Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Për një garuzhde groshë
E merkure, 17.01.2024, 08:57 PM
Për një garuzhde groshë
Nga
Edison Ypi
Kishte
kaluar mesnata. Ushtarin e zgjoi uria. U ngrit me përtesë. U shtriq. Mallkoi
Fatin e zi që e kishte plasur në atë kapanon qensh. Vajti në mencë duke u
lëkundur si i dehur. Shtyu sportelin prej druri që ndante mencën me kuzhinën.
Hodhi një garuzhde groshë në tas. Hëngri i babëzitur. Piu ujë. Gromësiu. Iku.
Fjeti.
Hajduti
që vodhi dhe hëngri një garuzhde groshë nëpër natë ishte një armik i rrezikshëm
kundër pavarësisë së vendit dhe revolucionit proletar botëror. U njoftua
mbledhje urgjente. Asnjë të mos mbetej pa e rrahur këtë problem dhe këtë armik.
Tema e mbledhjes: Kush jam unë, kush je ti, kush është kolektivi ?
Askush
nuk pyeti kush e kishte spiunuar "hajdutin" e një garuzhde groshë. E
kotë ta kërkoje. Dihej. Mund të ishte çdokush. Ku të gjithë ishin 20 vjeç,
spiuna dhe të spiunuar ishin të gjithë. Në ushtrinë e Diktaturës ku të gjithë
kishin moshë të njëjtë, kishte më tepër spiunllëk se në burgjet e Diktaturës ku
të gjithë kishin moshë të ndryshme.
Episodin
e frikshëm dhe të turpshëm me uri, groshë, ushtar somnambul, spiunllëk,
mbledhje demaskuese, që e kam parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e mi ushtar në
po atë repart, e preka para pak ditësh në një shkrim mbi spiunllëkun në
Diktaturë me këtë peragraf:
"Spiunllëku
i ushtrisë që bëhej sheshit pa asnjë drojë, ishte më i vrazhdi, më i fëlliqti
dhe më i rrezikshmi i të gjitha spiunllëqeve. Ushtari-ushtarin e spiunonte edhe
kot, për qef, edhe për një garuzhde groshë për të cilën i biri i kulakut tha se
ishte pak. Edhe për një gotë çaji për të cilën nipi i armikut pretendoi se ka
brenda Klor".
Një
mikeshë angleze qeflie e shkrimeve të mia, më tha se kishte mbetur e paqartë te
paragrafi i mësipërm përkthyer me "Google Translate", veçanërisht te
fjalia:
"The
soldier-soldier spied for nothing, just for fun, and for a large sum of money,
which the kulak's son said was too little".
Përkthimi
allasoj më ktheu nja dhjetë vjet prapa te një tjetër episod i ngjajshëm kur po
i shkruaja një tjetër anglishtfolësi që quhej Chip. Pasi mbarova së shkruari
anglisht, për tu siguruar se e shkruajta korrekt, e ktheva Italisht. Kur ç'të
shoh. Fillimi anglisht "Dear Chip", ishte katandisur "Egregio
Microprocesore".
Me
Chip-in që e kisha mik por më doli vegël elektronike, u habita dhe qesha.
Me
garuzhden e groshëve u habita, por nuk qesha.
Çfarë
lidhje ka mes "Për një garuzhde groshë" dhe "For a large sum of
money" ?!
Biçim
përkthimi, pasi torollepsi anglezen,ma bëri kokën daulle edhe mua.
Përkthyesi
elektronik bëka hatara,
Nuk
e njohka "garuzhden" legjendare shumpërdorimshe, me të cilën,
shqiptarët çvendosin ushqimin nga kazani te tasi, e mbajnë në brez si armë të
ftohtë, madje dhe vjedhin.
"Groshë"
e njeh, por jo si fasule, vetëm si një lloj fasule.
Me
gjasa, përkthyesi elektronik ka ndezur motorrat e inteligjencës artificiale,
dhe e ka djallosur me zullume të pandreqshme.
Me
një iniciativë për tu pasur zili, ka guxuar "groshë" ta bëjë pa
"ë" duke e katandisur në "grosh", monedhë turke që është
përdorur edhe në Shqipëri, të cilën, po ai përkthyes elektronik, e njeh si
"stiver", monedhë e vogël përdorur kohë më parë në Vendet e Ulëta.
E
gjitha një degdisje, arratisje, çartallosje, pa asnjë lidhje me origjinalin.
Mes
tjerash, edhe inkoherencë e thellë kuptimore. Të birit të kulakut i janë dukur
pak gjithato pare, "a large sum of money". Çka s'ka gjasë të ketë
ndodhur.
J'u
marsha t'ligat o Fan Noli, Petro Zheji, Gjon Shllaku, Lasgush Poradeci, Aurel
Plasari, Afrim Koçi, Sotir Caci, Mitrush Kuteli.
Inteligjenca
artificiale që shkaktoka gjith' këto vuajtje dhe tollovira vetëm nga moskuptimi
i një garuzhde groshë, më mirë të gjejë mënyrën për t'i ngritur mjeshtërat nga
varri të na bëjnë përkthime për së mbari, sa të merret vetë me një punë që s'ja
ka haberin, me përkthime, ç'ka se bën dot, dhe kurrë nuk do mundet, dhëmbin kaq
ta bëjë. Hë de, përktheje elektronikisht këtë "dhëmbin kaq ta bëjë".
Inteligjenca
artificiale qënka më tmerr se tmerret e Diktaturës, spiunllëku, uria, menca,
kuzhina, grosha, garuzhdja, ngitja natën e ushtarit të uritur, mbledhja për
demaskimin e armikut. Madje dhe më keq se kaq. Duket si këshillë drejtuar
autorëve dhe lexuesve për të mos u sëmurur apo çmendur nga prapësitë e
inteligjencës artificiale ta marrin vetë në dorë iniciativën duke i dhënë sa më
shpejt fund jetës.