Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Greku im
E merkure, 15.05.2024, 07:58 PM
Greku im
Nga
Edison Ypi
Nga
fundi i beharit '91 komunistat i kishin zaptuar tashmë partitë, sigurimistat i
kishin pushtuar ambasadat, halabakët i kishin zënë qoshet.
Ama
edhe unë s'kisha ndejtur duarkryq. Në më pak se një muaj, falë parimit të
pavdekshëm leninist "kam te puna", dhe merakut antidepresiv për t'i
kryer punët me duart e mia, ja dola të ndërtoja një sharrë marangozi
plan-disk-tyrjelë. Pasi e mbarova dhe e shita 200 dollaro, me ato pare vendosa
të iki për ca kohë diku. Po ku ? Në Itali, Angli, Amerikë, vende që i kisha
ëndërruar tërë jetën dhe kisha ndërtuar me imagjinatë gjithfarë fantastikerira
për tu arratisur pa u kapur, s'bëhej fjalë. Ato vende i kishin prenotuar të
shkathtit. Sigurimi, Zëri i popullit, Lidhja e Shkrimtarëve, çunat e oficerave,
s'më lanë rradhë mua. Në ato vende ikën vetë duke simuluar vuajtjet e mia. Ata
që më grisën ëndërrat, ma shpartalluan dhe realitetin.
Por
bota është e madhe. Pse jo në një vend për të cilin s'më kishte vajtur mendja
kurrë, dhe viza merret më kollaj, pse jo në Greqi ?
Vizë
1 mujore në pasaportë, ca plaçka në çantë, 200 dollarët e sharrës në xhep
s'ishin pak. Mijra të tjerë nga Puka, Mirdita, Librazhdi, Gramshi, i
vërsuleshin Athinës më këmbë duke fjetur nëpër hendeqe dhe duke ngrënë
barishte.
Bashkë
me ca të tjerë në një furgon, dhe u kry.
Kur
sapo kishim hyrë në Greqi, tek nxirrja nga xhepi paret për me pagu dy kokrra
portokall anës udhës, 200 jeshilet dolën nga ngushtica e xhepit u hallakatën në
qiellin e pakufi. Shyqyr që era nuk fryu kah përroi por në të kundërt ku
dollarot ngecën nëpër ca ferra, se do m'i kishte marrë përroi do m'i kishte çu
në det për të provuar si një fllad i lehtë t'i ndërron në çast fatet e jetës.
Në
Athinë zbarkova si në një planet tjetër. Kaosi urban fort i shijshëm. E kisha
parë atë kaos fantastik nëpër filma në vendet e indokinës ku ndonjë turisti i
vjedhin pasaportën, pastaj turisti heq picirin harxhon qimet e kokës për ta
marrë përsëri pasaportën nga një avokat barkderr me musteqe i rruar e krruar
taze i lidhur me hajdutat.
Sheshi
Omonia mahnitës. Priftërinj që shesin pluhura çudibërës, matrapazët mbi tezga
kanë çikërrima, vegla, kaçavida, pinca, thika, marka të piratuara prej
materiali të butë që s'kryejnë asnjë
punë.
Disa
telefonata me grekë dhe shqiptarë për ndonjë punë. Asgjë e sigurtë.
Atë
natë në hotel.
Të
nesërmen, jo Greku im, por Greku i tij, pra greku i një tjetër shqiptari, më
njohu me Grekun tim.
Greku
im ishte një grek i moshur shtatlartë, një vigan fort dinjitoz, tepër serioz,
tepër energjik.
Greku
im quhej Jorgo Kalamaraki.
Zyrën
e kompanisë e kishte mu përballë sheshit Sintagma.
Greku
im më uroi mirseardhjen me fjalë të zgjedhura me kujdes. Më bëri të ditur se qe
në dijeni që isha inxhinier. Më pyeti çfarë dëshiroja të pija apo të haja. Më
tregoi shkurt, se do mirmbaja ashensorë
dhe shkallë të supermarketave.
E
folura e Grekut tim ishte disi nervoze. Më kushtonte një vëmendje të shtuar,
një lloj interesimi të tepruar. Pothuaj dridhej kur fliste. Më shihte si një
objekt muzeal. Si ndonjë poçe argjili e lashtë nga ato me ornamente që
dëshmojnë historira, luftra, ceremonira, ahengje, që arkeologët pas shumë vite
gërmime mezi e kishin zbuluar dhe duhej ruajtur me kujdesin më të madh, se mos
i ndodhete ndonjë e keqe, larg qoftë, mos ciflosej, apo Zot na ruj, mos thyhej.
Më
lindi dyshimi se po më hidhnin dor' më dorë. Ndoshta grekët që u telefonova
mbrëmë i kishin dhën karar që personin
tim t'ja dhuronin atij që më tepër e meritonte, Grekut tim, çka edhe spjegonte
rëndësinë e shtuar që Greku im më dha gjatë bisedës.
Nisa
të shqetësohem. Në Eladhë s'kisha ardhur për kurgjë tjetër veçse të bleja
ndonjë televizor me ngjyra, ndonjë palë kufje më të mira se kinezet që kisha te
shpia, a ndonjë çikërrimë nga ato që aso kohe çoç na dukeshin.
Je
inxhinier, nuk mund të flesh në vende dosido, më tha Greku im, vetëm në hotel,
dhe vetëm gratis.
Hoteli
që më prenotoi, dhe ku ndejta deri në fund, nuk ishte luksoz, por ndodhej në
zonën më afascinante të Athinës, te Plaka.
Çdo
mëngjez takohesha pak minuta me teknikët grekë për të ndarë punën, adresat ku
do shkonim prej nja 1 mijë ashensorë që mirmbante kompania.
Një
ditë i kërkova Grekut tim diçka, diçka të thjeshtë që s'e mbaj ment çfarë
ishte. Më dha këtë përgjigje:
Kujdes
kur të më kërkosh ndonjë gjë se unë ty s'të them dot jo për asgjë.
Greku
im ca kohë më vuri të punoja vetëm në një magazinë ku ndodheshin dy shkallë
supermarkati të dala jashtë përdorimit nga një zjarr i madh që kishte rënë
dikur.
Në
një nga ditët që u mora me shkallët e djegura, më telefonoi gruaja e grekut
tim, një Zonjë e madhe, një aristokrate me rrënjë triestine.
-Zoti
Kalamarakis dëshiron tu bëjë një vizitë, tha.
Këto
vizita nuk bëhen me paralajmërim, bëhen befas. Me sa duket Greku im do vinte,
si erdhi, për pak muhabet.
Greku
im rridhte nga një familje e njohur. Babai i tij dikur, dhe vëllai i tij sot,
ishin mbretër të kripës Kalas, shkurtim i Kalamarakis.
Mos
u tremb nga fshesat te Omonia, më tha një ditë Greku im, nuk dukesh fare si
shqiptar i mjerë.
Një
tjetër ditë, gjatë një pasditeje te Sheshi Omonia, takova një inxhinier
ndërtimi që e pata njohur në Tiranë. Ndodhej në Athinë prej më se një jave.
Brenda kësaj kohe kishte gjetur dashnore, por nuk kishte gjetur punë. Me
dashnoren shqiptare që i ishte qepur tre vjet pa sukses në Tiranë, u mirkuptua
për tre minuta në Athinë. Na bashkoi emigracioni, i kishte thënë dashnorja në
një moment sinqeriteti.
Ja
qava hallin e mikut tim Grekut tim. Greku im e sistemoi mikun tim në një punë
të denjë që të nesërmen.
Një
herë tjetër Greku im erdhi ku punoja unë. Ishte i merakosur. Ishte këputur
boshti me diametër 120 milimetër i shkallës lëvizëse të një supermarketi pranë
Sheshit Omonia. Asnjë grek nuk e merr përsipër ta ndreqi, tha, a mundesh ti ?
E
mora përsipër me kënaqësi. Kisha bërë qindra riparime të tilla te Rruga Ura.
Punova 24 orë pa u ndalur. Sot e kësaj dite punon si sahati hoxhës. Më thirri në
zyrë. Kaq për turnin e parë. Dy herë aq për turnin e dytë. Tre herë aq për
turnin e tretë. Kaq për gift, plot 60 mijë Dhrahmi. Për 24 orë punë më tepër
pare se për të blerë një televizor me ngjyra. Faleminderit Greku im.
J'u
ankova për një moskorrektesë të një nëpunësi të kompanisë. Tha:
-Ësht
grek, prandaj bën prapësira.
U
shtanga. Greku im grek, po më thotë se nëpunsi i tij grek është grek.
Ah
jo. Kjo veç e thjeshtë s'është. Këtu diçka ndodh. Këtu diçka luhet. Nëse greku
i Grekut tim s'është grek, po Greku im çfarë është ?
Pas
një kohe, nisa unë ta kqyr Grekun tim si objekt muzeal, si shtatore me krahë të
thyer, apo mozaik me qindra ngjyra dhe mijra pllaka.
Greku
im nuk ma rrëfeu kurrë arsyen e vëmendjes së shtuar ndaj meje.
Mirë
bëri.
Asnjë
histori dramatike nuk është mirë të zbulohet e tëra. Përndryshe shterret
kurioziteti.
Në
Omonia vazhdonin fshesat.
Ndonjëherë
më kapte frika. Fillova të mendoj për kthimin. Derisa një ditë i hypa një
autobuzi dhe u ktheva.
Në
Greqi një sharrë më shpuri, frika nga fshesa më përzuri, një grek më mbajti.
Pak
muaj pasi u ktheva, erdhi më takoi ai inxhinieri i dashnores para punës.
-Jorgo
Kalamaraki, tha, të lut të kthehesh në Athinë për të marrë në dorë kompaninë.
Vet nuk mundet për shkak të moshës. Djali merret me punë tjetër.
Refuzova.
Greku
im Jorgo Kalamaraki prej vitesh ndodhet në Parajsë.
Greku
im ishte dhe do jetë Greku im.
Por
thellë-thellë Greku im ishte një shqiptar i syrgjynosur, tmerrësisht kurioz dhe
nostalgjik për gjenezën e vet.