Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Zonja e Bujtinës
E hene, 23.10.2023, 06:58 PM
Zonja
e Bujtinës
Nga
Edison Ypi
Je
qefli i ajrit të pastër. I raftë pika kujt nuk është, thuaj.
Je
dhe i marrosur pas vendeve panoramike që t'i ka bajatosur televizori duke i
shoqëruar me rrena trashanike nga reporterë të papërgjegjshëm pa fantazi dhe me
fjalor të varfër.
Mezi
pret ndonjë rast për t'i parë dhe ndjerë ato panorama atje ku ndodhen, në vende
sa më të largëta. Dhe atje ku duhet, duke i nuhatur, prekur, shikuar, dëgjuar,
shijuar, kafshuar, në mish.
Je
edhe merakli i vendeve historike. Ku janë bërë luftra. Janë vrarë e varrosur
mijëra në beteja të përgjakta që kanë skuqur truallin dhe lumin me kilometra. U
janë gjetur armët. U janë gjetur dhe kufomat. Por nuk ka qënë e mundur të identifikohen.
Kanë mbetur Ushtarë të Panjohur. Për shembull, të luftës Italo-Greke. Për të
ditur më tepër se rrenat komuniste dhe fashiste të kësaj lufte ke pyetur njërin
e tjetrin. Edhe historianë. Por më tepër të kanë ngatërruar. Një Historian
goxha i njohur që të është dukur i ditur, të la pa ment kur pasi të tha ca
broçkulla që nuk të bindën, të tha; Kaq di. Edhe këto me të dëgjuar i kam.
S'kam qënë ndonjëherë andej nga Vjosa. Është larg. S'ja kam ngenë.
Këto
dhe të tjera kërkesa e dëshira duket sikur nuk i plotëson dot në një vend të
vetëm.
Gabohesh.
Mos u dorzo. Ka menduar tjetërkush për ty për t'i gjetur e shijuar të gjitha
pretendimet klimatike që ta përmirësojnë shëndetin dhe t'i kënaqin kuriozitetet
historike me ta qetsu mendjen e hallakatur, në një vend të vetëm, dhe pa u
lodhur.
Ik
te Zonja e Bujtinës.
Ik
në Peshtan.
Nuk
është larg.
Po
edhe prapa derës a matanë gardhit, nuk është.
Ke
kaluar Tepelenën e Pashait me nargjilè.
Kalo
mbi Urën e Leklit të kaurrëve të fshtit omonim pak më lart në faqe të malit.
Lër
pas nja dy a tre restoranta anës udhës ku hahen male mishi të pjekur keci apo
viçi si ta duash.
Hidh
Urën e Dragotit që tundet si ato të dashit, por kurrë nuk bie.
Ke
hyrë në luginën e magjishme të Vjosës.
Ec
edhe ca.
Pak
kilometra më tutje, më të djathtë, e quajtura Ura e Meros për nderin dhe
lavdinë e gazetarit të famshëm që nuk guxon trim me pallë e pa pallë ta
kundërshtojë.
Ndalu.
Hidh sytë rrotull për ta fiksuar në kujtesë vendin ku do nisësh udhëtimin drejt
qiellit jo më tepër se nja 3 kilometra larg e lart nga Ura pa harqe triumfi.
Nuk thonë kot se shqiptari e kap qiellin me dorë.
Merr
frymë thellë.
Nisu
në aventurën më të magjishme të Jetës.
Pas
një serpentine malore me gjithato kthesa të pabesa si fjalime parlamentare dhe
premtime të rrejshme zgjedhore, ka dalë e po të pret ndanë udhës Mira Peshtan,
Zonja e Bujtinës.
Mos
e vra mendjen e dinte apo nuk e dinte Zonja që zotrote do vije.
Mos
e pyet për asgjë. Zonja i di pyetjet që do i bësh. Zonja të lumturon me rrebesh
përgjigjesh.
Zonja
ka mbi dhjetë vjet që e ka hapur Bujtinën e famshme.
S'lodhet
kur flet Zonja e lindur, rritur, kalitur këtyre anëve, mes kësaj klime të egër
dhe këtyre shkrepave të pamëshirshëm. Ai që lodhet je ti ngordhalaqi i Tiranës
me mushkri të nxira nga smogu që s'ke fuqi as të pjerdhësh.
Zonja
elegante e Bujtinës së famshme është aq energjike sa duket sikur mëngjez,
drekë, darkë, ushqehet me Uranium dhe Plutonium.
Gjysmën
e ditës a më tepër Zonjën e ke krye të rreshtit duke shoqëruar nëpër shkëmbinj
e gërxhe turistat e Bujtinës.
Zonja
e Bujtinës, kjo Perpetuum Mobile e Peshtanit, është çdo ditë, 24 orë në ditë,
12 muaj në vit, majave të maleve mes Përmetit dhe Tepelenës. Ku uji, jo me
llafe por me analiza, është më i miri në botë. Toka përmban fosfor që i ndez
kokat e banorve. Që llafosen shumë. Shkruajnë libra. Bëjnë karrierë. Vinë në
Tiranë. Bëhen shefa. Thurin dallavere. Pasurohen. E të tjera e të tjera, derisa
vjen një ditë dhe të gjitha i merr era.
Mes
përgjigjeve pa pyetje të Zonjës së Bujtinës, mezi gjen një moment për të hedhur
sytë rrotull.
Menù
perandorake për sytë.
Ngushtica
e Këlcyrës. Lugina e Vjosës. Gryka e Mezhgoranit. Goliku me një re' të bardhë
në majë duket si bombë atomike. E me rradhë çuditë panoramike më të bukura të
botës, të gjitha për Wallpaper në kompjuter.
Pasi
i bie faqes tënde me shpullë për tu bindur se s'je në ëndërr, nis e dyshon. A
jam në vete ? Çfarë po më ndodh ? Jam un ai që isha kur erdha apo një tjetër ? Do kthehem, apo do i kaloj
këtu vitet që më kanë mbetur ?
Tek
i bën vetes pyetjet e frikshme, sheh në oborr diçka të çuditshme. Një si dollap
druri me tre kate, nja katër metra i gjërë, rreth dy metra i lartë, pothuaj një
metër i thellë.
S'u
beson syve. Të duket sikur po çmendesh. Nis i lutesh Shenjtorit të
këlcyriotëve; O Hasan Dedè, kij mëshirë, më ruaj ment e kokës dhe sytë e
ballit, thuam të lutem, çfarë janë ato hekurishta në atë dollap ?
Nis
e flet Shenjtori nga Tyrbja e Këlcyrës.
Ato
"hekurishta", thotë Hasan Dedè, i ka mbledhur këtej rrotull Mira
Peshtan, Zonja e Bujtinës. Janë vegla, armë, municione, bomba, granata, vezme,
fishekë, helmeta, pushkë, kobure, tyta, lloza, patkonj, gjipëra lugë, pironj,
konserva, tasa alumini, tela me gjëmba, të gjitha të ndryshkura, të gjitha të
shtremra, të gjitha të vjetra, të gjitha të bukura. Ke atje deri edhe diçka që
s'ta kishte marrë mendja se ekzistonte: samar metalik mushke lufte.
Tek
i sheh ato hekurishta të merren mentë, të dridhet buza, të shemben këmbët, të
shkon korrent nëpër shtyllën kurrizore. Ndjen brenda barkut një ridimensionim
dhe një rivendosje korrektuese të organeve, zemrës, mushkrisë, stomakut,
zorrëve, rrushit.
Më
i sinqertë se librat e Historisë plot me rrena burokratësh. Më i vërtetë se çdo
inventar i bërë me rigorozitet ushtarak. Më i përpiktë se çdo studim shkencor
prej historiani lufte. Më i plotë se çdo koleksion armësh. Më serioz se çdo
Proces Verbal Gjyqi ndërkombëtar për çështje lufte agresorësh dhe viktimash.
Brenda atij dollapi ke dëshmitë më autentike të Luftës Italo-Greke.
Markat
e armëve lexohen mbi tyta.
A
do të dish sa herë ka shtënë X armë, pra sa e rreptë ka qënë beteja ?
Merre
tytën çoje në laboratorin përkatës. Nga përkulja e tytës për shkak të
nxehtësisë dhe konsumimit të vjaskave nga fërkimi me plumbat, eksperti do të
japi të dhëna të sakta për shumë çështje.
Cilën
rracë mushkash përdori Mussolini në atë luftë ? Gjindet kollaj. Nisur nga
dimensionet, bëj hesap peshën e samarit metalik. Pyet cila nga mushkat ka mujt
me mbajt samar me atë peshë, dhe u kry.
A
të ha meraku çfarë hanin dhe sa hanin ushtarët italianë dhe ata grekë ? Është e
thjeshtë. Merr një gavetë greke që e ka çpuar tejpërtej plumbi i italianit një
çast para se të hyjë në mishin e grekut dhe greku të ketë fluturuar në majën e
Olimpit për tu kërkuar Perëndive t'ja falin mëkatet. Merr një gavetë të
shtrembët italiane të çpuar nga plumbi i grekut një çast para se italiani të
ketë vajtur në Ferrin e Dantes. Çoi të dyja gavetat në një laborator ku do të
thonë me saktësi jo vetëm volumin e secilës gavetë, pra volumin e ushqimit për
çdo vakt të secilës ushtri, por me metoda të sofistikuara radioaktive, duke
studiuar micrombetjet ushqimore, do gjejnë me saktësi edhe çfarë kanë ngrënë
ushtritë që u vranë e u prenë sa Trebeshinën e rrënqethën, Dhëmbelin e bënë ti
rrjedhin lotë, Vjosën e skuqën. Për çfarë ? Për mustaqet e një peshtanaku ose
pacomitlliu të quajtur Çelo.
S'ka
rëndësi nëse ishe në Bujtinë ku hëngre sa u zhdëpe, apo në Muze ku kënaqe
kuriozitete.
Rëndësi
ka që konstatove se Zonja e Bujtinës, duke pajtuar në mënyrë perfekte biznesin
me kuriozitetin historik, kulturor, intelektual, atdhedashës të klientit, ka arritur
të jetë një kapitaliste shembullore prej së cilës mund të vijnë të mësojnë për
të qënë më të përmbajtur hajdutët e pangopur të Tiranës.
Kur
të kthehesh, dikush do të thotë: Paske ardhur në vete. Ke ndërruar çehre.
Dukesh më i lirë e më i mirë. Ku ishe ?!
Thuaji
dikushit pa tu dridhur syri; Isha te Bujtina e Zonjës. Ik edhe ti.