Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Lymi
E marte, 03.09.2024, 06:58 PM
Lymi
Nga
Edison Ypi
Lymi
u çfaq te postblloku i repartit një ditë shiu.
E
lanë të priste derikur qull dhe me një çantë në sup dikush vajti e mori e çoi
te komandanti ku seç biseduan, dhe Lymi që atë ditë u bë njëri nga ne.
Lymi
duket si Mesia, tha mendueshëm të nesërmen Maks Dashi.
Qefli
i modh, u hodh Diogjen Reveli.
Pijanec,
feminist, shtoi Burhan Kalaja.
Për
mu ësht thjesht një pisanjos, vërejti Kamber Kapidani.
Te
bateria kundërajrore pranë lagjes Çole ku kryenim shërbimin ushtarak unë dhe të
sipërpërnendurit "tironca", Lymi tërhoqi menjëherë vëmendjen.
Lymi
ishte i zi, ishte jevg, magjyp, rom.
Rekrutët
i sillnin bashkë. Lymin e sollën vetëm, dhe në Prill, që nuk ishte muaj i
mbledhjes së rekrutëve. Kishim një hemofilik, një astmatik, dhe një tjetër që
Sigurimi e çoi diku jashtë. Që të tre erdhën në data të pazakonta, por të
justifikuara. Lymi ishte mirë me shëndet. Dhe nuk dukej se mund të qe i
zgjedhuri i Sigurimit për ta hedhur diku. Ardhja e Lymit jashtë rradhe nuk u qartësua
kurrë.
Bëri
përshtypje çanta e Lymit hedhur supit prejnga dukeshin 2 ose 3 paketa Partizani
dhe një shishe raki. Pra Lymi kishte ardhur me një rezervë ushqimore. Për tu
ngopur, dehur, dhe tymosur. Që mes asaj skëterre me vetëm një garuzhde grosh në
mëngjez, dukej luks.
Shpejt
u muar vesh se Lymi, si të gjithë ne pak nën, ose pak mbi, 20, ishte këngëtar,
ahengçi, sazexhi, arixhi, nga periferia e Sukthit.
E
thirrnim Lymin brenda vendstrehimeve të betonit pranë një furrnelle elektrike
për ngrohje ku këndonte me gjithë shpirt me zë të dridhur. Shoqërimin me
kitarrë e bënte Bert Qirinxhi nga Korça.
Këngët
e preferuara të Lymit ishin këngët lotndjellëse, zemërçjerrëse,
shpirtcfilitëse:
Kënga
e të burgosurit...në çelik e në çimento më kanë mbyllur në kët' vend.
Kënga
e Jetimit...i vetëm jam un' në këtë botë.
Kënga
e Nënës...ç'pate që më le moj Nënë.
Me
kalimin e ditëve u muar vesh se shumë më tepër se rakixhi dhe ahengçi, Lymi
ishte tjetër gjë.
Brenda
trekëndëshit revolucionar pushtet-propagandë-çlodhje, aty ku bythmëbyth me
njëritjetrin bënin hatanë, respektivisht, komiteti ekzekutiv, reklamat e
kinamasë, halet publike, Lymi ishte hiç më pak se administrator, drejtor, shef,
brigadier, menazher, i pesë kurvave.
Pesë
kurvat e Lymit ishin Meremja, Myrvetja, Shpresa, Kismetja, Fëllënxa. Si
menazher kurvash, s'do mend se Lymi ishte dhe njohës i thellë i femrave. Si
objekt dhe subjekt. Sa i hireve fizike, dhe i nazeve, tekave të tyre.
Me
të marrë vesh se Lymi, veç tjerash, qe dhe kurvolog, nami i Lymit mori dhenë.
Lymin e shihje sa në një qoshe në tjetrën kokë më kokë duke u bërë qartësime e
duke u dhënë spjegime kurvologjike
hallexhinjve, sidomos të interesuar për anatominë e femrës.
Nami
i mbretit Lym me seli në lagjen Çole mori dhenë rretherrotull Vlorës, Qaf e
Koçiut, Kaninë, Pasha Liman, Karaburun, Sazan, Zvërnec, Nartë, Qaf e Ullishtës,
dhe më tej thellë në Labëri.
Lymi
nuk u deskriptonte dishepujve të vet të gjitha hiret e secilës kurvë.
Lymi
kishte metodën e vet të mësimdhënies. Një ditë ja kushtonte përshkrimit të
detajuar, në formë, dimensione, reliev, bashkë me ofshamat dhe aromat
përkatëse, pridhit të Meremes. Ditën tjetër shalëve të Myrvetes pa harruar
pikat më të ndjeshme në skajet. Pastaj sisëve të Shpresës me linjat dhe
krateret. Vithet e Kismetes me harqet përkatëse. Gushën e Fëllënxës
rrethepërqark me vendet e ndjeshme ku ajo gushë rekomandohet të preket, puthet,
nuhatet, pse jo dhe lëpihet.
Një
ditë, një ushtar i vëmendshëm paksa i djallëzuar, duke mos u orientuar dot në
laryshinë e hireve të njërës e tjetrës kurvë, e pyeti Lymin:
Cila
është shoku Lym ajo kurvë nga kurvat tuaja që po e përshkruani kaq bukur, me
kaq zell dhe stil, Meremja, Myrvetja, Shpresa, Kismetja, apo Fëllënxa ?
Kjo
është Merilin Monroja, ju përgjegj Lymi pa j'u dridhur qerpiku.
Maks
Dashi sa s'vdiq nga e qeshmja.
Diogjen
Reveli fërgëlloi nga qefi.
Burhan
Kalasë sa si ndali zemra.
Kamber
Kapidani u skuq nga pafytyrësia e Lymit që krahason të pakrahasueshmet.
Agron
Nallbani aq u knaq sa u bo gati me u hedh nga dritarja.
Në
një rast tjetër, një lezhjan merakli i imazhit, e pyeti Lymin;
A
i ke fotografitë e kurvave të tua ti Lym ?
Po,
tha Lymi, i kam.
Lymi
vajti gjeti faqen "Malcorja kreshnike" te gazeta Zëri i Popullit dhe
rubrikën "Burrneshat tona" te revista Ylli. Preu me gërshërë pesë
kooperativiste me pantollona, fustan, shami në kokë, shat ose lopat në sup. Ja
tregoi lezhjanit. Lezhjani u kënaq pa masë me përgjigjen dhe dhuratën. Lymi
bëri disa prerje të tilla. Gjithkush që pati fatin dhe favorin e rrallë të
mbante dhe ta përdorte një foto të tillë, e ruante me kujdes si syt e ballit
derisa i kalbej nga djersa ose i grisej nga përdorimi i shpeshtë kur ishte
vetëm dhe e kqyrte për qef ndërkohë që djersitej nga tundjet e autobuzit dhe
zemra i rrihte si e çmendur.
Njohuritë
e thella të Lymit në fushën e kurvologjisë arritën, nga ushtari i thjeshtë, te
skuadërkomandanti, komandanti, komisari, kuzhinieri.
Kurvologu
Lym nuk kursehej në përhapjen e gjithçkaje që dinte për një jetë sa më të
këndëshme, pa dhimbje koke, pa strese, pa panik atake.
Nuk
u muar vesh pse Lymi komandantit dhe komisarit u thoshte gjëra që ne të tjerëve
na i mbante fshehur. Kuptohej kjo kur Lymi nga zyrat e tyre dilte paksa i
skuqur në fytyrë.
Në
pak kohë Lymi u rrethua jo vetëm me dashuri dhe respekt, por edhe me favore.
Lymi hante sa të donte. Nuk bënte stërvitje. Nuk bënte roje. Nuk bënte
rreshtore. Lymi në Vlorë, si misionarët e besimeve në Afrikë e gjetkë, vetëm
jepte leksione për një jetë më të mirë se ajo me groshë për mëngjez, çaj për
darkë, rreshtore, stërvitje, orë edukate marksiste leniniste.
Pas
një kohe, loja e Lymit u pikas. Për ta verifikuar dhe ndëshkuar në mënyrë
shembullore dukurinë djallëzore mikroborgjeze, partia dërgoi në repartin
kundërajror një agjitator. Agjitatori ra menjëherë në rrjetën e Lymit. U bë
dishepull i zjarrtë i Lymit. E internuan. Erdhën dhe të tjerë ta nënështronin
Lymin. Patën të njëjtin fat me agjitatorin. Lymi i bënte për vete të gjithë.
Mësimet e Lymit triumfuan mbi mësimet e Partisë, të marksizmit, leninizmit,
stalinizmit, maocedunizmit, dhe të gjithë izmave të tjera.
Mësimet
e Lymit mbi femrat dhe të fshehtat e tyre gjithashtu çvlerësuan mësimet e
partisë, komandës, ministrisë, mbi karabinën, llozin, vetmbushjen,
thep-shqekzën, këmbëzën, kondakun, pistonin, sustën, mekanizmin shtytës-goditës
dhe të tjera diabolerira si radiolokatori, shikimi stereoskopik, topat,
mitralozat, e të tjera e të tjera çmendurira.
Do
kishte vazhduar përgjithmonë. Me Lymin dhe mësimet e tija do ishte rrëzuar
Diktatura. Por Lymi bëri një gabim fatal. Lymi iku disa ditë pa leje nga
reparti te dasma e një miku me të cilin kishte pi gjak. Ajo dasëm u bë sebep që
në repart erdhi një prokuror ushtarak.
I
mblodhi prokurori dishepujt e Lymit këmbëkryq mbi bar mes mencës dhe halesë.
Ndërkohë që prokurori fliste, dëgjohej rrjedhja e çesmës me rubinet të prishur.
Prokurori
tha: Lymin do ta çojmë ku e meriton. Te kurvat e tij: Te pridhi i Meremes, te
goja e Myrvetes, sisët e Shpresës, shalët e Kismetes, vithet e Fëllënxës. Pesë
kurva kishte Lymi, pesë vite në çelik e në çimento do e mbajmë qënin Lym që
këputi zinxhirin.
Burgu
për burra është, thirri njëri nga ushtarët.
Ra
heshtje varri.
Të
gjithë ngrinë.
Askush
nuk lëvizi.
Prokurorit
s'i erdhi zëri.
Aeroplanët
armiq që fluturonin mbi Sazan dhe Karaburun, fikën motorrat.
Vetëm
rubineti i prishur dëgjohej që rridhte.
Është
spiun, zagar, provokator i ndyrë ai që thirri, më tha Burhani te veshi mua.