Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Spiuni
E hene, 08.01.2024, 08:56 PM
Spiuni
Nga
Edison Ypi
Diktatori
ishte larg, ishte i paarritshëm, i padukshëm. Ai që të kallte tmerrin ishte
hija që s'të ndahej, ishte ai që e kishe natë e ditë pranë - spiuni.
Shqiptarëve
u iku jeta duke duatrokitur Diktatorin dhe duke u tmerruar nga spiuni.
Në
familjen time, kurrë, asnjë fjalë, asnjëherë të vetme, në asnjë rrethanë dhe
për asnjë arësye, nuk u fol për spiuna dhe spiunllëqe. Mysafirët tanë, farefisi
ynë, shoqëria jonë, edhe ata, kurrë nuk përdorën fjalë të pahijshme morracakësh
në hjekë.
Jashtë
shtëpisë flitej gjërësisht për spiuna dhe spiunllëk.
Gjatë
shkollës fillore vinin në rresht "Çetën e Shkollës" për të pështyrë
në fytyrë një moshatar për sjellje të kundërta me moralin e partisë,
ideologjinë marksiste leniniste, diktaturën e proletariatit. S'do mend se
pionierin mëkatar ideologjik larë fytyrën me pështymën e shokëve, e kishte
spiunuar një moshatar.
Meqënse
kishte fytyrë që s'mund të fshihej sepse duhej pështyrë, emri i viktimës së
spiunimit, shpallej.
Që
nxënësit të ndjeheshin të gjithë fajtorë dhe të gjithë spiunë, emri i spiunit
fshihej.
Spiunat
ishin të shumllojshëm. Kishte spiun të shkallës, spiun të pallatit, spiun të
ndërmarrjes, spiun të librave, spiun të filmave etj. Prej krejt ktyre hordhive
spiunash, spiunin e parë dhe të fundit të gjallë prej mishi dhe kocke, pata
fatin ta shoh në shkollën e mesme në Politeknikum. Na sollën në shkollë një çun
nja 13 ose 14 vjeç për të cilin u tha se "kishte kapur 2 diversanta"
në kufi në një fshat verior. Pra shkurt ehe Shqip, pionieri me shall të kuq në
qafë kishte spiunuar 2 diversanta. Pionieri Spiun vinte në shkollë çdo ditë
veshur ushtarak si skënderbegas. Spiunin e vogël me një të qeshur teatrale që
të kallte krrupën, e kishin sjellë në Politeknikum për ta bërë fillimisht
zanatçi, pastaj ushtarak. Ky pionier spiun vinte në shkollë bashkë me një
moshatar, edhe ai veshur ushtarak, ndoshta bashkëpuntor në spiunimin e
divesantave, apo diçka tjetër të tillë, historinë e të cilit nuk e mësova, dhe
as nuk u interesova.
Spiunllëku
i ushtrisë që bëhej sheshit pa asnjë drojë, ishte më i vrazhdi, më i fëlliqti
dhe më i rrezikshmi i të gjitha spiunllëqeve. Ushtari-ushtarin e spiunonte edhe
kot, për qef, edhe për një garuzhde groshë për të cilën i biri i kulakut tha se
ishte pak. Edhe për një gotë çaji për të cilën nipi i armikut pretendoi se ka
brenda Klor.
Kur
i kujtoj këto tmerre, më vjen të qaj.
Pas
ushtrie, meqënse nuk e kontrolloja sa duhej llapën, më kapte frika mos më
spiunonin për këtë apo atë llaf llape. Me të kuptuar se nuk më spiunonin
pjesërisht por totalisht, zura ment, e qepa përgjithmonë.
Spiuni
banal, ai që përpos spiunllëkut s'kishte asgjë, asnjë shkollë, asnjë edukatë,
asnjë traditë, nuk bëhej merak që e dinin se ishte spiun. Madje mburrej se duke
qënë spiun, e kishin frikë.
Spiuni
i zyrave s'bënte asnjë punë. Sillej kot. Askush s'guxonte t'ja vinte në dukje
rendimentin zero në punë se e gjente belaja nga kundërsulmi i spiunit që me anë
të disa trukeve verbale, brenda pak minutave e transferonte parazitizmin nga
vetja te llërëpërveshuri që i thirri belasë të vinte, dhe belaja ja plotësoi
dëshirën, erdhi.
Dy
miq të vjetër ikën në 90-ën dhe më s'u dukën. S'lanë as telefon, as adresë,
asgjë, as mua as ndonjë tjetri. Do ken' qënë spiuna. S'ka spjegim tjetër. Sa
bukur ishin maskuar shkërdhatat.
Kisha
një mik. Nga një ndërmarrje në tjetrën me vite të tëra, nuk bëri asnjë punë.
Por, meqënse ishte tepër agresiv ndaj refuzimit të Diktaturës, nuk dyshova
kurrë. Tani pas kaq vitesh, duke sjellë në mendje disa momente të
paspjegueshme, kam nisur të dyshoj.
Me
kalimin e kohës, instinkti i mbijetesës, më ndihmoi të kem një përfytyrim më të
plotë për spiunin.
Spiuni
ishte një zevzek me sy të lëvizshëm. Fliste ose shumë shpejt ose tepër ngadalë.
Qeshte ose mrrylej befas, pa arsye. Kthente kokën majtas e djathtas pa shkak.
Bënte gjoja sikur dinte ti binte kitarrës, sikur dinte këngë italiane ose
greke, sikur mund të shkonte larg me not. Ndodhte që spiuni mbahej dhe për
lexues i librave dhe filmave të ndaluar.
Spiunat,
të gjithë, pa përjashtim tallnin dhe kërcënonin, Kadarenë si borgjez, si i
largët me hallet e popullit, dhe ngrinin në qiell Agollin si miku që i gjendej
në hall bujkut, puntorit, proletarit. Spiuna që të mos kërcënonin Kadarenë dhe
të mos krenoheshin me Agollin, nuk kanë ekzistuar.
O
sa kam qeshur pas 90-ës kur mora vesh se spiunat kishin pseudonime. Thoshin se
zgjedhjen e pseudonimit e bënin sipas shijes së spiunit. Përndryshe spiuni
çmendej.
Kur
po udhëtoja një herë nga Librazhdi në Bulqizë ndala diku afër fshatit Ostren i
Vogël. Pyeta një kalimtar:
Ç'bëhet
spiuni që i premtoi ta ndihmojë të arratiset nga ky katund vëllanë tim, atë që
pasi spiuni e spiunoi, e dënuan me 20 vjet burg politik ?
E
kemi Kryetar të Partisë Demokratike - më tha me plot gojën gollobordasi anës
udhës.
Qielli
mu çjerr. Bota mu terr. Fryma mu ndal. Por ku ka spiuna ka shpresë. Ndoshta më
gënjeu. Duhet verifikuar. Pak më tutje pyeta një tjetër. E njëjta përgjigje.
Frikë
nga askush dhe nga të gjithë - spiuni dhe spiunllëku ishin shpikur pikërisht
për t'ja arritur këtij qëllimi të skëterrshëm.
Afërmendësh
të gjithë të ashtuquajturit "Heronj të Heshtur" ishin spiuna. Bashkë
me të "heshturit", spiuna edhe më të qelbët edhe më kriminalë ishin
lukunia e zhurmëshme e shkrimtarëve, poetëve, regjizorëve, ata që spiunave u
bënin fresk, u ngrinin këngë, u thurnin vargje, u bënin filma.
Të
gjithë shefat e kuadrit ishin spiuna.
Të
gjithë familjarët dhe farefisi i spiunave ishin spiuna.
Kishte
dhe një hartë apo një gjeografi të dendësisë së spiunave në çdo krahinë të
Shqipërisë.
S'po
e zgjas me harta dhe gjeografira të spiunllëkut se më gjen belaja me
rehatlinjtë e Fejsbukut.
Një
gjë është e sigurtë: Si për çdo talent: Spiun nuk bëhesh. Spiun lind.
Pa
spiunuar dhe pa u spiunuar shqiptari nuk merr dot frymë, nuk i rreh zemra, nuk
i bëjnë dritë sytë.
Isha
betuar të mos e ndyj penën me ata muta. Por rreziku i harresës, sidomos
prezenca e tepruar e spiunave të djeshëm në tollovinë e sotme, u bë sebep.