Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rrotull Babait
E hene, 03.06.2024, 07:55 PM
Rrotull
Babait
Nga
Edison Ypi
Rruga
e asfaltuar për t'i rënë rrotull Baba Tomorrit kthen majtas pak para Poliçanit.
Asfalti
është shpikur për të vajtur nëpër restoranta. Asfalti nuk është shpikur për të
vajtur nëpër faltore. Aq më pak për t'i rënë rrotull një Shenjtori si Abas
Aliu.
Nejse,
rruga gumëzhin nga turista me fuoristrada, vetura, nga pesë e nga gjashtë
motocikleta, biçiklista me çanta shpine, këmbësorë besimtarë tek ecin të
kërrusur me një shkop në dorë.
Merr
me vete ca qirinj t'i kesh për t'i ndezur në vendet e shenjta ku je duke
vajtur.
Mirseardhjen
për tek Babai ta uron çifti që nuk e tradhëtojnë kurrë njëritjetrin, Zoti
Flladi dhe Zonja Freskia. Mijra mornica të fut në mish ky çift.
Një
zonjë fort e nderuar, Zonja Bellavista, të ofron pamje me bukuri rrënqethëse
nga perëndimi.
Shpiragu,
Sinja, Mali i Pilafit, Tre Avgatë, Buzi, shtrihen në horizont në një pamje
bukurie drithëruese që s'e rrok dot të plotë asnjë aparat fotografik.
Në
Kapinovë, fshat plot me gjelbërim dhe kopështije, ka restorant, guesthouse,
kafene. S'ja kemi ngenë. Këtë herë nuk jemi për mish e pilaf. Jemi nisur t'i
biem Babait rrotull.
Duke
ikur përpjetë nëpër ca kthesa të ëmbla, që në kilometrat e para, aq madhështore
bëhet pamja, sa kupton që Gramozi, Shpiragu, Dajti, Korabi dhe të tjerë, janë
të gjithë nipërit e Baba Tomorrit.
Aroma
të panumurta, ngjyra si nëpër ëndërra, tinguj melodiozë, të ftojnë të dehesh
nëpër korie dhe pllaja. Kujdes. Mbahu. Bëhu i fortë. Mund të jenë Circe që të
gurosin.
Një
këtu, një atje, Benza të prishur braktisur anës udhës.
Aq
shumë pllaka guri dhe mermera sa nxirren mbi kurriz të Babait që po i vimë
rrotull, sa mjaftojnë e teprojnë për ta mbuluar çatinë e botës.
E
vetme mes një pllaje të shkretë, Gjurma e Abas Aliut çfaqet befas pas një
kthese. Ndize një qiri këtu të shpëtosh nga ca dreqnira që ke bërë.
Mbi
rrugë një "No name restorant" nga ata që s'bëjnë asnjë reklamë, por
gatuajnë gjëra që të lëpish gishtat.
Tjetër
restorant modest nga vjen aromë qoftesh.
Duhmat
e mishit të restoranteve ndeshen për jetë a vdekje me aromat e malit që i
fitojnë me lehtësi këto beteja.
Stane,
tufa bagëtish, koshere bletësh, benza të braktisur, kantiere, traktorë,
buldozerë, që shkulin pllaka nga kurrizi i kërrusur i Babait.
Teqeja
e Abas Aliut e qetë. Nuk është ditë e shënuar. Pak vizitorë. Kurbanët nuk janë
therur. Nëpër rrugë nuk rrjedh gjak. Hejet nuk janë gati. Zjarret nuk janë
ndezur. Oxhakët nuk nxjerrin tym. Të vijë gushti, pa shomë e bëjmë.
Për
Babain, Naimin, rilindasit, patriotët, sakrifikuesit, ndize edhe këtu një qiri
Te
një restorant ku si në çdo restorant sotpërsot janë keq për kamarierë, shërben
një nipçe vocërrak nja dhjetë vjeç.
Restoranta,
kampingje, motoçikleta, biçikleta, turista. Amano Abas Ali ç'bëhet këtu.
Therja
përposhtë.
Si
urdhon.
Asfalti
mbaron ku duhej të fillonte.
Por
rruga tatëpjetë me shumë kthesa s'ësht e keqe. Ka taban të fortë dhe është e
rrethuar me blerim të dendur.
Aty-këtu
teqera bektashiane.
Gjerbësi
duket që larg.
Për
ta dridhur sa më farr zemrën, e mira do ishte Gjerbësi të çfaqej befas pas
ndonjë kthese. Po edhe kështu si katund që duket e zhduket si hizër nga kthesa
në kthesë, s'ësht keq.
Cili
është ai lumë nën Gjerbës ?
Një
çoban me kërrabë, pa gunë dhe fyell, thotë se ai lumi në në horizont, nuk është
Devolli si tu duk nga larg. Devolli është prapa maleve. Ky ose kjo është
Tomorrica.
Ngjitet
përpjetë një Toyota. Ka qënë në një stan në Gjerbës. Ka marrë nga stani dy
deshë dhe tre dhen të therur që i ka në karroceri.
Tre
çuna që vijnë përballë po e ngjitin të përpjetën me një Golf 4. Nuk janë
skraparllinj. Vijnë nga Tirana. Janë dashurorë të Natyrës. Studjojnë për
"Software Designer". Ishin deri në Gjerbës. Më tutje s'vajtën. Nuk i
besuan Golfit.
Hedh
sytë nga pas dhe përpjetë. Mbi Babanë
Borë
e pa shkrirë !
Jemi
qershor.
Vetëm
një orë e gjysëm nga Divjaka "prejku piqet buka n'dilli", borë e
përjetëhme.
Kjo
pra është Shqipëria, që ja marsha t'ligat. Dhe kjo është arsyeja pse milonat e
turistëve po vinë, dhe gjithmonë do vinë.
Çesëm
e thatë me dy lëfytë pret të vijë Abas Aliu t'ja nguli dy gishtat shkëmbit të
buçasi uji, ta pinë besimtarët, të freskohen udhëtarët, të rrjedhë përroi, të
vaditen drurët.
Afër
Gjerbësit një çobaneshë me nja dhjetë dhi' të thotë:
Po,
ke ryrë në Gjerbës, mirestëvish.
Gjerbësi
i freskët plot me kopështije ka dy hotele, restorant, kafene, dhe shërbime të
tjera. Por pesë a gjashtë skraparllinj që kanë gjerbur nga një qelqe thonë se
në Gjerbës turistat janë të rrallë. Kalojnë me fuoristrada dhe motoçikleta. Por
jo me mijra. I pengon rruga.
Hotelxhiu,
një Zotni i sjellshëm, bashkë me të shoqen të tregojnë për gjithçka që do të
dish. Edhe për si shkohet, nga Gjerbësi në Gramsh përmes lumit po se po, por
edhe në Moglicë. Zonja thotë;
-Në
Moglicë shkohet kollaj. Sa kalon ato kodrat,
-Zonjë
e nderuar, nuk janë kodra janë male.
-Epo
ti krahasosh me Babain tonë, kodra janë. Ça do ishte Babai ynë po të ishin male
ato vogëlsira ?
Të
Zotët e Hotelit të inkurajojnë të vazhdosh për Çorovodë.
Tomorricën
mjerë kush se ka parë.
Tomorrica
është marramendëse, frymëndalëse, tru shpuzë, shpirt ndezëse.
Ta
përcjellësh Tomorricën me tekst, është punë që s'bëhet. Kush është kureshtar,
të vijë ta shohi në vend. Tjetër zgjidhje s'ka.
Duke
ikur për Çorovodë me Tomorricën në të majtë, shushatesh. Do të bërtash, por
s'di se kujt. Do të llafosesh, por s'di me kë.
S'ka
problem. Abas Aliu është i madh. S'të lë kurrë në baltë. Gjithmonë të ndihmon.
Në çdo fshat të faneps anës udhës një çoban me krrabë dhe qen stani si ujk, një
çoban skraparlli zemërmirë që të rrëfen fijepërpe; luginëzat, fshatrat, çukat,
rripat, zgëqet, përrenjtë, e të tjera e të tjera.
Diku
mes një tuneli të gjelbër makinës i vërsulen pesë a gjashtë qën të mëdhej si
ujq. Lehin kërcënueshëm, hapin gojën, zbardhin dhëmbët. Këta nuk janë si ata që
lehin e nuk të hanë. Këta kopenë e mbrojnë seriozisht. Ngrije shpejt xhamin.
S'e duroj dot të vdes nga kafshimi i qenit. Vjen çobani. Është 15. Ruan 100
dhi'. Shkon në shkollë. Shtëpinë e ka atje poshtë. Është i qeshur dhe i mprehtë.
Si mos të jetë i qeshur skraparlliu i vogël kur qëntë nuk e kafshojnë se e
njohin. Një video nja tre a katër minuta me qëntë kërcënues duke lehur me të
madhe rrotull makinës duke ikur, do ishte mrekulli, por s'jam aq i shkathët.
Tomorrica
me luginëza ku rrrjedhin përrenj dhe struken fshatra...mos se më dalin lot.
Dy
lapidarë. Si gjithë lapidarët. Në vende të mira për lapidarë propagandistikë
dhe luftra që s'u bënë, të kqia për luftra të vërteta.
Pus
i Shenjtë.
Atje
poshtë, atje tej, atje larg pas miliona kthesash, Çorovoda e skraparllinjve,
Osumi i kanioneve.
Babait
rrotull i erdhe, besimin e dëshmove, Ritin e respektove, në dy Faltore qirinj
ndeze, rrotull Babait nja 80 kilometra i erdhe. nga çfarë pe e dëgjove u
mahnite.
Tani,
shqetsimet e Ajnshtajnit, luhatjet e Darvinit, dyshimet e Hamletit, pagjumësinë
e Makbethit, rënkimet e Migjenit, çmendurinë e Diktatorit, të përpjetat e
pluralizmit, i ndjen më thellë, i kupton më mirë.
Duke
u kthyer, te Çesma me Ballkon, më ndalon një polic rrugor.
Nuk
jam me shpejtësi. Letrat i kam në rregull. Rripin nuk e kam vënë sepse jam mbi
190 centimetra i lartë. Pse më ndali ky polic ?
Polici
skraparlli nuk më ndali për të më përshëndetur si përshëndet çdo polic kur jam
duke vajtur diku; "Rrugë të mbarë", por me një përshëndetje sa të
rrallë dhe madhështore: "Kthim të mbarë", pra si përshëndet një polic
që e gjen me imagjinatë dhe intuitë se në ç'mrekulli isha dhe u lumturova, dhe
në ç'hale po kthehem i lodhur pas 13 orë mbi timon Rrotull Babait. Faleminderit
për mirkuptimin gjenial o skraparlli modest.