Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Manual për Turista
E enjte, 24.08.2023, 07:56 PM
Manual për Turista
Nga
Edison Ypi
Faleminderit
Zoti Turist që u kujtove të vizitosh vendin tonë ku çfarë thuhet është rrenë,
çfarë shkruhet është pleh, çfarë mendohet është herezi, çfarë ndodh është
iluzion, çfarë shihet është magji, çfarë dëgjohet është marramendje, çfarë
ndjehet është vdekjeprurëse, çfarë vlen vidhet, çfarë lëviz shkërdhehet.
Eja
në Shqipëri të konstatosh dhe ulurish rrënqethjen që u shkakton secilës nga
miliarda qelizat e trurit dhe trupit mpleksja e laryshisë së mjedisit me rrezet
kozmike, fushat magnetike, elektromagnetike, gravitacionale, të tokës, ndikimi
planeteve, Hënës, Diellit, yjeve, gjeologjia, klima, erërat, ujrat, flora,
fauna, këto dhe të tjera që e bëjnë Shqipërinë "Vend i Mirë", Kishë,
Xhami, Teqe', Tempull, Mekë, Jerusalem. Vend ku po të jesh i sëmurë shërohesh.
Po të jesh i shëndetshëm nuk sëmuresh. Po të jesh i shqetsuar qetsohesh. Po të
jesh i qetë çmendesh. Po të jesh bandit bëhesh deputet. Po të jesh mafioz
bëhesh ministër. Po të jesh i urtë të vjedhin. Po të jesh i ditur të plagosin.
Po të jesh i ndershëm të vrasin.
Prejkur
Stendal vizitoi muzeumet e Firences, u muar vesh se Bukuria lodh, sëmur, vdes.
Ruaju
pra nga Sindroma e francezit.
Bëj
çmos të mos luash nga fiqiri kur kalon, për shembull, përmes bukurive të
Mokrës, Qukës, Karkavec, Velçan, Trebinjë, Varri i Grekut. Derisa t'ja therësh
përposhtë nëpër një serpentinë marramendëse me Liqerin e Lasgushit në horizont.
Këtu
një urë mesjetare. Pak më tutje ca mokrarë flokbardhë si vikingë. Edhe më tutje
një cop byreku me fasule shoqëruar me një teke raki bio e ngjyrosur, do jenë aq
të shijshme sa jeta që ke bërë atje nga erdhe do të duket hiçasgjë.
Kur
në Potkozhan, një Shaljapin lokal, brenda Teatrit më të madh në botë me male,
gremina, ujvara, në platenë kilometrike vetëm ti, në skenën gjigande vetëm ai,
do këndojë këngë ruse për Stalinin dhe Ushtrinë e kuqe, nga kjo çudi' lotët do
të ikin rrëke'.
Te
Kanionet e Osumit do të duket sikur je futur në botën e Walt Disney.
Plot
me qershi, humnera, përrenj, rruga Berat-Këlcyrë nga kaloi ushtria e
Mussolinit, do të impresionojë aq tepër sa do çjerrësh me thonj fytyrën.
Një
orë në Voskopojë, shenjtëria e kishave dhe monastereve do ta çrregullojnë bukur
gjumin dhe ëndërrat për dhjetë vjet rrjesht natë për natë.
Në
Prespë do rrethohesh nga një pastërti mjedisore nga koha kur motorrat nuk ishin
shpikur, që nuk do ta harrosh kurrën e kurrës, edhe pasi të vdesësh.
Kur
në Theth do mbushësh mushkëritë me oksigjen bjeshkësh, do ndjehesh 30 vjet më i
ri.
Kur
në Pukë do takosh Zotin dhe do pini nga një birrë me ujë Puke, shfrytëzo
rastin. Foli për disa padrejtësi duke i bërtitur.
Duke
u hazdisur si i çmendur nëpër fushat, kishat, manastiret e Myzeqesë, do
çlirohesh nga çdolloj stresi.
Berati
magjepsës do të rrënqethi nga koka te këmbët sikur do të zerë korenti.
Kur
gjatë këtyre udhëtimeve, do tu thuash të mos i betonojnë fshatrat se është
idiotllëk, dhe rrugët e ngushta që të çojnë në vendet e shenjta t'i ndreqin por
të mos i asfaltojnë sepse pakësojnë magjinë e vajtjes nëpër ato vende, dëgjo
reagimet, dhe shkrihu së qeshuri.
Për
ti ekuilibruar deridiku tronditjet që do hasësh dhe për të frenuar lotët me
ndonjë zbavitje të këndëshme, shko të shohësh në Tiranë një rrugicë qorre nja
50 metra me emrin e themeluesit të Kryqit të Kuq botëror, Henry Dunant, dhe po
aty afër një tjetër rrugë me emrin e një idioti.
Ik
në Lushnje ku mu në mes të qytetit të vdesësh gazit duke parë shtatoren
gjigande të një kooperativisteje myzeqare që mban me duart përpjetë një tufë të
korrur me grurë guri.
Mos
prano të rrëfejnë për tmerret e Teatrit të shembur ku janë bërë gjyqe dhe janë
dhënë dënime me vdekje, se sëmuresh nga çrregullime hormonale të pariparueshme.
Refuzo
të mësosh për mozaikun mbi muze se do të ndali zemra ose do të bjeri damllaja
që në fjalët e para që do të thonë.
Kur
të tregojnë për qindra fshatra që kanë xhami por s'kanë shkollë, do habitesh aq
tepër sa do të bjerë të fikët.
Mos
ua vër në dukje gafat shoqëruesve. Aq men kanë. Janë të burgosur brenda
retorikës socrealiste. Thuaj bereqaves që këtë herë nuk e tepruan, dhe lëshoi
pe balonës.
Kujdes
se mund të ndodhi që shkon diku, mahnitesh, bie në dashuri me atë vend, të
pëlqen aq tepër sa refuzon të kthehesh. Ngec atje. Nuk kthehesh më. Mbetesh
këtu.
Gregory
Peck dhe Audrey Hepburn në filmin "Vacanze Romane" i bënë të njohur
botës Vespa-n.
Përfito
nga kjo përvojë. Bëji të njohur botës Lin-in, Bylisin, Mallakastrën, Rrugën
Egnatia, kishat, kështjellat.
Sakën
se nuk kthehesh më.
Eja
përsëri në vendin plot magjepsje që të sëmurin, episode që të shërojnë, dromca
që të zbavitin.
Shqipërinë
do ta gjesh si gjithmonë ka qënë e do jetë.
Tmerrësisht
e shijshme.
Pafundësisht
e bukur.