Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kosova ka mungesa
E enjte, 26.10.2023, 07:55 PM
Kosova ka mungesa
Nga
Edison Ypi
Isha
në Kosovë.
Kosova
kishte mungesa.
T'i
pyesje kosovarët: Ku ndodhet hoteli ? askush nuk e braktiste punën veç 1 orë
për me të shoqëru te hoteli. As ustai, as ndihmësi. Madje në Kosovë këtë hall
nuk ta qan as serbi i Graçanicës.
Por
edhe nëse hotelin e gjen vet, hoteli ka mungesa, hoteli s'ka kurva.
Nëpër
gjelltoret e Kosovës ka Pasul, dhe Pasuli fort i mirë është, por mungon ai
Pasul që ëndërroj unë, mungon ai Pasul që dashuroj unë, Pasuli me tavë argjile,
me fasule kokërrmëdhaja, i pjekur në furrë, me llokëm mishi në mes.
Andej
nga Rahoveci dhe Malisheva dhe vende të tjera ka vreshta dhe plantacione rrushi
me të ikë menia, dhe lumë derdhet rakia. Por nëpër gjelltore kamarierja të vë
në dijeni një mungesë të frikshme. Të thotë "s'mbajmë pije alkolike",
as birra.
Shqiptari
i Shqipnis don veç me nejt.
Kosovarit
i mungon kjo cilësi, ai don veç me punu.
Në
Kosovë mungon kafja dhe muhabeti gjatë orarit të punës. A jetohet pa kafe dhe
pa muhabet te puna ? Çudi si e durojnë kosovarët këtë diktaturë. Prite Zot kur
pas pak të nisi rrebelimi i muhabetit dhe revolucioni i kafes.
Nëpër
tezgat e fruta-perimeve ka gjithçka. Por ka mungesa esenciale. S'ka fruta
ekzotike si këto që Shqipëria i sjell nga fundi i botës.
Autostradat
e Kosovës janë si të Gjermanisë. Por kanë probleme. Mungojnë gropat, gungat,
bajgat e bagëtive, vrragat e vajrave që rrjedhin nga motorrat e vjetër,
mbrojtëset metalike të shpartalluara nga përplasjet e makinave.
Nëpër
rrugët e Kosovës mungon laryshia e tipave. Zor se e sheh ndonji barkderr
kokërruar me zinxhira floriri në qafë dhe nëpër duar.
Mundesh
me taku në Kosovë plot Berata, Etnika, Liridona. Mirpo, për shkak të mungesës
së vetdijës metropolitane, zor se e gjen në Kosovë nji Ferdinand, nji Elvis,
apo nji Antonio.
Në
Tiranë kurrkush s'ja jep celularin kosovarit për me bo një bisedë të shkurtër
me mbaru nji punë të ngutshme, një detyrim që s'pret.
Në
Kosovë, frika nga vllau i përtejdrinit, si shumë cilësi të tjera të vyshme,
edhe ajo mungon. Shqiptarit nga Shqipëria në hall, celularin ja jep çdo
kosovar.
Në
Kosovë mungon syçelësia ndaj turistave. Në Kosovë, krejt turistat munden me ik
me vrap nga restorantat veç mos me pagu.
Në
Kosovë mungojnë shqiptarët që u telefonojnë televizioneve për tu dëshmuar sa
budallej janë ata vetë, se televizionet dihet sa kot janë.
Nxënës
të edukuar dhe të disiplinuar që respektojnë mësuesit ka pafund në Kosovë. Ama
1 që ja hedh mësueses karriken në kokë nuk e gjen dot sot, as ke për ta gjetur
kurrë, çka, në një shoqëri moderne është mungesë e papranueshme.
Në
Kosovë nuk mundesh me gjet as tre ose katër djem të rinj që pasi e drogojnë dhe
përdhunojnë moshataren, e braktisin në mes të rrugës duke dhënë shpirt. Mungesë
goxha e rëndë kjo për nji vend që aspiron NATO-n vizat, Europën.
Piktorja
Vjeshta, faqet e kodrave dhe maleve, gjethet, drurët, fushat, pyjet, i ka
ndezur me ngjyra si një prush gjigand aq mahnitës sa s'munden as piktorat
gjenialë. Pritet të zbresi një Profet me ja shtu ndjeshmërinë e ndërrimit të
stinëve atyre që u mungon.