Kulturë
Adil Fetahu: Nehat Islamin qysh e njohim
E merkure, 09.07.2025, 04:50 PM
NEHAT ISLAMIN QYSH E NJOHIM, E S’E DINË!
Nga
Adil Fetahu
Titullin
e këtij vështrimi për librin Ibrahim
Kadriut: ’’Me rikujtesën e NEHAT ISLAMIT’’, ua përshtata brezave të ndryshëm;
atyre që e njohin personazhin e librit (Nehat Islamin) si veteranin dhe
doajenin e gazetarisë së Kosovës, dhe
të tjerëve që nuk e dinë jetën dhe punën e Nehatit.
Për
një pjesë të punës së Nehat Islamit, na njofton shkrimtari Ibrahim Kadriu,
përmes bashkëbisedimit, dhe në formë të intervistës me Nehatin, të botuar në
librin ‘’Me rikujtesën e NEHAT ISLAMIT’’, si një dëshmi e punës së Nehatit dhe
e realitetit gazetaresk, kulturor e shoqëror-historik të Nehatit (botoi: ShB
‘Faik Konica’, Prishtinë 2025).
Autori
i librit, shkrimtari Ibrahim Kadriu, që
edhe vet dikur ka qenë gazetar e redaktor i gazetës RILINDJA, koleg pune me
Nehatin e të tjerë, e di mirë punën e madhe që ka bërë Nehat Islami si
korrespondent i përhershëm i asaj gazete në Lindjen e Mesme, kryesisht me seli
në Bejrut, por që ka ‘shetitur’ në 22 shtete arabe, në atë rajon e në kohë të
trazuar, ku edhe vet e kishte jetën në rrezik.
Shpërpushje
biografike
Fillimisht
autori i librit e jep një biografi për Nehat Islamin: i lindur në Ferizaj, më
18 tetor 1943. Kur ishte në moshën dyvjeçare, prindërit e Nehatit ishin shpërngulë
prej Ferizajt e shkua në Prizren, në
shtëpinë e hallës Katë. Nehati thotë se e ka dashur shumë hallën e tij, Katen,
sepse i jepte sheqerka të larmë, dhe njëherë e kishte shpëtuar të mos mbytej në
përrockën që kalonte nëpër oborrin e asaj shtëpie. Prizreni atëherë ishte
kryeqyteti i Kosovës, dhe aty punonte i ati i Nehatit, në sektorin e arsimit.
Të shpërngulur nga Prizreni, familja e Nehatit ishte vendosur për
gjithmonë në Prishtinë, afër Gjimnazit
‘’Sami Frashëri’’. Aty Nehati gjenë moshatarë me të cilët lozë e zbavitet,
madje duke dëgjuar edhe fjalë të ndyta, të cilat nuk i kishte dëgjuar asnjëherë
më parë. Nga ajo kohë e fëmijërisë, Nehatit i kujtohet një adoleshent 15
vjeçar, Sulejmani, që në grupin e fëmijëve dukej si burrë, por ishte aq i
praptë sa që i zinte macat, ua këpuste kokën, i rjepte dhe me lëkurën e tyre
bënte tarabuke, të cilat i shiste në treg. E urreja Sulejmanin për këto veprime
dhe shpesh e shihja në ëndërr. Sa dëshiroja të isha më i rritur dhe i fuqishëm
ta plandosja Sulejmanin me grushta e
shqelma. Por, kur familja e tij u
shpërngulën për në Turqi, m’u dhimbs Sulejmani, qava dhe ia bëra hallall gjitha
ato prapësi që kishte bërë, thotë Nehati.
Kur
fillova shkollën, në klasën e parë e kishim një mësuese zonjë, Bejtullahe Veliu
(bashkëshortja e profesorit Shefqet Veliu, sq.ynë). E doja mësuesen më shumë se
hallën Katë. Në një orë mësimi, duke na treguar me thupër gjymtyrët e një
qingji të vizatuar, na pyeste si quhen ato gjymtyrë. Kur i preku thundrat, unë
e ngrita dorën dhe thash me plot bindje – ato i ka këpucë. Tërë klasa qeshën me
mua, por si pedagoge e mirë që ishte mësuesja tha: Nehati nuk ka gabuar, ato
janë këpucë për qingjin. M’u duk se ma fali tërë pasurinë e botës, që më
shpëtoi nga lajthitja dhe përqeshja e shokëve.
Në
këtë libër, Nehati shpalosë, si një palimpsest kujtimet e tij të shumta të
kohës sa ishte nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, burgosjen e të atit, prangosjen
e mësuesit para syve të nxënësve, shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi dhe
ardhjen e kolonëve serbë e malazezë në shtëpitë e zbrazta të shqiptarëve të
shpërngulur.
Pas
kryerjes së gjimnazit, Nehati vazhdon studimet dhe i kryen ato në Fakultetin
juridik të Universitetit të Zagrebit (1966), dhe menjëherë fillon punën në
Rilindje, meqë ishte bursist i saj.
Kryerja
e studimeve dhe punësimi në Rilindje ndodhi në kohën kur shqiptarët nisën të
marrin frymë më lirisht, pasiqë në Plenumin e Brioneve (1 korrik 1966) satrapi
Rankoviq u rrëzua nga pozita e nënkryetarit të Jugosllavisë dhe ministrit të
punëve të brendshme.
Po
atë vit (29.XI.1966) filloi ‘’të flasë shqip’’ Televizioni i Kosovës, por
emisionet e veta i transmetonte nga TV i Beogradit. Nehati me një grup gazetarë
e kameramanë punoi tetë vjet në TV, duke përgatitur emisione e dokumentarë me
tema të ndryshme.
Intervistat
e Nehatit me personalitete të njohura
Nehati
ishte korrespondent i përhershëm në Lindjen e Mesme, me seli në Bejrut (Liban).
Me lajmet dhe raportimet e tij mbulonte ngjarjet e luftës dhe të paqes nga 22 shtete arabe dhe Izraeli. Gjatë asaj
kohe hulumtonte edhe për jetën dhe punën e shqiptarëve në shtetet arabe në të
kaluarën. Kështu, tregon Nehati për Mehmet Ali Pashën, i cili në vitin 1805
kishte shkuar në Kairo si ushtar i rëndomt i Perandorisë Osmane, por që me
veprën e tij pastaj u bë pashë dhe mbret i Egjyptit dhe i disa shteteve tjera
arabe, kurse djemtë e tij e hapën Kanalin e Suezit. Hulumtoi e shkroi Nehati
edhe për figura tjera të njohura shqiptare, të cilët vepruan në Lindjen e Mesme:
shkroi për Vaso Pashën, i cili ka qenë guvernator i Libanit, që e ndërtoi Portin
e Bejrutit, ndërsa Filip Shiroka e kishte projektuar dhe mbikëqyrë ndërtimin e
hekurudhës Bejrut – Damask. Kur e kemi fjalën për këtë personalitet (Vaso
Pashën), duhet përmendur një fakt, se përpara se të emërohej guvernator i
Libanit (maj 1883), sulltan Abdylhamiti i kishte ofruar postin e valiut të
Kosovës. Vaso i kishte thënë sulltanit: ‘’Lartmadhëri, unë jam nëpunës i
Perandorisë dhe përpiqem t’i shërbej me zellin më të sinqertë, por në të njëjtën kohë unë jam shqiptar dhe nëse
Lartmadhëria juaj me detyron të shkoj vali në Kosovë, më detyron të bëhem
tradhtar: ose do ta tradhtoj Perandorinë, ose do ta tradhtoj vendin tim’’
Pas këtij arsyetimi të sinqert, mbreti e emëroi guvernator të Libanit.
Nehati
ka ditur të kontaktojë figura të
zgjedhura për intervista me ta, të cilët kanë qenë autoritete emblematike të
kohës në faqet e historisë politike e letrare. Kështu ka bërë intervistë me Sir
Reginald Hibert, ish-oficer i zbulimit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore në
Shqipëri. Ai tregon se gjermanët dhe italianët mbështesnin planin për kthimin e
Kosovës në kuadër të Shqipërisë, por ata e humbën luftën dhe ai plan dështoi,
kurse Tito dhe liderët e tjerë jugosllav ishin të preokupuar të kënaqin
aspiratat serbe për ta mbajtur Jugosllavinë.
Takimin
dhe intervistën me poetin francez Zhak Prever,
Nehati e kishte realizuar në vitin 1973, kur po përgatiste në Paris një
film dokumentar për Avni Rrustemin. Nga biseda me poetin, ndër të tjera Nehatit
i kujtohet kur Prever ia kishte dhuruar një libër me poezi dhe i kishte thënë:
‘’Zotëri gazetar, sa herë të keni kohë, shfletonie këtë libër për ta lexuar
së paku një varg dhe le të ju kujtohet porosia ime për profesionin tuaj: shkruani
nga jeta sa më thjesht, pa i komplikuar gjërat, sepse edhe ashtu jeta është
mjaft e komplikuar’’.
Në
bisedën e zhvilluar me Mirosllav Kërlezhën, Nehati ishte përqendruar në atë se
sa Kërlezha e njeh letërsinë dhe problemin e shqiptarëve, ndërsa ai i flet për
gënjeshtrat serbe të përhapura kundër shqiptarëve. Kërlezha thotë se është
takuar me Nolin, në vitin 1924, se në popullin serb ka pasur edhe
internacionalistë, si Tucoviqi e ndonjë tjetër, por në përgjithësi në shkrimet
serbe dominon figura negative për shqiptarët si vrasës e gjakatarë kundër
serbëve!
Intervista
me poetin rumun, me prejardhje shqiptare, Viktor Eftimiu, është interesante për
historinë e shqiptarëve në Rumani. Bënë të ditur, se në vitin 1595 ishin lejuar
15000 shqiptarë të kalonin në veri të Danubit, në Transilvani, e që më 1628,
shqiptari Vasilie Lupu u bë princ në Bukuresht, dhe dihet pastaj dinastia
shqiptare që sundoi në Rumani, por dihet edhe aktiviteti i patriotëve dhe
shoqatave të shqiptarëve të Rumunisë për çështjen kombëtare, ndihma me libra e
gazeta, me para, me shtypshkronjë etj. Në tavolinën e punës Eftimiut kishte një
urnë me dhe të Boboshticës, fshatit të prejardhjes së poetit. ‘’Kur e shikoj
këtë, e ndiej veten se jam në Boboshticë, e kur të vdes këtë dhe do të ma
hedhin mbi varr, që të prehem me aromën e Shqipërisë’’, i kishte thënë
poeti Nehatit.
Nga biseda me Simon Vizental, hulumtuesin e
nazistëve (prill 1991), ai kishte thënë se ‘’Në hulumtimet e mia të gjata
për krimet e Luftës së Dytë Botërore, nuk kam hasur në asnjë kriminel apo bashkëpunëtor nga radhët e popullit
shqiptar që të ketë bërë ndonjë krim kundër popullit hebraik. Ne e dimë se
gjatë luftës hebrenjtë në Shqipëri nuk kanë pësuar asnjë të keqe, dhe se shumë
hebrenj nga shtetet ballkanike gjetën strehim në mesin e shqiptarëve’’.
Në
intervistën me poetin palestinez, me prejardhje shqiptare nga Prizreni, Muin
Biso, i cili kishte qëndruar shumë kohë në Kampin ‘’Tala al Zatar’’ në Bejrut,
duke folur për poezinë e tij dhe në përgjithësi, i kishte thënë Nehatit: ‘’Poezia
më e mirë shkruhet në luftë, dhe këtë e kishte ilustruar me shembuj të poezisë
spanjolle nga koha e luftës civile në atë shtet, apo e poezisë franceze nga
Revolucioni borgjez, kur poezia shtypej në afishe dhe hidhej nga aeroplanët në
frontet e luftës, që shërbente si poezi mobilizuese, e që në luftë është më e nevojshme se buka’’. E sa i
përket përhapjes së poezisë në botë, poeti Muin thotë: ‘’Është paradoks i
kohës sonë, që një reklamë e konzervave të mishit ose pastës së dhëmbëve, arkullon në tërë botnë brenda 24 orëve, ndërsa
mijëra vargje të vlefshme mbesin të pa njohura për njerëzimin’’!
Ishte
mbresëlënës për Nehatin takimi me avokaten aktiviste e njohur për të drejtat e
njeriut, Eva Brentyl, e cila ka qenë themeluese e grupit të parë të rezistencës
polake, që u shndërrua në themelimin e ‘’Solidarnoshqit’’ të Leh Valencës, në
Poloni. Eva Brently Ishte ideatorja që insistoi në mbajtjen e Kuvendit të
deputetëve të Kosovës, për të miratuar
Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, duke thënë se ‘’Kuvendin e
përbëjnë deputetët, e jo ndërtesa, prandaj s’ka rëndësi ku mbahet mbledhja, me
rëndësi është vendimi që merret’’. Pas arrestimit nga policia serbe dhe
ndalimit të hyrjes në Jugosllavi për tri vjet,
avokatja ua la porosinë shqiptarëve: ‘’Shihemi në Kosovën e lirë’’!
Takimin
dhe intervistën me shkrimtarin e nobelistin e parë arab, Balzakun e Orentit,
siç e quanin shkrimtarin Nagib Mahfuz, në Kairo, Nehati e kishte realizua në
kohën kur shkrimtari ishte në moshë të 95 vjeçe dhe ankohej se nuk mund të
lexonte e të shkruante më, për shkak të dobësimit të të pamunit. ‘’Çdo të
enjte shkoj në redaksinë e gazetës ‘Al Ahram’, ku diktoj rubrikën time të
përhershme në këtë gazetë që botohet në dy milion ekzemplarë’’, thotë Mahfuzi.
Ishte i përndjekur nga regjimi i Naserit, pas rënies së mbretit Faruk (1952).
Shumë kohë kishte ndejtur, punuar e biseduar me njerëz në kafenenë ‘’Hani
Halili’’. Kur e kishte marrë shpërblimin e Çmimit Nobel për letërsi (1958), një
shumë të parave ia kishe dhënë pronarit
për ta meremetuar Hanin. ‘’I ktheva borxhin tim shokut i cili më
mbajti kur të tjerët më shanin’’,
thotë Mahfuzi. Kur fliste për mbretin e Egjyptit, Mehmet Aliun, thoshte se,
ndonëse analfabet, ishte vizionar mendjendritur, e pavarësoi Egjyptin nga Porta
e Lartë, realizoi projekte të rëndësishme, bëri reforma në bujqësi, dërgoi
studentë për të studjuar në Europë dhe
ftoi specialistë të ndryshëm nga Europa, me të cilët mundësoi modernizimin e
Egjyptit.
Me
Xhelal Talabanin, liderin kurd të Irakut, Nehati është takuar shumë herë,
që prej vitit 1973. Herën e fundit
kishte zhvilluar një intervistë me të në Stamboll, ku ai merrte pjesë në një
konferencë ndërkombëtare. Aty Nehati çëmton shumë hollësi për situatën e Kurdëve,
ndërsa lideri kurd jep informacione për situatën e tyre, duke përmendur
gjenocidin që kanë pësuar nga regjimi i Sadam Huseinit në Irak. Thotë se sipas
vlerësimeve të Amnesty International,
kurdët janë populli më i rrezikuar në botë. Ai ishte i kënaqur që regjimi i
Turgut Ozalit, e kishte legalizua gjuhën turke në Turqi. Duke u përgjigjur në
pyetjen e Nehatit, Talabani thotë: ‘’E përcjell rregullisht situatën e
shqiptarëve në Kosovë, dhe nuk është e rastësishme që ne Kurdëve na quajnë
Shqiptarët e Lindjes së Mesme, kurse ju Shqiptarëve ju quajnë Kurdët e
Ballkanit’’!
Në
libër janë radhitur edhe biseda e intervista tjera të Nehatit me personalitete
tjera, si: Marie Kraja, Aleksandër Stipçeviq, Ibrahim Kodra, Noel Malkolm,
Jaser Arafat, Aliriza Gashi, Eqerem Qabej, Abdylkadër Arnauti, e sa e sa
intervista tjera të zhvilluara në kuadër të 400 emisioneve dhe filmave
dokumentar të realizuara në cilësi të gazetarit, reporterit, korrespondentit të
përhershëm. Nga të gjitha ato biseda e intervista, lexuesi ka çka të mësojë nga
pena e Ibrahim Kadriut ( intervistues)
dhe mbamendja e Nehat Islamit (i intervistuar) për krizat, luftërat, fatet e
popujve e të personaliteteve të njohura, të cilët kanë lënë gjurmë në politikë,
në histori, në letërsi, në art e kulturë.