Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Puna
E premte, 12.01.2024, 08:59 PM
Puna
Nga
Edison Ypi
Në
vendin ku të shurdhonin planet, afatet, zotimet, premtimet, dhe të qorronin
pankartat gjigande me puntorë pararojë, heronjtë e punës socialiste, kronikat,
kooperativat, fushat, plugjet, traktorat, po të punoje të cilësonin "qen i
punës", po të mos punoje të burgosnin "për parazitizëm".
E
vetmja rrugëdalje nga kjo dilemë që zbatohej në masë, ishte të punoje pak dhe
keq. Aq pak dhe aq keq sa të ishte e mundur. Deri te një prag, pas të cilit
çfaqej rreziku me të transferu nga burgu i madh Shqipëri rrethuar me tela me
gjëmba, në burgun e vogël në Spaç me tela me gjëmba, plus karakolla.
Kongreset
e zhurmshme, plenumet e heshtur, mbledhjet nëpër ndërmarrje që ulurinin për
punën, nuk arritën kurrë në asnjë vesh, nuk bën kurrë asnjë efekt.
Sa
më tepër punë, aq më i madh rreziku të bije në sy dhe t'i bëje hije dikujt që
betohej se do ta bënte, dhe ta bënte, gjëmën.
Punë
quhej vetëm "puna e krahut", ajo që kryhej me muskuj, me gjymtyrë,
këmbë e duar, ajo që të lodhte, si mekanik, marangoz, bujk, etj.
Puna
e mendjes, puna intelektuale, nuk ekzistonte. Për lodhjen e mendjes s'bëhej
fjalë. Aq e vërtetë është kjo, sa "Punë e mbarë" përshëndetnin vetëm
ata që punonin me krahë. Kurrë ata që punonin në zyrë.
"Punë
dreqi", "Punë muti" e kishin në majë të gjuhës për të gjitha
punët dhe punëdashësit.
"Punë
e madhe" se X punë u bë keq, a s'u bë fare, ironizonin punën e
pamjaftueshme për shumçka që s'ndryshonte asgjë edhe nëse bëhej edhe nëse
s'bëhej.
Pasi
i shembën kishat e xhamiat dhe masakruan priftërinj e hoxhallarë, thoshin: Po
të ishte e mirë puna, do punonte edhe prifti dhe hoxha.
Filani
e vë punën përpara, ishte e vërtetë. Muhameti nga Laskoviku dhe Kristi nga Puka
e vinin punën përpara, dhe vetë mbeteshin mbrapa.
Pëshpërinin
me njëritjetrin:
Ata
bëjn sikur më paguajnë, unë bëj sikur punoj.
Ose:
Punoj aq sa më paguajnë.
"Puna
me njerzit" demek edukimi i njerzve, ishte një dërdëllitja propagandistike
orwelliane e neveritshme.
Ku
kishte vetëm zhele dhe vërdallosje, thoshin: mos i shiko gunën por punën.
"Rroba
pune" quheshin ca rrecka doku që kishin qënë nja tre a katër muaj të reja,
por pas dhjetë vjetësh ende në trup mbuluar nga pisllëku s'kishte ku i kapte
qeni.
Një
gajasje më vete ishte "Pushim nga puna". Dukej sikur çoç do ndodhte.
Por ishte vetëm kërcënim. Partia e Punës nuk të linte kurrë pa punë. Në mos në
ofiçinën e pisët, në minierën e tmerrit ku sëmureshe dhe vdisje për pak vite.
Përveç
"shok shkolle", "shok ushtrie", "shok zborri",
mund të kishe edhe "shok pune" që mund ta qerasje me ndonjë teke te
klubi i lagjes nga frika mos të spiunonte.
Ishin
aq të fiksuar pas punës inekzistente sa për çdolloj gjëje që nuk u përkiste
thoshin "s'është puna ime".
Talleshin
hokatarët me "orarin e punës":
Vërtet
vij vonë në punë, por të paktën iki herët.
Ose
me sloganin e kohës së punës "Ta shfrytëzojmë 8 orshin", për të cilin
thoshin:
Orpo
ne 8 orshin e shfrytëzojmë e kusur s'i lemë. "Puna" është të na
shfrytëzojë 8 orshi ne.
Partia
e Punës nxirrte gazetën "Puna", një llomotitje grafologjike e
pështirë që me punën s'kishte asnjë lidhje.
"Puna
vullnetare" zakonisht të dielave ishte një yxhym nëpër ara ku korrrej
gruri për të mbledhur kallëzat e mbetura, ose për të vaditur e prashitur
ullinjtë andej nga Baldushku. Të mos shkoje në "Punë vullnetare" të
hiqnin ditën e punës së nesërme, të hënës, kur në punë do shkoje, por paret nuk
do i merrje.
"Puna
fizike" ishte 1 muaj në vit për nëpunsat e zyrave që shkonin te ca ara në
periferi të qytetit ku, në vend të pastronin kanalet ujitëse si qe' llafi,
shulloheshin në diell dhe ja kërrcisnin muhabetit.
"Dita
e punës" së kooperativës ishte një vlerë monetare rrënqethëse e
krahasueshme me vendet e urisë në Afrikë. Shkonte edhe 18 lekë të vjetra për 1
ditë pune, sa një paketë cigare Partizani pa filtër.
Filani
e "Zvarrit punën" e paraqiste punën si një qen të ngordhur që duhet
hedhur tutje.
"Lavdi
punës", ishte slogan i rrallë.
Pas
sloganeve për partinë, bukën, rrethimin, vigjilencën, puna dhe lavdia e saj, si
të parëndësishëm, ishin të fundit.
"Punë
me spec". Kur taksiratet shtoheshin, burgu dukej afër. Spiuni kishte bërë
punën e vet.
"Punim
shkencor", punë bythpambukësh që mbahen për të squtë por duhen vrarë të
gjithë si të padobishëm.
"Populli
puntor dhe liridashës" ishte po ky popull që është sot, i cili, përveçse
puntor dhe liridashës, është bërë edhe llapaqen, zjarrvënës, hajdut, drogaxhi,
trafikant që shet motrën, kriminel që vret gruan.
"Puna
ime, "puna jote", "puna këtij", "puna e atij",
ishin dëngla për "me u gjet Kola në punë".
"Puna
heroike e klasës tonë punëtore për ndërtimin e veprave të pesë
vjeçarëve..." ishin halucinacione donkishoteske për me mbajt veten me
gajret nga tmerri dhe turpi për malet e hekurishtave që sillnin këtu Rusia dhe
Kina.
Me
rendiment zero sepse punë minus infinit, në Shqipërinë e Diktaturës punohej aq
sa punon një i dënuar me vdekje në burg.