Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Katër dromca nga Kosova
E premte, 17.11.2023, 08:59 PM
Katër dromca nga Kosova
Nga
Edison Ypi
Fill
pas bombardimeve. Në hymje të Shtimjes. Mëngjez herët. Mjegull. Gërmadha
shtëpish gjithandej. Te një lavazh, ulur, mbështetur pas muri, pronari dhe
njëkohësisht puntori i lavazhit, ndjen zhurmën e makinës që afrohet. Çohet.
Hedh një vështrim mua dhe makinës. Nis punën me la makinën. I dridhen duart. Jo
pak. Duart i dridhen shumë. Po ta vëresh mirë, edhe trupi i dridhet. Nuk është
më tepër se 40. Nuk mundet me pas Parkinson. E kryn më së miri punën. E bën
makinën dritë. E pyes sa bën, sa kushton, sa e ka hakun ? Më sheh edhe një herë
nga koka te këmbët, merr frymë thellë, dhe më thotë: Të njoha nga targa e
makinës. Jam kthy pi kubeti para tre ditësh. Në Gjermani kam la makinat e krejt
botës. Larja e makinës tënde kushton zero. Ty shqiptarit të Shqipnis nuk do të
marr asgjë. Pra qënkej dridhur këmbë e duar nga Fati që pati, nga kënaqsia që i
erdhi rasti me ja la makinën një të panjohuri nga Shqipëria. Tani nis e dridhem
unë. Tani më kap mua xerxelea. E përshëndes. Largohem i hutuar nga kjo mbresë e
rrallë ose e vetme, e paprovuar kurrë më parë.
Gjakovë.
Çarshia e Vjetër. Djegur e shkatërruar sa të merr të qarët. Kan mbet veç do
barraka. Edhe ato për ibret. Gjithçka tjetër e djegur. Hyj n'Çarshi me ngrën
Pasul. Bajagi i famshëm Pasuli n'Çarshi t'Vjetër t'Gjakovës. Pronari i
restorantit thotë: S'kam Pasul. Eja pasdite. Do bëj Pasul për ty. Do bëj Pasul
për shqiptarin e Shqipnis. Ta po ta kallxoj një mesele: Kyt restorant e kishte
një serb. Un isha kuzhinieri, puntori i serbit. Para se me ik nga frika e luftës,
serbi më tha: Në varësi si shkon lufta, nëse këtu do mbetemi ne, restoranti do
vazhdojë të jetë i imi. Nëse do vini ju, e gzofsh ti, un do iki ku t'munem.
Vajta pasdite hëngra Pasulin. Kalimin e pronësisë me Besë shqiptare dhe
seriozitet ballkanik nuk e harrova.
Ka
rënë nata. Jam nis për në Ferizaj. Në dalje të Prishtinës pyes dikend për
rrugën. Më thotë:
-Nuk
i di rrugët. Më intereson tjetër gjë.
-Rrugët
duhesh me i dit. Ani, s'ka problem. Po. Jam gati me të nimu. Veç folë.
Shqiptari i Shqipnis shqiptarin e Kosovës nuk e len në balt, e ndihmon.
-Ma
gjej një nuse pi Shqipnie. E du nga Roskoveci.
-Eja
gjeje vet nusen. Tani që Kosova u çliru, mundesh me gjet nji princesh si po ta
don qefi.
-E
shof që nuk po don me më gjet nuse. A ma gjen diçka tjetër...
-Gjithçka
ta gjej. Krejt Shqipnin ta bi ktu. Veç fol...
-Po
du me ma pru pi Shqipnie ni kalashnikov.
Ishte
natë. Nuk mujsha me e dit ku po kaloja. Ndoshta nëpër Çagllavicë. Ku ai që më
kërkoi nuse dhe kalashnikov pi Shqipnie, pra luftë dhe përzjerje gjaku, ndoshta
qè serb.
Serbit
të vërtetë ose budallës shqiptar, nuk iu përgjigja. As nuk pyeta më për rrugën.
Vazhdova drejt Ferizajt nëpër shtigje e livadhe ku më çuan rrotat e makinës dhe
menia e çkurdisur.
Prishtinë.
Ka kalu 2 e natës. Kafe, çaj, muhabet. Shetitje nëpër qytet me miq. Diku ka
ndodh diçka. Patrulla e Policisë me polica shqiptarë ka ndalu një kerr. I zoti
i kerrit nuk duket aspak i mrrylët se ja kan ndal një kerr. Po qesh sikur ja
kan fal një kerr.
-Pse
po qesh Zotni ?
-Po
qesh, dhe do qesh sa qiellin do ta gris, se i lumtur jam, dhe raki do pi, se
çyt kerr nuk ma ndalën shkiet, djemtë tanë ma ndalën, dhe hiç s'mërzitem, dhe
veç me qesh po du, edhe sikur ç'at kerr kurr mos me ma kthy.