Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Atdhjeu im
E hene, 30.12.2024, 07:53 PM
Atdhjeu
im
Nga
Edison Ypi
Atdhjeu
im është një vend banorët e të cilit, bashkatdhjetarët e mi, mburren me;
Besën
që nuk e mbajnë.
Trimërinë
që u mungon.
Punët
që nuk i kryejnë.
Luftat
që nuk i bëjnë.
Historinë
që nuk e njohin.
Artin
që s'ja kanë haberin.
Lavdinë
që nuk e meritojnë.
Atdhjeu
im është vendi ku të gjithë dhe gjatë gjithë kohës largohen pafundësisht nga
faktet, nga realiteti, dhe konkluzionet i nxjerrin dhe vendimet i marrin duke u
bazuar vetëm te abrakadabrat, supozimet, pandehmat, ëndërrat, kllapitë,
halucinacionet.
Në
Atdhjeun tim, ku këndon bilbili, të deh parëvera, të rrënqeth vjeshta, të
dalldis Prilli, të sëmur muzgu, atdhjetarët e mi qef të madh kanë ta kultivojnë
fshehtas dhe ta trafikojnë rrezikshëm, si dhe ta tymosin nga pak, atë frutin që
të bën të ëndërrosh, për shkak të të cilit shpesh përfundojnë në burg, ose në
fund të detit, ku presin miliona vite brenda një guacke derisa të shndrrohen në
smerald.
Atdhjeu
im është një gojë si shpellë brenda së cilës dikush dikur hodhi një patate të
nxehtë që nuk kafshohet as nuk gëlltitet, vetëm rrotullohet nëpër gojë
shoqëruar me britma të çartuna për braktisje të Atdhjeut tim drejt atdhjeut të
një tjetri ku gjithmonë gjen belanë, por gjithmonë është vonë.
Atdhjeu
im është një pusetë e zbuluar që kapakun ja kanë shitur për skrap, brenda të
cilës flitet e bërtitet pa u ndalur për pritshmëritë më të çmendura, shpresat
më idiote, deliret më të grisura, veset më të ndyra.
Atdhjeu
im është një orë muri me numura pa akrepa, me një qyqe budallaqe që del e bën
ku-ku sa herë që ndonjë gjel këndon ose ndonjë qen leh.
Atdhjeu
im do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi ku atdhjetarët e botës do marrin në
atdhjeun tim përvojat e pasurimit pa punuar, diturisë pa e mësuar, dashurisë pa
e ndjerë. Paret që do fitohen nuk do numurohen as nuk do peshohen me dëngje si
doiç markat e naftës së embargos kur Kosova digjej dhe Sudja krihej. Do
mblidhen me fshesë. Do hidhen në thasë. Nga thasët drejt e në Qipro a në ishujt
Solomon, a në ndonjë parajsë tjetër këndej rrotull Atdhjeut tim, ku nëse je
servil bëhesh i pasur, nëse je hajdut bëhesh oligark, nëse je cop mishi bëhesh
rrot sallami.