Kulturë
Agron Tufa: Rrëfimi i fëmijës Brenda vetes
E merkure, 09.07.2025, 04:55 PM
RRËFIMI I FËMIJËS BRENDA VETES...
(Shënim
mbi romanin e Rita Petros “Lindur së prapthi”, Onufri, 2022)
Nga
Agron Tufa
“Sa
më pëlqente kur shtriheshim mbi tapet dhe bënim ushtrime për elasticitetin e
trupit. Momenti kur trajnerja na thoshte të pushonim, unë rrija shtrirë duke
parë tavanin, i cili ishte në formën e një kubeje. Mbyllja sytë dhe më kujtohej
ajo figurë si në ëndërr. Isha shumë e vogël kur më sillte gjyshja në kishë.
Tërë kohën e mbaja kokën lart. Në kubenë e kishës ishte një burrë gjigand me
krahë të hapur, me pëllëmbën e dorës së djathtë lart, sikur na përshëndeste.
Veshja e tij ishte e kaltër dhe me rrudha. Flokët e gjatë. Sytë të butë dhe me
vështrim ngultaz mbi ne, që e shihnim nga poshtë. Ai qëndronte madhështor mbi
kokat tona dhe unë sa herë dëgjoja fjalën Zot mendoja se Zoti mbi qiell kishte
pikërisht këtë pamje. Edhe kur mblidheshim në oborrin e pallatit, loja ime e
preferuar ishte të qëndroja mbi shpinën e një shoku ose të shoqes me fytyrë nga
qielli. Atëherë ua ngulja sytë reve, të cilat herë më dukeshin si dele, kur
ishin të bardha dhe herë si ujq, kur nxiheshin. Dhe, papritmas, ja ku u shfaq
Zoti me figurën e tij madhështore në kubenë e qiellit. Ai qëndronte me shpinë
nga hapësira dhe me fytyrë nga toka. Zoti i ndante delet nga njëri krah dhe
ujqit nga krahu tjetër. Por ujqit i kalonin prapa shpine dhe, fap, i rrëmbenin
ndonjë dele. Skuqej qielli nga gjaku. Zoti nxehej dhe lëshonte bubullima dhe
vetëtima. Pastaj derdhte lot, që ndonjëherë ishin si kokrra të mëdha rrushi të
bardhë. Zoti lëshonte dhe erë të fortë që i zhdukte ujqit e zinj.Mbeteshin
vetëm delet e bardha që kullotnin të qeta në qiellin e kaltër.
Por
tani, pikërisht aty mbi kube, ishte figura e Udhëheqësit të Madh. nuk e kuptoja
se si mbi fytyrën e tij më dilte përpara fytyra e Zotit. Sytë e tyre
ngatërroheshin dhe shihja katër palë sy. Edhe krahët e hapur dyfishoheshin.
-
Pse u hotove? – më pyeti trajnerja.
-
Hë, më fal, hiç. Ja po shoh Udhëheqësin e Madh.
-
Së shpejti vjen dita e madhe kur do të japim shfaqje para tij, - më tha ajo.
-
Mezi po pres, mësuese, - i thashë dhe e largova fytyrën e Zotit nga fytyra e
Udhëheqësit të Madh. Tani e shihja fare qartë. Sa i bukur ishte! Më i bukur se
Zoti. Madje ishte dhe gjallë. Mund ta preknim. Mund t’i flisnim. Zoti ishte
shumë lart atje në qiell.”
*
* *
“Lindur
së prapthi” është romani i parë, proza e parë e gjatë pas disa vëllimesh
poetike të Rita Petros, e njohur dhe si botuese e “Albas” dhe si autore e
teksteve dhe alterteksteve të gjuhës dhe letërsisë së shkollave dhe gjimnazeve,
pas viteve 2000. Romani i saj, i shkruar në traditën e rrëfimeve me nota të
thella autobiografike, ka vlerë të jashtëzakonshme sepse paraqet pa stisje e
poza një autoportret kolektiv të brezit që jetoi realitetin e dy dekadave të
fundit të diktaturës. Nuk është nga ato rrëfime që priren as për heroikë
qëndrestare, as viktimizuese; mungon patosi i drejtpërdrejtë therës,
kundërvënës e fshikullues bardhë e zi. Jo, Rita është besnike e përthyerjeve të
këtij realiteti në vetëdijen dhe psikikën emocionale të fëmijërisë dhe
adoleshencës, të habisë dhe trandjeve, të mistikës dhe misticizmit të botës
përreth, për aq sa perceptimi i çiltër e infantil i prek dhe i rrok këto
relitete. Ajo që e shtyn fëmijën të rritet e të ngutet të shijojë gjërat e ndaluara,
janë tabutë me të cilat rrethohet bota e një fëmije në kryeqytetin e një
diktature, çmitizimi i ngadaltë i kësaj “parajse” të propaganduar. Gjithmonë
etja për jetë paraqitet si një rrjedhe instinktive, si një rrymë onirike e
erotike që rrjedh nën lëkurë. Përditshmëria, thamë, nuk del bardhe e zi, por me
plot nuanca e njolla që shpejt kalojnë nga e hirta në të murrëtyer.
Kaleidoskopi fëmijnor drithërohet nga ngjyrat shpërndërruese, nga ambienti
shtëpiak, apartamentet socialiste, rruga, shkolla, aktivitetet sportive e
kulturore, ku përveç propagandës dhe slloganeve ka një etje të sëmurë lëngate
për posedim, një epsh egresiv herë të fshehtë, herë shpërthyes e herë të
kastruar. Nuk ka dallim, nëse është i burimit familjar, farefisnor, shkollor,
apo shtetëror. Por gjithashtu, krahas, ecin e përthyhen në vetëdijen fëmijnore
fate njerizish të zhdukur apo të internuar misteriozisht, mbërrin si e
përlargët jehona e dhunshme dhe e luftës së klasave, sikundërse lufta e
pandërprerë e ligësisë me stërkëmbsha, bërryle, spiunime, survejime.
Për
këtë arsye, rrjedha introspektive e rrëfimit fiton jo notën e dëshmisë, por
notën besnike të një shpirti fëmije dhe adoleshenti që përpiqet të shfaqë
vullnetin, talentin dhe mbijetesën për gjërat që do e për gjërat që ëndërron të
mbërrijë, brenda një kozmosi gjithnjë të pasigurtë, gjithë në trasformim,
thuajse të pa vënë re. Dhe duke qenë në qendër të këtij kozmosi të rrudhur,
shpesh të mbyllur në vetvete, pavarësisht karakterit rebelues, fëmija krijon
perceptimet dhe përfytyrimet e veta mitologjike, sipas një metafizike krejt të
personalizuar. Dhe Rita Petro ka arritur të na e japë magjinë e këtyre
perceptimeve infantile, përplot sharm e poezi ta dëlirë, në shumë pjesë të
romanit të saj.
Shkrimtarja
i ka besuar fëmijës brenda vetes në këtë rrëfim autobiografik, duke zgjidhur
kësisoj shumë detyra dhe dilema njëherësh: fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e
një brezi, është pjesë e fatit dhe martirizimit njëherësh, e treguar si një
bisedë e gjatë monologuese përmes lenteve të po atij fëmije me rritjen e tij,
por gjithsesi, pa ndërhyrjen e gjykimit të vetëdijes së pjekur të të rriturit,
pa censurë...
Kam
lexuar shumë romane, madje me pretendime të mëdha, që na paraqesin rrëfime të
trupëzuara biografike me antagonizma të tejskajshëm, sikundërse të tjerë, madje
të superlëvduar, që shkruhen vetëm sa për t’i bërë kornizë autoportretit të
tyre me ambicie kombëtare e ndërkombëtare (siç, për shembull, “Të lirë” i Lea
Ypit), por nuk i shpëtojnë dot notës false dhe qëllimësisë.
Prandaj
realiteti socialist i diktaturës, që pasqyron Rita Petro në romanin e saj
“Lindur së prapthi”, na ngjall shumë herë më tepër alergji e neveri, se sa i
këtyre veprave të shkruara me qëllim të synuar haptazi, së paku për faktin se
autorja as që e çan kokën për të tilla “kurime” e “tualete”. Është besnike me
fëmijën brenda vetes dhe, çka është më e rëndësishmja, ka përparësinë e
dhuntisë letrare, siç mund ta vëreni nga fragmenti ilustrues më sipër.