Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Justina
E enjte, 04.01.2024, 08:55 PM
Justina
Nga
Edison Ypi
Many
tears ago, kur gjatë një muzgu të trishtë po sorollatesha tek Sheshi
Skënderbej, mua që s'kisha qënë kurrë në asnjë koncert, kinema apo teatër të
Diktaturës, këmbët më shpunë brenda Pallatit të Kulturës.
Këndohej
për partinë, puntorët, fitoret, furrat, uzinat, traktorët, kallot e duarve,
djersën e kooperativës.
Befas
nisi të këndojë një femër.
U
ndodha fare afër saj. Që në çastin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, u
kuptua se ishte ndryshe, krejt ndryshe. Tepër larg partisë, puntorëve,
fabrikave, kallove, fitoreve.
Kishte
tjetër energji, tjetër rrezatim, tjetër tonus, tjetër shije, tjetër vibracion.
E
kënduara e saj ishte një miks drithërues i talentit, seriozitetit,
ndjeshmërisë, butësisë, ëmbëlsisë njerëzore.
Zëri
i Saj përcillte një nervozizëm të dukshëm, një shqetsim të brendshëm, një
revoltë të papërmbajtur.
Ishta
diçka e pa provuar kurrë më parë. Diçka jo e atyshme, e këtushme. Diçka e
përtejme, njëkohësisht e largët dhe e afërt, diçka prej Udstoku.
Nuk
më kujtohet kënga që këndoi.
Më
kujtohet diçka tjetër. Diçka që më mbeti përgjithmonë në kujtesë.
Në
atë kohë, mirkuptimi i këngëtarëve me
publikun ishte i panatyrshëm, i shtirur, i stisur.
Ajo
që nisi të këndojë e bëri menjëherë zero distancën mes vetes dhe publikut.
Realizoi në çast një mirkuptim të plotë me publikun. I elektrizoi menjëherë të
gjithë. Bëri për vete atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë
nuk mund t'i ndodhte kurrë, mua.
Kaluan
çastet e para, minuta e parë, e dytë. Këngëtarja po bënte diçka të pabesueshme,
diçka të papërfytyrueshme, diçka të palejueshme. Po konsumonte herezinë më të
rrezikshme kundër diktatorit dhe partisë, tradhëtinë më të pafalshme ndaj
proletarëve, traktorave, arave, fabrikave, dhe sidomos, duke sfiduar syçelësinë
e tij; pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit; Duke kënduar po lëvizte. Po
lëvizte gjymtyrët, por po lëvizte edhe atë që ishte i dënuar me ngrirje të përjetëshme,
belin !
Mes
bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin
që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta
ndali këtë çast. Të tjerët, më pak të rrezikuar nga arresti kardiak, marramendja,
apo damllaja, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi
për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është
gjithashtu e këshillueshme.
Kur
s'kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje të merakosur, ja behu nga turma
drejt këngëtares.
Pashë
dhe dëgjova gjithçka.
I
frikshëm dhe kërcënues, njeriu i ardhur befas, duke i treguar gjymtyrët dhe
belin, i tha; "Kujdes-kujdes. Jo-jo kështu. Mos lëviz !".
Ajo
ngriu.
Në
fytyrën e Saj pashë një llahtarë që s'e kam parë në asnjë film horrori.
Dola
menjëherë jashtë duke mu marrë mentë. Volla mbështetur rrëzë njërës prej
kolonave.
Ika.
Lashë
koncertet e tyre. Vajta tek qetësitë e mia; librat, leximet, RAI, Jash
Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura
Giulietti.
Nuk
u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja therën këngën sepse
sfidoi ngrirjen.
Prej
atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert.
Shumë
më vonë, pasi e kishin degdisur s'di se ku, mësova se këngëtarja e talentit të
madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve
lëvizëse, quhej Justina Aliaj.
Vrasja
dhe mosgroposja e bënë Justinën të pavdekshme.
Thuhej
se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni ndërsa Vaçe Zela si Mina. Por s'do
ment se dy tonat që këndonin ku të vrisnin e s'të groposnin, ishin më të mira
se dy italianet që mund të bënin ç'të donin.
Më
mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për ta urdhëruar Justinën të mos
lëvizte.
Kush
të kish' qënë vallë ?!
Ndonjë
sigurimist për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme. Por
ishte gjithaq e besueshme të kishte qënë ndonjë dashamir, i cili, përmes një
gjesti gjoja prej vigjilenti, Justinën vërtet e vrau, por e shpëtoi nga
groposja. Kur shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të
ishte edhe njëri edhe tjetri.
S'ka
problem se tundin portretin e diktatorit, lidhin shallin e kuq, Historinë e
shkruajnë si duan. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet.
Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Shiu do bjeri e do lagi. Era
do fryjë. Gjethet do rrëzohen. Justina këndoi, këndon, e do këndojë.