Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rruga e Shpirtrave
E hene, 31.03.2025, 06:55 PM
Rruga
e Shpirtrave
Nga
Edison Ypi
Rruga
e Shpirtrave nis në Librazhd.
Kur
Librazhdin ta kesh lënë pas, që në tempullin e praruar të shpirtrave të hysh me
dinjitet, merr ca masa higjenike paraprakisht. Ndal te ndonjë krua a përrua
anës udhës. Laji duart delikate nga pislliqet që ke prekur, lage surratin dhe
kokën që ma ke si qën stani, gropat e syve si tunelet e Qaf Krrabës, ballin që
të është dhjamur, qafën që të është trashur, krruaji mirë e mirë veshët,
sigurohu se thonjtë i ke prerë.
Drejt
veriut nëpër ca kthesa mes ca kodrave të buta si prej mish njeriu, ndjen në
ajër prezencën e shpirtrave të parë përgjatë kësaj rruge. Janë shpirtrat
ankimtarë të përhershëm, të vuajturit që nuk dinë ça kanë e ça u mungon.
Më
të majtë, pra në krahun lindor, çfaqen male të frikshëm. Janë malet e
Çermenikës. Janë shpirtëra poetikë. Herë të largët e të frikshëm, herë të afërt
dhe të miqësorë, me shkëmbinj, përrenj, pyje marramendës, këta shpirtëra do të
shoqërojnë përgjatë gjithë Rrugës.
Më
të djathtë ndodhen katundet e vuajtur. Jo vetëm prej diktaturave apo
pushtuesve, por historikisht. Këto katunde tashmë jetojnë mirë. Por duke ardhur
nga fukarallëku i shekujve, sot mes tyre enden shpirtrat e lëmoshës.
Diku
ku Librazhdi nuk duket më, një këtu një atje si dhëmbë të shkulur të një goje
të pangopur, dëgjohen rënkime nga nëntoka. Janë grahma të vdekurish. Janë
Shpirtrat Mëkatarë. Janë banorët lokalë që spiunuan çunat e qyteteve që provuan
të arratiseshin që ndodhet aty afër, dhe, u spiunuan nga këta të grahmave, u
shqyen nga qëntë e kufirit, mbetën varur mbi telat me gjëmba, i sharroi
kalashnikovi i kufitarit.
Të
forta, të buta, që qajnë, që rënkojnë, grahmat e shpirtrave mëkatarë nakatosur
me shpirtrat e tjerë, do të shoqërojnë deri në fund të Rrugës së Shpirtrave.
Grykë
shkëmbore që vjen duke u ngushtuar. Malet madhështorë në perëndim dhe pyjet në
lindje, për pak kilometra nuk duken.
Më
të majtë të rrugës së Shpirtrave, përrua.
Mbi
përrua, kulla të braktisura ku natën mblidhen e këmbejnë përvojat shpirtërat
historikë. Shpirtëra të vërtetë. Jo si ata të lapidareve të rrenave që flasin
për heronj të stisur që ranë në luftra që su bënë kurrë.
Bën
ftohtë. Kapelen ta merr era. Veshët t'i than suferina. Je në Fushë Studë. Ça
domethën ky toponim, Dreqi e di.
Më
të djathtë Parku Kombëtar i Shebenikut, mbretëria e shpirtrave të aventurës. Në
behar, se tani bie borë, tani të çan ujku, të shqyen ariu.
Në
këtë fund marsi në Fushë Studë bora s'ka të ndalur. Le të bjeri bora. Jeta
vazhdon. Në Fushë Studë gjithmonë bën ftohtë, dhe gjithmonë fryn erë. Harroje
ngrohtësinë mesdhetare. Fushë Studa është kuota më e lartë e Rrugës së
Shpirtrave. Terreni, relievi, klima, aroma, dhe gjithçka tjetër, këtu janë
kontinentale.
Kafene
e strukur anës rrugës. Kafexhiu ta bën me dorë nga brenda të ndalësh për një
çaj ose kafe. S'ke ardhur të llafosesh me kafexhinj. Po udhëton për tu takuar
me shpirtra. Ik tutje. Nëpër mjegull e dëborë. Si trimat.
Fill
pas kafenesë surreale të Fushë Studës, më të majtë, rruga për lart. Bizë, Kroi
i Kuq. Pastaj, nga Kroi Kuq, në varësi nga sa të mban revolucionarja, ke disa
variante: Labinot Elbsan, Shëngjergj Tiranë, Gurabardh Klos, Mali Me gropa
Tiranë. Shpirtrat e tingujve, ngjyrave, aromave, pyjeve, krojeve, i ke te të
gjitha këto variante. Veç zgjidh e merr. Të gjitha në behar. Se tani bie borë.
Tani duhet tank.
Q'aty,
herë të dobëta herë të forta, në varësi të distancës nga kufiri dhe thellësisë
së gropave ku ua hodhën kufomat, shtohen rënkimet e shpirtrave të rebelëve që
provuan të arratisen. Prej tyre nuk shpëton kollaj. Zër veshët me duar si
shokët e Odiseut kur kaluan pranë sirenave. Përndryshe shurdhohesh dhe vdes.
Male
të largët të egër shkëmborë, dhe të afërt të butë të rrumbullakosur me bimësi
të ulët si kurrize minjsh.
Të
ftohtit, aromat, panoramat, shkëmbinjtë, shtëpitë e braktisura, të dehin sikur
ke pirë një opingë me raki ballë kazani. Del nga vetja dhe nga mendja. Po
udhëton në kohë. Në tru të fryjnë erëra dhe aroma të kohëve të shkuara nëpër
skutat e kujtesës harruar. Shpirtrat që le pas, dhe të tjerë që do takosh më
tutje, janë newtonianë. Këta këtu janë shpirtra ajnshtajnianë. Për këta, e
tashmja, e kaluara, e ardhmja, jeta, vdekja, venë e vinë, zëvendësojnë
rrëmujshëm njëritjetrën.
Më
të majtë Martanesh, e me rradhë, deri te Qafa e Bullit ku erërat nuk ndalen
kurrë dhe acari të pret si brisku.
Më
të djathtë, larg në horizont, katunde që llafosen sllavisht, i luten Allahut,
falen në xhami në mes të katundit.
Tëhu,
rrëzë kufirit, Golloborda. Ostreni plot me shpirtra të pushtuar nga Djalli.
Shpirtra mëkatarësh që s'gjejnë rehat qyshkur spiunuan gjithkend që donte të
ikte nga Ferri.
Rruga
e Shpirtrave, tashmë tejpërtej e asfaltuar, rruga 60 kilometrat e së cilës dhe
më pak se 2 orë për ta kaluar s'kanë asnjë rëndësi, rëndësi kanë shqotat
emocionale, stuhitë hormonale, rrënqethjet estetike, drithërimat njerëzore,
rruga që asnjë shqiptari nuk i lejohet të vdesi pa e parë, dëgjuar, e ndjerë,
mbaron te Ura e Cerenecit.
Më
tutje, ka qytetërim, autostrada, tunele, rrethrrotullime, shqiptarë të lumtur
që vozisin kerra, por nuk ka shpirtra.