lapidar përkujtimor. Kollosjani shton se në atë betejë erdhën edhe gra që dhanë ndihmesën e tyre në therjen e serbve me sopata drush dhe thika buke, si dhe një Bej dibran me dy mijë trupa dhe katër topa që ja shprazi serbve dhe i bëri çika-çika sa përroi u bë gjak i kuq.

Pas nja njëzet kilometrash peisazhin me më tepër fshatra se natyrë e zëvendëson një pamje edhe më e bukur me më tepër natyrë se fshatra.

Kthesat e panumurta, ato që kudo tjetër të lodhin, këtu janë ndihmëse të mira për t'i kqyrur pamjet e hatashme sa më hollësisht nga të gjitha këndet.

Diku pyet veten; Morpo ku dhe pse është e bukur kjo rrugë ?! Këtu tek kjo qafë, tek ky përrua i shpejtë, tek kjo korie e gjelbër ? Apo atje tek ai shkëmb larg në horizont ku thuhet se është Lura ? Shpejt vjen në vete dhe kupton se bukuria e këtij vendi nuk ka lidhje me çka sheh syri, dëgjon veshi, prek dora, nuhat hunda, por me ndjesira më të thella.

Një vigan kuksian 60 e kusur që e ka shtëpinë atje larg, atje poshtë, atje thellë, në luginë zhytur e mbytur në gjelbërim ka ndalur Benzin në një qafë dhe po pret djalin dhe nusen e djalit me ik diku.

A e shet shtëpinë ? i them lumjanit për ta ngacmuar.

Tmerrohet.

Botën me ma fal, thotë,nuk luj pi ktuhi.

Një mesogrua me kosore në sup që, nuk guxoj ta quaj fshatare apo katundare, jo vetëm pranon të fotografohet por dhe falenderon.

Pyes disa adoleshentë nëse mund t'i fotografoj. Thank you, no foto, thotë njëri prej tyre, kemi të tjera plane.

Çfarë planesh keni ?

Po presim të ikim në Angli, përgjigjen tre a katër njëherësh.

Një vajzë e vogël spjegon me zell; Xhaminë e kanë ndërtuar ustallarët. Ai shkëmbi i madh nuk është i zi por i bardhë sepse ashtu e ka bërë Allahu.

Barinj dhe baresha 10-15 vjeçarë me nga katër a pesë dhi a dhën thonë se tanipërtani janë të vegjël por pas do ikin. Jo Greqi, jo në Itali, jo në Gjermani. Vetëm në Angli.

Në një kafene tek një kthesë mbytur në jeshilllëk janë rrafshu disa tipa që deklarojnë me vendosmëri dhe janë gati të firmosin e vulosin se mu aty fillon Kalaja e Dodës.

Ku është "Kalaja" dhe kush ka qënë "Doda" ? askush nuk e di.

Kalaja e Dodës dhe Anglia janë dy popuj miq, thotë njëri, dhe ndërkohë që flet, nxjerr nga xhepi nje shuk me sterlina.

Këtu ka një bio kos që nuk është kos por elisir.

Naltmadhnin e Tij kosin bio këtu e përgatit dikush që mburret se ka qënë mbi 20 vjet oficer sigurimi në kufi, Ersekë, Gjirokastër. Ka qënë perversitet i diktatorit që spiunat e jugut i çonte në veri dhe spiunat e veriut i hidhte në jug.

Ore, i them sigurimistit të konvertuar në kosaxhi, a ke vrarë shqiptarë që kanë dashur të arratisen ?

Po, por jo shumë, nja tre a katër gjithsej, tha dhe qeshi.

Ik e ik i mbështjellë me ëndërr.

Diku vij në vete, nxjerr kokën nga jorgani i ëndrrës. Kjo rrugë që po shijoj nuk mund të jetë tas me grosh. Nuk mund të jetë as cigare e dredhur me filtër në Kukës dhe prush në Peshkopi. As llullë e gjatë me bisht të hallakatur si gjarpër kilometrik. Është Nargjile që zjarrin e ka në Peshkopi dhe thithet në Kukës.

Duke ik e duke fol me kalimtarët, bindesh se dibrani ja ka marrë dorën dynjallikut. Dibrani di ç'bën. Dibrani është i vetmi që nuk ka treguar ndonjë zell për të ardhur në Tiranë që është arena shkërdhatokratike më e madhe e botës.

Dibrani nuk ikën kuturu, dokudo, dosido. Dibrani ikën ku ka rregull, ku ka seriozitet, ku është mbretëri, madje perandori, në Angli, ku me sterlinat që fiton duke punu në një Car Wash mundet me ngrejt vilë këtu në Dibër, këtu në Kalanë e Dodës.

Në kohën e diktaturës  për lumjanët dhe dibranët që hapnin rrugët thuhej me përçmim se nuk duan më tepër se "buk e grosh e kep". Tani lumjani nuk do më tepër se Angli, Londër, biftek, car wash.

Në vende të tjera të bukura vret menjen kur është më mirë me kalu andejpari, në behar, në dimër, në muzg, në agim, nën shi, nën breshër ? Këtu jo. Këtu është bukur kurdoherë, ditën, natën, në çdo orë, në çdo stinë.

Ja dhe zjarri i Nargjiles prejnga shpërthejnë dëshirat, nis dehja, thuret ëndërra.

Peshkopia dinamike, produktive, e zhurmshme, e rrëmujshme, krejt njësoj si truri i dibranit që në kërkim të perfeksionit nuk i jep rëndësi hollësirave.

Hyj në një qëndër zgjedhore demokrate. Bosh. Pyes dikend në trotuar. Ku jeni ? Jemi në terren, thotë karakolli demokrat. Socialistat për me i dhën fitoren kandidatit të tyre kan vu në lëvizje oficerat e sigurimit që bashkëpunonin me oficerat e UDB-së për me kthy të arratisurit ose me i vra mbi telat me gjëmba, tani bashkëpunojnë në biznes.

Krahas Nëmërçkës, Divjakës, Vjosës, Pukës, Krrabës, Peshkopia meriton të jetë njëra nga gratë e mia.

Për shkak të një rrethrrotullimi pak sa nuk përfundova në Bllatë.

Në Shupenzë groshët e zjera ishin për ibret.

Përtej Qafës së Bullit, nga thellësia e luginës vijnë rënkimet e fragmenteve të pambaruara të Rrugës së Arbrit.

Duke zbritur nëpër leqet e laqeve të loqeve të koqeve të Klosit, pasi më siguroi se ishin të freskët të sapokëputur në kopësht, një djalë i vogël më shiti fiq frigoriferi.

Në një Car Wash ku punojnë at e bir, biri nën 20 po përgatitet me ik në një Car Wash në Londër, ku pasi do punojë disa vite do kthehet të ndërtojë vilë me katër kate, basen të kaltër, luanë allçini te porta.

Ku mora ujë, shitësi më siguroi se pas mbarimit të Rrugës së Arbërit, Klosi do jetë një lagje e Tiranës, Burreli si Durrsi, qejflinjtë dhe qejfleshat e llixhave do mund të bëjnë jo vetëm "shkuma party" por edhe "balta party" në liqenin e Ulzës ku duhet të ruhen mos u futen nëpër shalë e nëpër brekë gjarpërinjtë, ngjalat, gaforret e liqenit.

Mes Burrelit dhe Rrëshenit puntori i karburantit që i thashë se jam kolonjar me banim në Tiranë, më pyeti; I cilit fis je në Tiranë ?

Ku një perri' beqare e përjetëshme punon në një restorant, mora groshë që i hëngra në makinë.

Tek një katund ku sa herë kaloj shoh një Bocca di Rosa, bleva një kalli misri të pjekur.

Mbi dhjetë orë në timon pa u ulur në asnjë kafene dhe në asnjë restorant.

Ka dhe plot bukurira të tjera Shqipëria. Devolli, Myzeqeja, Zadrima, Tropoja, Mirdita, janë njëra më e bukur se tjetra.

Por s'ka si Dibra, që kurrë nuk ka qënë dhe kurrë nuk do jetë as e serbit as e grekut, por vetëm e Arbrit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora