Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kanga Shkodrane
E merkure, 29.11.2023, 08:58 PM
Kanga Shkodrane
Nga
Edison Ypi
Përmeti,
Korça, Kuksi, Tropoja, Skrapari, Elbasani, Berati, Myzeqeja, bëjnë muzikë të
hatashme, kanë vegla muzikore të mrekullueshme, thurin tekste inteligjente me
ironira dhe autoironira fantastike, edhe me nënkuptime erotike.
Por
jo si Kanga Shkodrane.
Kanga
Shkodrane është Mbretëresha e Këngëve.
Kanga
Shkodrane ka të shkrira brenda vetes gjithçka që ekziston, sende dhe shpirtra,
të gjallë e të vdekur.
Drini,
Liqeni, Buna, Kiri, përrenjtë, Deti, bora në male, gjithato ujra, vibracione,
oshëtima, pëshpërima, psherëtima, janë pjesë përbërëse të Kangës Shkodrane.
Janë ato që e bëjn Kangën Shkodrane më të bukurën në botë.
Nature
Boy, Kiss of Fire, Dark Eyes, s'guxojnë të maten me Kangën Shkodrane, që është
thurja më mahnitëse e tingullit me tekstin.
Ndërsa
shkodranët i kanë dhënë Kangës Shkodrane Shpirtin, ujrat i kanë dhënë hapin,
tempin, ritmin, tingujt, amëlsinë, Cukali Burrërinë, Malet Seriozitetin,
Rrozafa Historinë.
Kanga
Shkodrane asht një yllnajë me yj të zjarrtë që digjen e ndritin e ngrohin e
kurrë nuk fiken.
Kanga
Shkodrane asht nji Univers ku gjithçka asht serioze, gjithçka asht e përsosun,
gjithçka asht e bukur.
Kanga
Shkodrane asht nji ikje, një arratisje, një largim, evadim, çlirim, lehtësim,
degdisje në qiej të largët ku s'ka gravitacion. Në skuta të fshehta ku nuk të
gjen asnjë budall me të mërzit. Asnjë idiot me të çudit. Asnjë hajdut me të
vjedh.
Duhet
me ekzistu diku një tempull i muzikës.
Po.
Ai tempull asht Shkodra. Altari i atij Tempulli asht Kanga Shkodrane.
Kanga
Shkodrane asht e vetmja kang në botë që kurrë nuk gabon me ta çu gjakun në tru
me përpikmëri në vendin e duhur dhe në sasinë e lypsur, për me të bo me ardh në
vete, të ndjehesh normal, të ndjehesh i çlodhur.
Kanga
Shkodrane nuk lejon me u ndigju në të njëjtin vend dhe në të njëjtin moment
diçka tjetër veç Hirësisë së Saj.
Për
shembull, po të thërret dikush në celular. Por zëri s'vjen. S'ka problem. Ai që
po të thërret duhet me prit me fol derikur Kanga Shkodrane që dikush po e
këndon, fërshëllen, ose dëgjon, të mbarojë.
Kanga
Shkodrane nuk hesht vetëm celularin. Kudo ku dëgjohet, këndohet, mërmëritet,
fëshfëritet, fërshëllehet, Kanga Shkodrane, hesht edhe bombën atomike nëse bën
gabimin me shpërthy aty ku s'duhet, aty ku Kanga Shkodrane po këndohet.
Ndodh
kjo, ngaqë, ku Kanga Shkodrane nigjohet, gjithçka hesht. Njëlloj si në pyll,
ku, kur nis e këndon Bilbili, harabelat, gjinkallat, papagallat, qyqet,
kukuvajkat, ndalin këngën, përrenjtë ndalin zhaurimën, gjethet fëshfërimën,
ariu hungurrimën, qeni lehjen, ujku kafshimin, të gjithë heshtin, të gjithë
ulin kokën me nderim.
Serenata
nuk i këndohet Nuses. Nuses ja ke pi dhe ta ka pi sherbetin. Serenata i
këndohet të dashurës.
E
pra Kanga Shkodrane e bën edhe të pamundurën, i këndon serenatë Nuses më bukur
se dashnores.
Kanga
Shkodrane asht ngrohje, ndezje, rrjedhje, shpërthim, erruptim, derdhje, më
magjike se çdo qef e kënaqsi e kësaj Bote.
Muzikat
e vendeve të tjera janë edhe ato të bukura, janë edhe ato mbretëresha. Por janë
mbretëresha pa kurorë. Janë guacka bosh. Pa perlë brënda.
Grisja
pentagramin Kangës Shkodrane, shkatrroja veglën muzikore, bëje sa një kokrrizë
rëre, po deshe edhe digje, ose zgjeroje sa të dush. S'ke bo asigjo. Je lodh
kot. Kanga Shkodrane asht po ajo. Nuk ka ndryshu aspak.
Ose
dërrmoje Cukalin. Rrafshoje Taraboshin. Pije Liqenin. Thaje Detin. Ndale
Drinin. Pengoje Bunën. Prap s'ke bo gjo. Kanga Shkodrane s'don me dit për pirje
e thithje, shkatërrime e rrafshime. Ajo do vazhdojë të jetë po Ajo që ka qenë
dhe do jetë në shekuj.
Veç
nji t'keqe Kanga Shkodrane e ka: Nuk munet me u nigju pa lot në sy.